Pretendimi: Kjo video tregon mbytjen e një varke nga hedhja në det e një gruaje të shëndoshë
Verdikti: E pavërtetë, Gjeneruar me AI
————————————————————-
Një video që duket se tregon një grua të shëndoshë duke u hedhur nga një varkë duke e përmbytur atë si pasojë, po qarkullon në rrjete sociale.
Megjithatë, një shqyrtim i kujdesshëm i videos zbulon detaje që nuk përputhen me realitetin dhe tregojnë se kjo video është gjeneruar me anë të programeve të inteligjencës artificiale (AI).
Për shembull, burrat e ulur me shpinë nga gruaja ndërsa ajo hidhet në ujë, kthejnë kokat gati 180 gradë për ta parë. Megjithatë trupat e tyre nuk kthehen. Kjo është veçanërisht e dallueshme për burrin në të majtë, i cili duket se po “këput qafën” për të parë prapa.
Më tej, “EVID SHN CO182” emri i varkës, i shkruar në trupin e saj, nuk ka asnjë kuptim.
Kur gruaja hidhet në ujë, ajo shfaqet në video si një formë e sfumuar me ngjyrë të verdhë jo-natyrale.
Një tjetër tregues i çuditshëm është pozicioni i dy personave të ulur në pjesën e pasme të varkës ndërsa ajo anohet. Ata janë ende në një pozicion të drejtë, pavarësisht ndryshimeve fizike që duhet t’i bënin të lëviznin.
Për më tepër, mënyra e përmbytjes së varkës nuk përputhet me ligjet e fizikës. Varka anohet dhe hunda bie nën ujë. E gjithë varka lundron, dhe në momentin që 10% e pjesës së përparme bien nën vijën e ujit, gjysma e pasme ngrihet nga uji. Vetëm graviteti do të mjaftonte për ta nxjerrë hundën e varkës përsëri nga uji.
E vetmja mënyrë që kjo fundosje do të funksiononte në një farë mënyre është nëse e gjithë varka do të ishte ndërtuar nga material jo-lundrues, do të ishte e zbrazët, trupi do të ishte çarë dhe uji do të mbushte menjëherë zonën e zbrazët nga përpara në prapa brenda 1 sekonde.
Nëse përdorim mjetin e detektimit të pamjeve të gjeneruara me AI, Hive Moderation, për të analizuar këtë video rezulton gjithashtu se ajo është gjeneruar me AI.
Për të parandaluar që përmbajtje të tilla të keqinterpretohen, është e rëndësishme që çdo video, foto ose material tjetër i gjeneruar ose i manipuluar me inteligjencë artificiale të shënohet si i tillë. Kjo do të ndihmojë në informimin e audiencës dhe në mbrojtjen e tyre nga dezinformimi. Facebook i detyron përdoruesit të etiketojnë imazhet dhe videot e gjeneruara me AI si të tilla.