Pretendimi: Kjo çizme 2300-vjeçare është ndërtuar e pajisur me teknologji ezoterike
Verdikti: Mungon konteksti
—————————————————-
Në hapësirat online po qarkullon pretendimi se një çizme e lashtë e gjetur në Mongoli është “ndërtuar me një teknologji të koduar mbi parimet elektromagnetike, nga ato që lidhen me teoritë kromatike të frekuencës dhe me memorie mbi terrenin që rivalizon atë që sapo kemi filluar të rizbulojmë sot në bioenergjetikën moderne.”
Nëse fjalia e mësipërme nuk ka shumë kuptim për ju, mos u shqetësoni. Kjo është sepse ajo është përkthyer fjalë për fjalë nga një fjali, e cila as në anglisht nuk ka shumë kuptim, marrë nga një postim në Twitter i një dite më parë nga një llogari anonime.
Asnjë nga postimet e mësipërme nuk ofrojnë ndonjë provë, studim apo burim që mbështet këto pretendime të jashtëzakonshme.
Çizmet 2300 vjeçare në fjalë janë reale. Ato u zbuluan mbështjellë me pëlhurë të kuqe në 1948, së bashku me bizhuteri, ushqime, armë dhe veshje në një tumë varrimi skithe në malet Altai të Siberisë. Artifakti është i ekspozuar në Muzeun Shtetëror Hermitage në Shën Petersburg, Rusi.
Skithët lulëzuan nga viti 900 para Krishtit deri në rreth 200 para Krishtit, dhe në pikën e tyre të zgjerimit maksimal patën një ndikim që shtrihej në Azinë Qendrore, nga Deti i Zi verior deri në Kinë.
Shtrirja e skithëve në shekullin 1 para Krishtit, në të verdhë
Ka shumë që nuk dihet për kulturën skithe, pasi ata nuk kanë lënë burime historike të shkruara. Ajo që ne dimë për to vjen kryesisht përmes gërmimeve të tumave të tyre të varrimit, të quajtura kurgan.
Kjo çizme gruaje, e cila është prej lëkure të kuqe të butë dhe ka një taban të stolisur me modele gjeometrike të qepura me kristale piriti dhe rruaza të zeza.
Pse dikush do të bënte kaq shumë përpjekje për të dekoruar shollën e një çizmeje që thjesht do të degradonte nga ecja? Shpjegimi i kuratoreve të Muzeut Britanik është se skithët uleshin në gjunjë përtokë rreth një zjarri të përbashkët. Në këtë pozë, pjesa e poshtme e këpucëve do të ishte e dukshme për të tjerët. Përndryshe, këpucët mund të jenë bërë ekskluzivisht për varrim, gjë që do të shpjegonte gjendjen e tyre të paprekur.
Ndërkaq, imazhi që shoqëron postimin pretendon se çizmet kanë “pllaka magnetike në shuall” ndërsa tregon anën e kundërt të objektit. Megjithatë, pretendimi për pllaka magnetike në thembra për qëllime “tokëzimi dhe rregullim frekuence” nuk vërtetohet nga dëshmi konkrete arkeologjike. Materialet e rruazave, si kristalet e piritit, mund të ngatërrohen me elemente magnetike, por asnjë provë nuk e konfirmon këtë teori.