E keqintepretuar akuza për komplot ndaj gruas së konservatorit të vrarë Charlie Kirk

9

Pretendimi: Komentatorja politike amerikane Candace Owens ka zbuluar komplotin sekret të bashkëshortes së komentatorit politik Charlie Kirk

Verdikti: Mungon konteksti

——————————————————-

Vrasja e komentatorit konservator Charlie Kirk në shtator 2025 ka provokuar një valë teorish konspirative që duket se janë përhapur dhe në rrjetet sociale shqipfolëse. Postimet pretendojnë se komentatorja konservatore Candace Owens ka zbuluar komplotin sekret të Erika Kirk, bashkëshortes së Kirk, për të hequr qafe këtë të fundit.

Megjithatë, postimi i mësipërm nuk sjell ndonjë provë, burim apo referencë për të vërtetuar këtë pretendim të jashtëzakonshëm.

Ai përmban një lidhje që të drejton tek një artikull në anglisht, i cili pretendon se ekziston një video ku Erika Kirk flet për mënyrën se si do t’i zërë pritë bashkëshortit të saj. Megjithatë, kjo video nuk paraqitet në artikull.

Artikulli gjithashtu pretendon se dalja e kësaj video ka bërë që Erika Kirk të zhduket nga skena publike, duke mbyllur të gjitha llogaritë e saj në rrjete sociale. Kjo është qartazi e pavërtetë. Rrjetet sociale të Erika Kirk mbeten aktive, ndërsa më 22 nëntor ajo u intervistua nga gazetarja Megyn Kelly drejtpërdrejt përpara një publiku.

Sa i përket pretendimeve të Candace Owens, ajo ka sugjeruar se versioni zyrtar i vrasjes së Charlie Kirk ishte i paplotë dhe se aktorë të fuqishëm mund të ishin të përfshirë. 

Owens e akuzoi Erika Kirk si personin që pranonte historinë e thjeshtë dhe pretendoi se organizata Turning Point (TPUSA) miratoi një plan që mbronte personat e brendshëm në vend që të ndiqte transparencë të plotë. 

Megjithatë, në 7 nëntor 2025, vetë Candace Owens iu kundërpërgjigj komentatorit Ben Shapiro pasi ai e akuzoi atë se kishte thënë se Erika Kirk, gruaja e të ndjerit Charlie Kirk, ishte pas vdekjes së burrit të saj. 

Owens e quajti Shapiron gënjeshtar dhe tha se ai kishte sajuar pretendime të rreme për të. “Ai tha se unë e akuzova Erika Kirk për vrasjen e Charlie Kirk. Kjo është e sajuar nga hiçi”, shkroi Owens në Twitter.