Pretendimi: Kjo foto tregon një agjent të inteligjencës izraelite Mossad që është kapur nga Irani, lidhur fizikisht me një raketë dhe lëshuar drejt Izraelit

Verdikti: E pavërtetë, krijuar me AI

————————————————————————–

Një artikull i portalit qendra.info pretendon se “Irani kap agjentët e Mossad-it, i lidh dhe i hedh drejt Izraelit” duke e shoqëruar këtë pretendim me një imazh të një burri të lidhur me një raketë.

Më 15 qershor, policia iraniane njoftoi se kishte arrestuar dy agjentë “të dyshuar” të Mossad, të cilët dyshohet se qëndronin pas “akteve të sabotimit” në Iran. Për këtë arsye, në rrjete sociale filluan të qarkullonin imazhe të njërit prej agjentëve të arrestuar, dyshohet për spiunazh, të kapur nga trupat iraniane dhe, si rezultat, të lidhur me një raketë me rreze të gjatë veprimi që mbante flamurin iranian, për t’u “deportuar në Izrael”.

Me anë të motorrit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se imazhi është marrë nga një postim në X i publikuar nga llogaria libaneze SilencedSirs.

Imazhi qartësisht është krijuar me programe të inteligjencës artificiale. 

Si fillim, flamuri iranian në raketë është i pasaktë. E njëjta gjë vlen edhe për rrotën e raketës.  Ndërkaq tekstura e litarëve është shumë e lëmuar dhe joreale. Litari duket se bashkohet me karrigen ku është ulur ‘agjenti i Mossad’ dhe karrigia duket se ka pesë këmbë.

Horizonti dhe objektet e largëta (p.sh. struktura e vogël) nuk kanë thellësi dhe detaje, me një pamje pak të turbullt ose artificiale, gjë që është tipike për imazhet e krijuara nga inteligjenca artificiale. 

Për ta konfirmuar dyshimet tona, Faktoje përdori platformën e detektimit të përmbajtjeve të gjeneruara me AI, Hive Moderation, për të analizuar këtë manipulim të mundshëm. Pas ngarkimit të imazhit, platforma tha se kishte një shans 99% që ai të ishte gjeneruar artificialisht.