Pretendimi: Kjo video tregon një gomar duke fluturuar me parashutë
Verdikti : Gjeneruar me AI
Një video që ka marrë qindra pëlqime në rrjetet sociale duket se tregon një gomar që është duke fluturuar në ajër me parashutë.
“Fluturon Fluturon Gomari Ja dhe Gomari po Fluturon”, shkruan një profil në rrjetin social facebook teksa ndan videon që ka angazhuar dhjetra komentues dhe është parë nga më shumë se 100 mijë përdorues të tjerë të facebook.

Ky imazh absurd, ngjall dyshime se përmbajtja është krijuar nga inteligjenca artificiale. Mospërputhjet në video gjithashtu e mbështesin këtë dyshim. Për shembull, në pamjen e parë, gomari fluturon me një person mbi të, ndërsa në pamjen e dytë fluturon i vetëm.

Sipas kërkimeve të bëra nga Faktoje, kjo video është shpërndarë për herë të parë më 20 maj 2025, në një llogari në TikTok nga një përdorues @merakmerkezi_2024.

Llogaria që ka shpërndarë përmbajtjen e ka etiketuar si të krijuar nga inteligjenca artificiale. Nëse shqyrtojmë profilin e krijuesit të përmbajtjes që ka bërë postimin, do të shohim se të gjitha postimet e tij janë përmbajtje të krijuara me inteligjencë artificiale.
Edhe mjetet për zbulimin e përmbajtjes së krijuar nga inteligjenca artificiale, tregojnë se përmbajtja është prodhuar me AI.

Në përfundim, video që tregon gomarin me parashutë nuk është reale. Ajo është krijuar me mjete të inteligjencës artificiale.