.

.

BallinaFaktometerE PavërtetëDyfishimi i çmimit të patentave nuk është fake news!

Dyfishimi i çmimit të patentave nuk është fake news!

Çmimi i patentës do të dyfishohet dhe ky nuk është lajm i rremë. Një marrëveshje mes Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, asaj të Shërbimeve të Transportit Rrugor si dhe Shoqatave Kombëtare të Autoshkollave i hap rrugën rritjes së çmimeve për të gjitha kategoritë e lejeve të drejtimit, duke përcaktuar çmimet minimale të unifikuara për orët teorike dhe praktike. Me hyrjen në fuqi të kësaj marrëveshjeje, çmimi i patentës së tipit B, leja e drejtimit masive që nevojitet për të drejtuar një mjet, do të kushtojë 85 mijë lekë nga 35 mijë lekë që është aktualisht.

 Esmeralda Topi

Një marrëveshje e firmosur më 14 shkurt të këtij viti nga drejtori i përgjithshëm i Tatimeve, ai i Shërbimeve të Transportit Rrugor dhe dy drejtues të Shoqatës Kombëtare të Autoshkollave, i hap rrugën shtrenjtimit të çmimeve për të gjitha kategoritë e lejeve të drejtimit të automjeteve në vend.

Aktmarrëveshja e firmosur më 14 shkurt

“Bashkëpunimi midis DPSHTRR, DPT, Autoshkollave forcon barrierën kombëtare në luftën ndaj spekulimeve dhe konkurrencës së pandershme, rregullimin e tregut të akivitetit të autoshkollave, duke u investuar institucionalisht për rritjen e parametrave të mësimdhënies, në kuadër të çështjes me rëndësi të madhe publike të përmirësimit të sigurisë në rrugë!”- shkruante ndër të tjera ditën e nënshkrimit të marrëveshjes, Drejtori i Përgjithshëm i Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, Blendi Gonxhja.

Dy ditë më vonë, një kronikë e transmetuar në televizionin kombëtar Klan lajmëroi dyfishimin e çmimit të patentës B, teksa i referohej marrëveshjes në fjalë, përmes një interviste të dhënë nga Blendi Gonxhja.

Lajmi u shpërnda me shpejtësi në të gjitha mediat e shkruara online dhe ngjalli reagime të shumta në rrjete sociale, por Blendi Gonxhja e konsideroi ‘Fake News’ kronikën e TV Klan.

“As rritet e as dyfishohet çmimi i patentës! Eliminohet evazioni fiskal dhe informaliteti në sektorin e Autoshkollave!”- u shpreh Gonxhja.

Po ashtu, rritja e çmimit përgënjeshtrohej edhe në faqen zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, teksa shkruhej:“ Nuk ka as rritje e as dyfishim të çmimit të patentës.”

Çfarë parashikon marrëveshja?

Faktoje ka siguruar një kopje të marrëveshjes që pritet të botohet në Fletoren Zyrtare. Në këtë dokument, palët bien dakord që të rriten çmimet për të gjitha kategoritë e lejeve të drejtimit duke e hedhur poshtë pretendimin e zotit Gonxhe se lajmi për dyfishimin e çmimit të patentave ishte i rremë.

“Palët janë dakortësuar se tarifat e pagesës së përgatitjes për marrjen e njohurive teorike dhe njohurive praktike për drejtues mjeti (Kosto minimali fiskale K.M.F duke përfshirë dhe TVSH) … ose për rimarrjen e lejedrejtimit pas humbjes totale të pikëve ose për heqje të saj si dhe për dëshmi dhe certifikata të aftësimit profesional (K.M.F) do të jetë e njëjtë për të gjithë subjektet që zhvillojnë aktivitetin autoshkollë në Republikën e Shqipërisë.” – saktësohet në marrëveshje.

Më konkretisht, kostoja për patentat e klasit B, do të arrijë në 85 mijë lekë nga 35 mijë lekë që është aktualisht.

30 mijë lekë – Për marrjen e njohurive teorike

55 mijë lekë – Për marrjen e njohurive praktike

85 mijë lekë- Totali për marrjen e patentës të tipit B

Kategoria e lejes së drejtimit B është patenta masive që nevojitet për të drejtuar një automjet. Aktualisht, kostoja për marrjen e kësaj patente varion nga 35 mijë lekë deri në 40 mijë lekë, ndërkohë që me hyrjen në fuqi të marrëveshjes vlera do të dyfishohet.

