Pretendimi: Zonja e parë e ShBA Melania Trump është pasardhëse e carit rus Nikolla II Romanov
Verdikti: E paprovuar
———————————————————-
Në rrjete sociale po qarkullon pretendimi i pazakontë se zonja e parë e ShBA, Melania Trump, është pasardhëse e carit të fundit rus Nikolla Romanov.
Postimi i mësipërm pretendon se Melania Trump është mbesa e vajzës më të vogël të carit Nikolla II, Anastasia Romanov.
Pas Revolucionit Rus të vitit 1917, Nikolla II u rrëzua nga froni dhe më 17 korrik 1918, u vra së bashku me gruan, katër vajzat dhe djalin e tij nga mbështetësit e bolshevikëve. Kjo i dha fund dinastisë Romanov dhe Rusia nuk patur më carë që atëherë.
Menjëherë pas ekzekutimit, qarkulluan thashetheme se Anastasia kishte mbijetuar mrekullisht. Në 1920, një grua u shfaq në Berlin, më vonë e quajtur Anna Anderson. Disa besonin se gruaja mund të kishte qenë Anastasia. Megjithatë, testet e ADN që atëherë kanë përjashtuar mundësinë që kjo grua të ishte Anastasia.
Anastasia ishte 17 vjeç në kohën e ekzekutimit të saj. Ajo nuk ishte ende e martuar dhe nuk ka të dhëna për ndonjë fëmijë që mund të ketë pasur.
Sa i përket gjasave që që vajza e re t’i ketë mbijetuar ekzekutimit të familjes së saj, pas rënies së Bashkimit Sovjetik, trupat e Romanovëve u zhvarrosën në vitin 1991.
Fillimisht, në varr u gjetën vetëm eshtrat e carit, gruas së tij dhe tre fëmijëve (Olga, Tatiana dhe Maria ose Anastasia). Kjo ringjalli thashethemet se Anastasia me të vërtetë i kishte mbijetuar ekzekutimit.
Megjithatë, në 2007, dy trupa të tjerë u gjetën në një varr aty pranë, që më vonë u zbulua se ishin Alexei dhe vajza e katërt. Testet e ADN më vonë konfirmuan se këta ishin vërtet Romanovët.
Prindërit e Melania Trump kanë lindur në vitet 1944 dhe 1945. Postimi nuk specifikon nëse Anastasia Romanov pretendohet të jetë gjyshja e Melania Trump nga nëna apo nga babai. Megjithatë, duke qenë se ajo vdiq në 1918, vështirë se mund të ketë qenë nëna e ndonjërit prej prindërve të Melania. Gjyshja e Melania Trump nga nëna është Amalia Ulčnik (mbiemri i vajzërisë Gliha), sipas shtypit slloven. Gjyshja e saj nga babai është Antonija Ribi.