Pretendimi: Kjo video tregon arkivolët e ushtarëve izraelitë të vrarë nga Irani

Verdikti: Gjeneruar me AI

—————————————————–

Një video që po qarkullon në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, duket se tregon dhjetëra arkivolë të mbuluar me flamurin izraelit dhe mban mbishkrimin “Fuqia e Iranit,” duke lënë të kuptohet se arkivolët përmbajnë viktimat izraelite të sulmeve iraniane.

Megjithatë, video e mësipërme përmban tregues të zakonshëm të pamjeve të gjeneruara me anë të programeve të inteligjencës artificiale (AI).

Që me vështrimin e parë, dallohet se flamujt që mbulojnë arkivolët e supozuar variojnë në pamje dhe nuk i përmbahen një standarti.

Për më tepër, në disa prej tyre duket se ka mbishkrime të cilat, kur i zmadhojmë, vërejmë se nuk kanë ndonjë kuptim dhe nuk i përngjasojnë ndonjë fjale të shkruar me alfabetin latin, hebre, apo tjetër. 

“Emrat” mbi arkivolet e pretenduar në fakt janë simbole të pakuptimta

Simbolet e pakuptimta në vend të fjalëve të shkruara me shkronja janë dëshmi e përpjekjes dhe dështimit së programit të inteligjencës artificiale për të gjeneruar tekst koherent brenda një imazhi.

Sipas Times of Israel, sulmet me raketa balistike të Iranit ndaj Izraelit gjatë 12 ditëve të luftës morën jetën e 28 personave – të gjithë civilë, përveç njërit. 

Dukshëm, në video ka më shumë se 28 arkivole.