“Kostot janë nxjerrë nga gjithë ekspertët e fushës me të gjitha elementët për të realizuar një program mësimor i cili është sipas direktivës së Bashkimit Evropian. Leja merret njëherë në jetë dhe ka të bëjë drejtëpërdrejtë me jetën e qytetarit, nuk është e detyrueshme pasi nuk është shkollë 9-vjeçare. Prioritet është rritja e standardeve të sigurisë. Ishte e nevojshme sepse shumë autoshkolla janë në evazion fiskal dhe cënojnë përgatitjen e kandidatëve për drejtues mjeti, pasi sekserët e kishin mbytur tregun. Marrëveshja do të hyjë në fuqi menjëherë pas publikimit në fletoren zyrtare. Nuk ka kthim mbrapa.” – argumenton për Faktoje, Tonin Gjinaj nga Shoqata Kombëtare e Autoshkollave.

‘Dyndje’ regjistrimesh për patentë

 Nga një vëzhgim që kemi bërë në autoshkolla të ndryshme, drejtuesit na pohojnë se gjatë kësaj jave ka patur interes më të lartë se zakonisht për t‘u regjistruar në kurs. Edhe numri i regjistrimeve është rritur.

“Këto ditë janë bërë 4-5 regjistrime më shumë se sa normalja. Ka patur shumë interes, por nuk e di se si do të vijojë më tej kur çmimet të rriten. Ne s’e kemi as të sigurtë a do jetë apo jo. Ne nuk kemi një shkresë zyrtare ku të na lajmërohet rritja e tarifave. Si rregull duhet të na vijë diçka me shkrim që të na thotë përshembull që nga kjo datë do të ndryshohet çmimi. Por deri tani nuk ka asnjë gjë.” – pohon për Faktoje Mario Brozi, pronar i një autoshkolle pranë Qytetit Studenti.

“Shumë interes ka patur dhe do të ketë. Për pagesën që do të bëjë do të marrë mbrapsht gjithë shërbimin. Deri më sot nuk e ka marrë atë shërbim për shkak të mashtruesve të shumtë që kanë qënë në treg.”- vijon më tej, Tonin Gjinaj nga Shoqata Kombëtare e Autoshkollave

Referuar datës kur është firmosur marrëveshja, çmimet e reja pritet të hyjnë në fuqi brenda muajit prill të këtij viti. Deri atëherë, qytetarët që s’kanë një leje drejtimi mund ta përfitojnë me çmimet aktuale.

Të dhënat zyrtare të Drejtorisë së Shërbimeve të Transportit Rrugor tregojnë se deri në fund të vitit 2022, në Shqipëri janë dhënë mbi 1 milion leje drejtimi.

Qyteti me numrin më të lartë të patentave rezulton Tirana që numëron 308,256 mijë, ndjekur nga Durrësi me 92,305 mijë dhe Elbasani me 66,657 mijë patenta aktive. Nga ana tjetër, Kolonja, Delvina dhe Skrapari rezultojnë tre qytetet me numrin më të ulët të patentave aktive.

Autoriteti i Konkurrencës kërkon ‘llogari” por nuk hap hetim

 Autoriteti i Konkurrencës njofton se ka nisur procedurat për vlerësimin e kësaj marrëveshje në bazë të ligjit nr. 9121/2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës”.

Ligji nr. 9121/2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës” ndalon të gjitha marrëveshjet të cilat kanë si objekt ose si pasojë pengimin, kufizimin ose shtrembërimin e konkurrencës në treg, veçanërisht marrëveshjet që caktojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, çmimet e blerjes ose të shitjes, apo çdo kusht tjetër tregtimi.

 “Autoriteti i Konkurrencës, në zbatim të neneve 69 dhe 70 të ligjit nr. 9121 datë 28.07.2003 “Për Mbrojtjen e Konkurrencës”, vlerëson shkallën e kufizimit ose të pengimit të konkurrencës që rrjedh nga projekt aktet që kanë të bëjnë me: kufizimet sasiore për hyrjen në treg dhe tregtimin; vendosjen e të drejtave ekskluzive ose të të drejtave të veçanta, në zona të caktuara, për ndërmarrje ose për produkte të caktuara; imponimin e praktikave të njëjta në çmime dhe kushtet e shitjes.”njofton Autoriteti i Konkurrencës më 22 shkurt.

Ky institucion ka kërkuar informacion nga Drejtoria e Përgjithshme të Tatimeve dhe Drejtoria e Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, me qëllim vlerësimin e kufizimeve të mundshme të konkurrencës në tregun përkatës.

 

 

 

 

Esmeralda Topi
Esmeralda Topi
Redaktore Esmeralda Topi është gazetare pranë qendrës Faktoje prej vitit 2022. Ajo ka punuar si gazetare ekonomie që nga viti 2010, në televizion, shtypin e shkruar dhe atë online. Esmeralda ka përfunduar studimet në Universitetin e Tiranës për “Gazetari”. Në të njëjtin fakultet ajo ka kryer edhe studimet në nivelin “Master Shkencor” për “Marrëdhënie me Publikun”.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img