E keqinterpretuar “humbja” e fondeve të Pentagonit një ditë para se të sulmoheshin kullat binjake

667

Pretendimi se qeveria amerikane “humbi” 2.3 trilionë dollarë ditën përpara 11 shtatorit 2001 është i pasaktë. Verifikimi i “Faktoje” sqaron se ky pretendim keqinterpreton një deklaratë të dhënë nga Sekretari i Mbrojtjes Donald Rumsfeld që i referohej teknologjisë së prapambetur të përdorur nga organet shtetërore financiare të ShBA në atë kohë.

—————————————-

Edhe këtë vit, përvjetori i sulmit terrorist mbi Kullat Binjake në 11 shtator 2001 ringjalli një sërë teorish konspirative në rrjet. 

Njëra prej tyre pretendon se 11 shtatori 2001 ishte një tragjedi e stisur nga qeveria amerikane për të fshehur zhdukjen e 2.3 trilionë dollarëve nga buxheti i shtetit. Si ‘provë’ për këtë, sillet një deklaratë e pretenduar e Sekretarit të atëhershëm të Mbrojtjes Donald Rumsfeld në 10 shtator 2001.

“Kurrë mos harroni! 10 shtator 2001: Donald Rumsfeld mban një konferencë për shtyp për të thënë se Pentagoni nuk gjente mbi $2,300,000,000,000 por ditën tjetër diçka ndodhi dhe të gjithë e harruan,” shkruhet në foton që shoqëron postimin

Postimi i mësipërm i referohet deklaratave që Rumsfeld bëri në 10 shtator 2001 mbi praktikat e biznesit të Pentagonit. Specifikisht, Rumsfeld tha: “Revolucioni tekonologjik ka shndërruar organizatat anembanë sektorit privat, por jo organizatën tonë, jo plotësisht, ende jo. Në jemi, siç i thonë, të ngatërruar në zinxhirin e spirancës sonë. Sistemet tona financiare janë të vjetra me dekada. Sipas disa vlerësimeve, ne nuk mund të gjurmojnë 2.3 trilionë dollarë në transaksione.”

Siç vërrehet nga citimi i plotë i Rumsfeld, ai nuk po deklaronte se Departamenti i Mbrojtjes kishte humbur 2.3 trilionë dollarë. Rumsfeld po e përdorte numrin për të treguar se Pentagoni kishte hasur telashe në gjurmimin e transaksioneve si pasojë e teknologjisë së prapambetur.

Për më tepër, megjithëse deklarata e Rumsfeld u dha në 10 shtator 2001, shifra prej 2.3 trilionë dollarë nuk ishte informacion i ri. Ajo u shfaq fillimisht në Shkurt të vitit 2000, në një raport auditi të Departamentit të Mbrojtjes për vitin fiskal 1999. Raporti vërente se “për regjistrat e kontabilitetit, 2.3 trilionë dollarë nuk ishin të mbështetur nga gjurmë të mjaftueshme auditi apo prova të mjaftueshme për të përcaktuar vlefshmërinë e tyre.”

Problemi që Rumsfeld dhe raporti i auditimit po denonconin nuk ishte zhdukja e $2.3 trilionë dollarëve, por paaftësia e Departamentit të Mbrojtjes për të gjurmuar se si këto para u shpenzuan. 

Në vitin 2023, Pentagoni ende nuk mund të kontrollojë paratë që merr nga buxheti i shtetit. Shifra tani është rritur në 3 trilionë dollarë. Në pesë vitet e fundit, është bërë publike se ky organ nuk ka kaluar asnjë nga auditet financiare, të cilave u është nënshtruar. A duhet të presim një 11 Shtator të dytë?