Pretendimi: Kjo foto tregon gruan e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, Sara Netanyahu.
Verdikti: E pavërtetë, Gjeneruar me AI
—————————————————————-
Një imazh që po qarkullon në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, pretendohet se tregon Sara Netanyahum, gruan e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, me peshqir në ballkon duke mbajtur një gotë me çfarë duket si birrë.

Me anë të motorrit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se imazhi i mësipërm qarkullon në rrjet që nga Janari i këtij viti, krahas pretendimeve se Benjamin Netanyahu ishte kthyer në Izrael pas festës së Vitit të Ri të organizuar nga presidenti amerikan në resortin e tij në Mar-a-Lago por e shoqja kishte ndenjur pas në Miami, ShBA.

Megjithatë, siç vërehet në imazhin e mësipërm, në këtë version thuajse identik të imazhit, ndryshon vetëm veshja e gruas, e cila nuk është më e veshur me peshqir, por me pizhama.
Ky është tregues se imazhi që po qarkullon në rrjetet shqipfolëse është gjeneruar me anë të programeve kompjuterike me inteligjencë artificiale (AI).
Duke përdorur Grok, programin AI të X/Twitter, Faktoje gjeneroi imazhin me peshqir duke futur imazhin me pizhama dhe duke i kërkuar programit ta “veshë atë me peshqir banje,” siç vërehet në videon e mëposhtme.
Ndërkaq, edhe vetë imazhi me pizhama rozë është gjeneruar me AI, duke përdorur si bazë një foto të vërtetë që tregon të birin e Netanyahu, Yair, në të njejtin ballkon.

Foto e gjeneruar e Sara Netanyahu (majtas) dhe foto reale e Yair Netanyahu, shkrepur në Miami, ShBA në Shkurt 2024 (djathtas)
Krahasim i fotos së gjeneruar dhe asaj reale
Foto e Yair Netanyahu, djali i Benjanim dhe Sara Netanyahu, në ballkonin e një apartamenti luksoz në Florida, ShBA, u botua në shkurt 2024 nga tabloidi britanik Daily Mail.
Krahas fotos së mësipërme, tabloidi në atë kohë botoi dhe foto nga kënde të ndryshme të Yair Netanyahu në të njejtën situatë.

Nëse imazhi i Sara Netanyahu në ballkon do të ishte i vërtetë, foto nga kënde të ndryshme, si ato të Yair, do të ishin gjithashtu të disponueshme në rrjet.






