Pretendimi: Kjo video tregon një mace duke shpëtuar një fëmijë të vogël nga rënia nga ballkoni.
Verdikti: E pavërtetë, Gjeneruar me AI
———————————————————————-
Një video që ka marrë gati 800 pëlqime në Facebook pretendohet se tregon një mace që shpëton një fëmijë të vogël nga rënia nga ballkoni.

Me anë të motorrit të kërkimit Google Lens, Faktoje gjeti se video e mësipërme ka pak ditë që qarkullon në rrjet.
Në një version të hershëm të saj, botuar në Facebook më 13 tetor 2025, video është etiketuar si e gjeneruar me anë të programeve kompjuterike të inteligjencës artificiale, specifikisht Sora, një model që gjeneron videoklipe të shkurtra bazuar në udhëzimet me tekst të përdoruesit dhe gjithashtu mund të zgjasë video ekzistuese.

Në fakt, origjina e gjeneruar e videos është e dukshme në detajet jorealiste.
Fëmija i vogël duket se ka një forcë dhe ekuilibër të pabesueshëm për t’u mbajtur me një dorë në hekurat e ballkonit. Ndërsa macja duket se ka fuqi fluturuese teksa kalon hekurat e ballkonit.
Megjithëse kjo video është e rreme, ka patur raste të vërteta kur një mace ka shpëtuar fëmijë nga rreziku. Në 2014, një mace në Kaliforni shpëtoi fëmijën e familjes nga sulmi i një qeni. Një video e botuar 10 vite më parë tregon një mace duke ndaluar një fëmijë të prekë sobën e nxehtë. Në një tjetër video autentike, një mace duket se ndalon një fëmijë të vogël që të kacavirret nga ballkoni.