Pretendimi: Në këtë video ish-presidenti amerikan Bill Clinton pranon se ka frikë nga reagimi i bashkëshortes së tij pasi të zbulohet përfshirja në skandalin Epstein
Verdikti: E pavërtetë, Gjeneruar me AI
Barbara Halla
Një video e shpërndarë së fundmi në Facebook pretendon se ish-presidenti amerikan Bill Clinton po bën shaka përsa i përket lidhjes së tij me financierin e ndjerë Jeffrey Epstein. Në video, Clinton tregohet duke folur me një gazetare, e cila e pyet nëse ka frikë se do të përfundojë në burg, por Clinton i përgjigjet me shaka: “Kam më shumë frikë nga ajo grua e çmendur që më pret në shtëpi.”
Ashtu si shumëkush do të dyshojë nga sinqeriteti i tepruar, kjo video nuk është autentike. Ajo është një produkt i manipuluar përmes inteligjencës artificiale, i njohur si “deepfake”, dhe nuk përfaqëson deklarata reale të Clinton-it.

Normalisht klipe të tilla do të përfshinin kanalin ku është shfaqur intervista, apo emrin e gazetares, si dhe datën e intervistës. Por këto burime nuk janë përfshirë në videon e publikuar në Facebook. Përkundrazi, i vetmi “burim” është postimi i videos në platform X nga një llogari, e cila shprëndan shpesh teori konspiracioni si dhe informacione të rreme, apo të gjeneruar përmes inteligjencës artificiale (AI) siç është rasti i kësaj videoje.
Raste të tilla janë bërë gjithnjë e më të shpeshta, pasi teknologjia e AI lejon krijimin e videove që duken bindëse, ku fytyra dhe zëri i një personi publik mund të riprodhohen me saktësi të lartë. Në fakt, kjo nuk është hera e parë që Clinton ka qënë viktim i një video të tipit “deep fake” ku pretendohet se ai flet apo citon përfshirjen e tij në aktivitetet e Jeffrey Epstein. Por nuk ekziston asnjë burim i besueshëm mediatik që të konfirmojë se Bill Clinton ka bërë deklarata të tilla publike.
Video lidhet me interesin e madh publik rreth çështjes së Jeffrey Epstein, i cili u akuzua për trafikim seksual dhe abuzim me të mitur. Epstein kishte lidhje me figura të njohura politike dhe ekonomike, përfshirë edhe Clinton-in, i cili ka pranuar se ka udhëtuar disa herë me avionin e Epstein për aktivitete bamirësie. Megjithatë, deri më sot, nuk ka prova që implikojnë drejtpërdrejtë Clintonin në aktivitetet kriminale të Epstein-it, dhe ai vetë ka mohuar çdo përfshirje të paligjshme.






