Pretendimi: Kjo video tregon një vajzë të vogël duke kënduar

Verdikti: Gjeneruar me AI

—————————————————————

Një video që është parë mbi 500 mijë herë dhe ka marrë mbi 9 mijë pëlqime brenda një jave në Facebook pretendon se tregon një vajzë të vogël që këndon gjatë audicioneve të emisionit të talenteve muzikore “Britain’s got talent”.

Zëri i mrekullueshëm i vogëlushes bën të mallëngjehen anëtarët e jurisë, që zakonisht janë të ashpër me konkurrentët, por mesa duket edhe përdoruesit që klikojnë postimin. Video ka marrë gjithashtu mbi 300 komente dashamirëse.

Megjithatë, video e mësipërme dukshëm është gjeneruar me anë të programeve të inteligjencës artificiale. Ajo i ngjan më shumë një pikture, sesa një video të vërtetë

Me anë të motorit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se video e mësipërme është postuar fillimisht në TikTok nga llogaria cutestuff877.

Nëse vizitojmë profilin e cutestuff877, vërejmë se kjo llogari prodhon rregullisht video të ngjashme fëmijësh të lezetshëm, duke përdorur programe të inteligjencës artificiale. Kësaj here imazhit i është shtuar edhe një këlysh qeni, duke plotësuar më tej tërheqjen për të klikuar për adhuruesit e kafshëve. 

Këto video janë shembuj i çfarë është quajtur ‘AI slop’ që përkthehet në “llum AI.” 

Llum AI quhen imazhe, video apo shkrime me cilësi të ulët të krijuara duke përdorur teknologjinë gjeneruese të inteligjencës artificiale dhe të karakterizuara nga një mungesë e theksuar e përpjekjes, logjikës ose kuptimit.

Llumi AI në Facebook zakonisht ka për qëllim mbledhjen e sa më shumë komenteve, e kështu zakonisht konsiston në imazhe, dhe histori shoqëruese, që ngjallin emocione të forta tek njerëzit, si dashamirësia për një fëmijë të lezetshëm me zë engjëllor.

Llumi AI që nxit komplimente, simpati dhe urime në tekstin shoqërues merr shumë angazhim. Postime të tilla mund të dallohen nga fjali si “E bëra me duart e mia, por jam i trishtuar sepse askush nuk e pëlqeu punën time”, “Sot është ditëlindja ime” ose “Nuk do të pendoheni kurrë që e keni pëlqyer këtë foto”.

Shembuj të llumit AI në Facebook

Për të parandaluar që përmbajtje të tilla të keqinterpretohen, është e rëndësishme që çdo video, foto ose material tjetër i gjeneruar ose i manipuluar me inteligjencë artificiale të shënohet si i tillë. Kjo do të ndihmojë në informimin e audiencës dhe në mbrojtjen e tyre nga dezinformimi. Facebook i detyron përdoruesit të etiketojnë imazhet dhe videot e gjeneruara me AI si të tilla.