E ekzagjeruar këshilla për shërimin e tiroides me çajin e hithrës

12

Pretendimi: Konsumi i çajit të hithrës shëron problemet e tiroides përgjithmonë

Verdikti: I pavërtetë

Barbara Halla

Një nga këshillat mjekësore të publikuara në portale së fundmi është dhe ajo për shërimin e problemeve të tiroides nëpërmjet pirjes së çajit të hithrës dy herë në ditë. Në fakt, nuk ka asnjë provë apo studim mjekësor që të mbështesi këtë pretendim. Përdorimi i hithrës nuk ka ndikim tek gjëndja e tiroides, dhe nuk mund ta shërojë atë pa kura mjekësore specifike. 

Këto pretendime për vetitë “e jashtëzakonshme shëruese” të hithrës duket se qarkullojnë në mediat e huaja prej disa vitesh para së të mbërrinin në faqet shqiptare. Pavarësisht se flitet për një zbulim të një mjeku të njohur,  artikujt nuk përmendin identitetin e këtij mjeku apo të një studimi mbi këtë temë. 

Është e njohur shkencërisht se bima e hithrës ka përmbajtje të lartë proteinike si dhe vitaminë C, që forcon imunitetin, si dhe flavonoidë & karotenoidë, antioksidantë të fuqishëm. Pavarësisht këtyre vlerave të njohura, çaji i hithrës nuk është kurë për sëmundje specifike dhe nuk duhet të zëvendësojë trajtimin mjekësor, sidomos për probleme hormonale si tiroidja.

Për kolegët verifikues të Kallxo, endokrinologu Amir Rexhepi e hedh poshtë kategorikisht këtë lloj dezinformimi. “Ne këshillojmë që të mos merret asnjë mjekim pa recetë të mjekut,” shpjegon ai. “Vetëmjekimi mund të jetë i rrezikshëm pasi mund të çojë në marrjen e dozave të pasakta, në efekte anësore ose ndërveprime me medikamente të tjera.” Rexhepi thekson se marrja e produkteve për tiroidën pa monitorim mjekësor është veçanërisht e rrezikshme për pacientët me probleme të zemrës.

Një mjeke tjetër, endokrinologia Rreze Serhati Morina sqaron po ashtu se çrregullimet e tiroides kërkojnë trajtim specifik mjekësor. Hipotiroidizmi, ku gjëndra nuk prodhon mjaftueshëm hormone, manifestohet me lodhje, lëkurë të thatë, rënie të flokëve dhe çrregullime menstruale. Hipertiroidizmi, anasjelltas, shkakton djersitje, të rrahura zemre dhe shqetësim të vazhdueshëm. Trajtimi mund të përfshijë barna, përdorim jodi, ose në raste të rënda, ndërhyrje kirurgjikale. Por pirja e çajit të hithrës nuk është mjekim dhe nuk mund të shërojë problemet e tiroides përgjithmonë, ashtu siç premtohet në këshillat online.