E gjeneruar video e ushtarit britanik që qorton policin për çensurën

4

Pretendimi: Kjo video tregon një ushtar britanik duke i bërtitur një polici në rrugë

Verdikti: E pavërtetë

—————————————————-

Një video që po qarkullon në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse pretendohet se tregon një ushtar britanik duke qortuar një polic për censurimin e fjalës së lirë dhe neglizhencën ndaj krimeve të kryera nga emigrantët.

Megjithatë, video e mësipërme përmban disa tregues të gjenerimit me anë të programeve kompjuterike të inteligjencës artificiale (AI). 

Skena zgjat pak sekonda dhe audio është shumë e qartë edhe pse skena po ndodh në ambjent të jashtëm.

Uniforma e ushtarit shfaq emrin “Morley” 3 herë, një gabim i zakonshëm i imazheve të gjeneruara nga AI.

Për më tepër, Ushtria Britanike zakonisht nuk përdor shirita me emra në uniformat e saj MTP.

Më tej, lëvizjet e ushtarit dhe të oficerit të policisë duken të panatyrshme. Polici mbetet i palëvizshëm gjatë gjithë skenës, ndërsa ushtari flet me një ton dramatik dhe bën gjeste të panatyrshme. Elementet e sfondit, duke përfshirë këmbësorët dhe një autobus londinez, janë të sfumuara. Autobusi kalon në sfond, dhe shuhet në një moment.

Me anë të motorit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se video ishte botuar fillimisht nga profili UK Mode, i cili ndan rregullisht skena të gjeneruara nga AI. Llogaritë e përdoruesit në TikTok dhe Facebook përmbajnë përmbajtje të ngjashme që sulmojnë emigrantët dhe myslimanët.