Pretendimi: Kjo video tregon një person real, kandidate për deputete në zgjedhjet e 11 majit në Shqipëri
Verdikti: Gjeneruar me AI
—————————————————————
Video e gjeneruara me anë të programeve të inteligjencës artificiale vijojnë të shpërndahen dhe të perceptohen në rrjete sociale si të vërteta. Gjatë fushatës zgjedhore, ky fenomen duket se ka parë rritje.
Kjo dëshmohet nga një video që po qarkullon në rrjete sociale, ku duket një grua e cila prezantohet si “Zeqinda.”
“Unë jam krijuar si kandidate për deputete në mënyrë artificiale nga Partia Socialiste. Unë pres urdhëra nga Fuga se çfarë duhet të them. Mua nuk më lejohet të mendoj,” deklaron ‘Zeqinda.’
Video e sipërme ka të gjithë treguesit e një video të gjeneruar me programe kompjuterike.
Me anë të motorit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti pamjen origjinale mbi të cilën është ndërtuar për të krijuar ‘Zeqindën’.
Mbi këtë pamje të kandidates socialiste Zegjine Çaushi, është mbivendosur, me anë të programeve deepfake, fytyra e Ministres së Energjisë dhe Infrastrukturës Belinda Balluku. Nga ky bashkim ka dalë ‘Zeqinda’.
Natyra artificiale e videos theksohet edhe nga vetë ‘Zeqinda’ e cila thotë me ‘gojën’ e saj se është krijuar “në mënyrë artificiale.”
Gjithsesi, një numër shqetësues komentuesish në rrjetet sociale e kanë marrë si të vërtetë këtë krijim shpotitës, duke iu drejtuar Zeqindës si të ishte një person real.
Për të parandaluar që përmbajtje të tilla të keqinterpretohen, është e rëndësishme që çdo video, foto ose material tjetër i gjeneruar ose i manipuluar me inteligjencë artificiale të shënohet si i tillë. Kjo do të ndihmojë në informimin e audiencës dhe në mbrojtjen e tyre nga dezinformimi. Facebook i detyron përdoruesit të etiketojnë imazhet dhe videot e gjeneruara me AI si të tilla.