Pretendimi: Ky imazh tregon ish-presidentin amerikan John F Kennedy dhe klonin e tij

Verdikti: Gjeneruar me AI

———————————————————-

Një imazh bardhë e zi i dy burrrave që duken si ish-presidenti amerikan John F. Kennedy (JFK), i cili u vra më 1963, po qarkullon në rrjete sociale me pretendimin se burrat në të janë ish-presidenti dhe sozia e tij.

Postimi shoqërues përmend këtë si nisjen e Operacionit Q, e lidhur me lëvizjen politike amerikane e ekstremit të djathtë QAnon, që filloi në 2017. Besimi themelor është se një vëllazëri pedofilësh kanibalistë, në lidhje me shtetin e thellë, po operon një rrjet global të trafikimit të seksit të fëmijëve dhe se Donald Trump po udhëheq fshehurazi luftën kundër tyre.

Duke qenë se postimi nuk shoqërohet me ndonjë citim apo referencë se kur dhe ku është botuar foto në fjalë, Faktoje përdori motorin e kërkimit pamor Google Lens për të gjetur origjinën e saj.

Nga ky kërkim rezulton se imazhi i mësipërm është postuar për herë të parë në internet, në komunitetin online në Reddit r/midjourney.

R/midjourney është një faqe në internet përkushtuar programit të inteligjencës artificiale Midjourney dhe imazheve të prodhuar me anë të tij.

Më shkoqur, imazhi i mësipërm nuk është një foto e JFK dhe klonit të tij, por një prodhim i programit të inteligjencës artificiale Midjourney.

“Faktoje” ka verifikuar dhe më parë imazhe të gjeneruar me AI që janë marrë për të vërteta në rrjete sociale.