Pretendimi: Ky imazh tregon Bill Gates, Anthony Fauci dhe Klaus Schwab nën akuzë në nja sallë gjyqi

Verdikti: Gjeneruar me AI

———————————————————–

Një imazh që duket se tregon miliarderin Bill Gates, këshilltarin kryesor mjekësor të presidentit amerikan Biden gjatë viteve të pandemisë, Anthony Fauci dhe drejtuesin ekzekutiv të Forumit Ekonomik Botëror, Klaus Schwab të veshur me kominoshe portokalli, veshja tipike e të burgosurve në ShBA, dhe të prangosur në një sallë gjyqi.

Të tre burrat spikasin ndër figurat më të urryera nga konspiracionistët anti-vaksinë, të cilët i bëjnë me faj për një gamë të këqijash, reale dhe jo, gjatë dhe pas kohës së “plandemisë” Covid-19. 

Imazhi është qartazi i rremë. Asnjë raportim mbi akuzimin, arrestimin apo gjyqin e tre figurave të rëndësishme nuk ekziston.

Me anë të motorit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se një version i imazhit të mësipërm ishte postuar më parë në disa faqe konspiracioniste.

Logo në cepin e djathtë, poshtë, i përket Grok, një program gjenerues i inteligjencës artificiale i zhvilluar nga xAI. Grok përdor Aurora, një model nga-teksti-në-imazh, për të gjeneruar imazhe. Si modelet e tjera nga-teksti-në-imazh, Aurora gjeneron imazhe nga përshkrimet e dhëna nga përdoruesi.

Prania e ‘nënshkrimit’ të tij dëshmon se imazhi i mësipërm është gjeneruar me anë të programit të inteligjencës artificiale (AI).

Facebook i detyron përdoruesit të etiketojnë imazhet dhe videot e gjeneruara me AI si të tilla.