Pretendimi: Ky imazh tregon Papë Françeskun të sëmurë në spital

Verdikti: Gjeneruar me AI

———————————————————

Në rrjete sociale po qarkullon një imazh që duket se tregon Papë Françeskun të shtrirë në një shtrat spitalor me një respirator të vendosur mbi fytyrë.

Imazhi po qarkullon në një kohë kur Papa është shtruar në spitalin Gemelli në Romë për 10 ditë, duke u trajtuar për pneumoni të dyfishtë. Të dielën në mbrëmje, Zyra e Shtypit e Selisë së Shenjtë tha se gjendja e tij mbetet kritike, megjithëse ai nuk ka përjetuar asnjë krizë frymëmarrjeje që nga mëngjesi i së shtunës.

Megjithatë, imazhi i mësipërm, dukshëm, nuk tregon vërtet Papë Françeskun në spital, duke qenë se e tregon atë të veshur me rrobat e tij të zakonshme papale, madje edhe me kësulën e bardhë. Kjo veshje, e bardhë për më tepër, do ishte e papranueshme në kushte spitalore, edhe nëse pacienti do të ishte vetë Papa.

Një tregues i origjinës së imazhit është kryqi i varur në qafën e Papës, i cili nuk i përngjason atij që mban Papa zakonisht. Më tej, ai duket i shtrembëruar sikur të ishte zhubrosur njësoj si rrobat nën të.

Këto mospërputhje janë tregues se imazhi është gjeneruar me anë të programeve të inteligjencës artificiale (AI).

Me anë të motorit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se imazhi duket se është shkëputur nga një video, po e gjeneruar me AI. Video është postuar nga një llogari katolike në Instagram, bashkëngjitur disa videove të tjera, gjithashtu të gjeneruara me AI, të cilat tregojnë Shën Mërinë duke u lutur dhe duke prekur në ballë Papën.