E keqinterpretuar kjo video e varjes së kukullës në ritet hebreje

9

Pretendimi: Kjo video tregon një “rit satanik të kazarëve turq”, për të cilat përdoren 500 mijë fëmijë të zhdukur përvit në Europë

Verdikti: E paprovuar

———————————————————-

Një video që po qarkullon në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, duket se tregon një ritual hebre. Megjithatë, përshkrimi që shoqëron videon nënkupton se ajo tregon një diçka më djallëzore: “500 mijë fëmijë zhduken në vit në Europë, 100 mijë vetëm në Gjermani për ritet satanike të Kazarëve turq”, duke nënkuptuar hebrenjtë. 

Si zakonisht, ky pretendim i jashtëzakonshëm nuk shoqërohet me ndonjë provë, burim apo referencë, aq më pak të jashtëzakonshme.

Video e mësipërme duket se tregon një grup burrash me veshjen tradicionale ortodokse hasidike duke goditur një kukull që varet nga një trekëmbësh, e më pas duke vallëzuar të ngazëllyer. 

Video tregon në fakt festën hebraike Purim. Varja e kukullës është një rikrijim i varjes së personazhit biblik Haman.

Me anë të motorrit të kërkimit të imazheve Google Reverse Image Search, Faktoje zbuloi disa video të të njejtit moment, të xhiruara nga kënde të ndryshme, të ngarkuara në Youtube në Mars 2016.

Ato mbajnë titullin “Festimi i varjes së Hamanit, Purim 5776” dhe “Varja e Hamanit gjatë leximit të Megillah Purim 5776”.

Purim është një festë hebraike dhe 5776 është viti hebraik që përkon me vitin 2016 në kalendarin gregorian.

Festa e Purim përkujton disfatën e një komploti që synonte shfarosjen e çifutëve nga një vezir i perandorisë perse, i quajtur Haman, siç rrëfehet në Librin e Esterit (i njohur gjithashtu si Megillah).

Kukulla në video, e cila varet nga një trekëmbësh dhe goditet nga besimtarët, nuk ka për qëllim të përfaqësojë një fëmijë. 

Ajo përfaqëson pikërisht vezirin pers Haman, i cili, sipas tregimit, varet me urdhër të mbretit pers, pasi Esteri i tregoi se ajo ishte hebreje dhe Hamani kishte planifikuar shfarosjen e popullit çifut.

Që në shekullin V, ekzistonte tradita e djegies apo varjes së shëmbëlltyrës së Hamanit gjatë festimeve Purim. Megjithatë, sipas akivistit hebre nga Polonia, Piotr Kadlcik, kjo traditë ditët e sotme vazhdohet vetëm në pak grupe hasidike (një rrymë ultra-ortodokse e hebraizmit). 

Skena teatrale e varjes së Hamanit, si dhe karnavalet me kostume janë pjesë e festimeve të Purim dhe nuk kanë të bëjnë fare me sakrificën e fëmijëve.

Për shembull, në fotot më sipër, luhet skena teatrale e varjes së Hamanit. Fotot janë bërë në vitin 2017 në Jerusalem, Izrael. Kukulla përfaqëson Hamanin e lig. Shfaqja u mbajt në një nga shkollat ​​në Mea Shearim, një lagje ultra-ortodokse e Jerusalemit.

Teoria e konspiracionit që hebrenjtë rrëmbejnë ose sakrifikojnë fëmijë, buron nga Mesjeta dhe njihet si “shpifje gjaku”. Një nga pretendimet e para të tilla është regjistruar në Britaninë e shekullit të XII, kur një hebre u akuzua për rrëmbimin e një fëmije dhe shkaktimin e një plage në kokën e tij duke imituar kurorën me gjemba të Krishtit. Këto dhe akuza të ngjashme u hetuan nga Papa Inoçenti IV, por vërtetësia e tyre nuk u konfirmua. “Shpifja e gjakut” shpesh përdorej si armë për të justifikuar persekutimin e hebrenjve.