Një video që tregon një kompjuter duke analizuar fytyrat e njerëzve që kalojnë në rrugë po qarkullon në rrjetet sociale shqipfolëse me pretendimin se ajo është shembull i çfarë mund të pritet nga të ashtuquajturit “qytetet 15-minutëshe”.
Video e mësipërme shoqërohet me përshkrimin:
“GETOT 15 MINUTËSHE
Një video e thjeshtë për të ndihmuar ata që janë ende në gjendje të kuptojnë se për çfarë shërbejnë dhe si funksionojnë të ashtuquajturat “Qytetet e zgjuara”, të njohura më mirë si “Ghetto 15-minutëshe”.
Lagje të vogla burgje ku do të ketë gjithçka që ata mendojnë se na duhet për të plotësuar nevojat parësore (pikërisht si bishat, skllevër, goyim, nënnjerëz: kjo është konsiderata e tyre), në mënyrë që të mos duhet të dalin kurrë jashtë sepse makina ndot dhe bota është gati të përfundojë për shkak tuaj dhe ndryshimit të klimës. Qëllimi është pikërisht të na pengojë të largohemi nga qytetet, të mbetemi në një gjendje psikologjike skllavërie në zhgënjim të përjetshëm.
Dhe nëse vërtet duhet të dilni jashtë, sigurisht që do t’ju duhet leja nga babai dhe një Green në dorë!
Mbikëqyrja do të jetë absolute: privatësia më pak se zero!
Por kjo nuk është keq, apo jo?! Nuk do të zotëroni asgjë, por do të jeni shumë, shumë të lumtur‼️
E thotë WEF‼️”
“Qyteti 15-minutësh” është një koncept urbanistik që parashikon një mjedis jetese me elementë thelbësorë lehtësisht të aksesueshëm. Siç tregohet nga vetë emri i konceptit, bëhet fjalë për një qytet në të cilin shumica e aktiviteteve të jetës së përditshme, si puna, pazari, shkollimi, përkujdesi shëndetësor dhe argëtimi, mund të kryhen në vende që mund të arrihen lehtësisht me një ecje 15-minutëshe ose me biçikletë apo transport publik për të njejtën kohëzgjatje.
Qëllimi i këtij koncepti planifikimi urban është ulja e varësisë nga makinat, promovimi i një jetese më të shëndetshme dhe të qëndrueshme, dhe përmirësimi i mirëqenies dhe cilësisë së jetës të njerëzve që jetojnë në qytete. Ai është përshkruar si “një rikthim në një mënyrë jetese lokale.”
Në të shkuarën e afërt, Tirana do të kualifikohej si qytet 15-minutësh.
Megjithatë, ky koncept urbanistik në dukje i padëmshëm, madje i dobishëm, shihet nga disa si një komplot “burokratësh tiranë” të cilët duan të na marrin makinat dhe të na kontrollojnë jetët. Kjo teori konspirative përdor termin “getot 15-minutëshe”. Fakti që koncepti i qytetit 15-minutësh është promovuar edhe nga Forumi Ekonomik Botëror (WEF) ka bërë që konspiracionistët të pretendojnë se ky koncept është pjesë e një plani globalist me qëllim centralizimin dhe kontrollimin e popullatës.
Video e mësipërme, ku tregohet se si një program kompjuterik identifikon njerëz që janë duke ecur në rrugë, sillet si shembull i monitorimit që mund të pritet në qytetet 15-minutëshe.
Por, me anë të një kërkimi me motorin e kërkimit të imazheve Google Reverse Image Search, “Faktoje” zbuloi se video në fjalë nuk ka aspak lidhje me konceptin e qyteteve 15-minutëshe.
Ajo është postuar për herë të parë në internet në 2018, nga Deep Vision AI, një kompani që ofron shërbime të programeve kompjuterike të quajtura ‘inteligjencë artificiale’ (AI).
Video e postuar nga Deep Vision AI është një demonstrim i shërbimeve që kjo kompani ofron. Në përshkrimin e saj, nuk përmendet askund termi “qytet 15-minutësh”, por shpjegohet se shërbimet e Deep Vision AI përdoren shpesh nga kompanitë e reklamave për të shënjestruar segmente specifike të popullsisë me reklama të personalizuara, dhe nga policia për të identifikuar individë të caktuar.
Duket se, si zakonisht, konspiracionistët nisen nga një shqetësim legjitim, por ngatërrojnë shënjestër. Nëse shqetësoheni për mungesën e privatësisë në një botë që sa vjen e sundohet nga survejimi i vazhdueshëm, lajmi i mirë është se Vëllain e Madh të Orwellit nuk do t’ua sjellin qytetet 15-minutëshe. Kjo sepse, fatkeqësisht, Vëllai i Madh është tashmë këtu.