Pretendimi: I biri i presidentit amerikan Donald Trump ka hedhur dyshime mbi vdekjen e aktorit Gene Hackman, i cili u gjet i vdekur në rrethana misterioze.
Verdikti: E pavërtetë
————————————————————-
Një numër mediash shqipfolëse raportuan më 5 mars se Barron Trump, i biri i presidentit amerikan Donald Trump, kishte bërë një “postim të pazakontë” me të cilin hidhte dyshime mbi vdekjen e aktorit Gene Hackman, i cili u gjet i vdekur në rrethana misterioze në banesë bashkë me bashkëshorten e tij, pianisten Besty Arakawa.
Artikujt e mësipërm citojnë një postim ku Barron Trump pretendohet të ketë shkruar: “Gene Hackman ishte dëshmitari i parë në rastin Epstein-Vdekja e tij misterioze ndryshoi gjithçka.
Gene Hackman thuhet se ishte caktuar të dëshmonte si dëshmitari i parë në çështjen Epstein. Por vdekja e tij e papritur dhe e dyshimtë ka hedhur gjithçka në kaos, duke vonuar zbulimet vendimtare dhe duke ngritur pyetje serioze. Çfarë ishte gati të ekspozonte? Dhe kush donte që ai të heshtej?”
Njëri prej artikujve përmban dhe një pamje të postimit në fjalë.
Lexuesi i vëmendshëm do të vërë re se ky postim është bërë nga llogaria @news_barron me nofkën Barron Trump News.
Llogaria @news_barron nuk i përket Barron Trump, siç shënohet dhe në vetë përshkrimin e saj.
Shënimi “No Affiliation” tregon se llogaria nuk ka lidhje me Barron Trump
18-vjeçari Barron Trump nuk ka llogari të verifikuar në X.
Faktoje ka përgënjeshtruar dhe më parë postime që i janë atribuuar gabimisht figurave të ndryshme publike dhe Barron Trump, specifikisht.
Nuk ekzistojnë gjithashtu deri më tani prova të besueshme që të lidhin aktorin e ndjerë Hacman me hetimet në çështjen e abuzimeve seksuale të manjatit dhe mikut të politikanëve Jeffrey Epstein. Emri i aktorit ka qarkulluar në rrjet si një prej personazheve VIP në listat e fluturimeve në ishullin privat të Epstein, ashtu si qindra personazhe të tjerë të njohur.