Pretendimi: Kjo video tregon një anakondë gjigande në pyllin e Amazonës
Verdikti: Gjeneruar me AI
——————————————————–
Një video e regjistruar nga helikopteri që tregon çfarë duket si një gjarpër gjigant që noton në sipërfaqen e një lumi të madh po qarkullon në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse me pretendimin se tregon një anakondë në pyllin e Amazonës.
Megjithatë, inspektimi i kujdesshëm i pamjeve zbulon disa shenja të dukshme manipulimi. Në një moment ndodh një defekt pamor ku dy koka gjarpri shfaqen njëkohësisht përpara se njëra të zhduket. Ky gabim dublikimi tregon manipulim dixhital.
Më tej, kamera që supozohet se po regjistron nga helikopteri nuk tregon imazhet e para në video, por një peizazh të palëvizshëm.
Përveç anomalive teknike, pasaktësitë biologjike ngrenë gjithashtu dyshime. Anakondat e gjelbra (Eunectes murinus) janë notarë të fuqishëm dhe ndër më ujorët e të gjitha llojeve të gjarpërinjve, por ato nuk notojnë lart në sipërfaqen e ujit siç tregohet në video. Ato kanë tendencë të qëndrojnë kryesisht të zhytura, vetëm me sytë dhe vrimat e hundës mbi ujë për të ndihmuar të fshihen gjatë gjuetisë. Sipas Kopshtit Zoologjik Smithsonian, anakondat mbështeten në lundrueshmërinë dhe presionin e ujit për pritë dhe ngushtim, duke lëvizur me valëzim anësor pak nën sipërfaqe.
Pamje reale nga Discovery UK tregojnë se si anakondat lëvizin në të vërtetë në ujë. Ato qëndrojnë pothuajse tërësisht nën ujë, duke rrëshqitur ngadalë pranë fundit të lumenjve. Kjo është shumë ndryshe nga video e mësipërme, ku gjarpri noton në mënyrë joreale lart në sipërfaqen e ujit me lëvizje të ekzagjeruara.
Ignacio de la Riva, një herpetolog i specializuar në speciet tropikale nga Amerika Latina, tha për kolegët e Newtral se video është “plotësisht e rreme”. Mënyra se si gjarpri noton në ujë është “krejtësisht joreale.”
“Mund të dukej kështu vetëm nëse nuk do të notonte, por do të prekte fundin, gjë që nuk duket të jetë rasti në atë lumë, megjithëse nuk mund ta dallosh thellësinë nga ato imazhe,” sqaron ai.
Pyetur nga AFP Factual, Fernando Ignacio Ortiz, një zooteknik dhe profesor i asociuar në Universitetin e Amazonës në Kolumbi, tha se video “është një montazh.” Ai shpjegoi se “anakondat, për shkak të peshës së tyre, nuk mund të përballojnë notin mbi sipërfaqe. Ato gjithmonë notojnë në thellësi.”