Ilda Hoxha & Ina Allkanjari
“103 pallate të dëmtuar në shkallën DS4, do të riforcohen brenda 6 muajsh”. Ky ishte premtimi i kryebashkiakes së Durrësit Emiriana Sako, në prill të vitit 2021. Faktoje verfikoi se edhe pas 6 muajsh në qytetin bregdetar shumë pallate DS4 vijojnë të jenë ende të dëmtuar rëndë që prej tërmetit, ndërsa banorët e tyre presin që pallatet e tyre të riforcohen.
………………………………………………
“Kontrata për këto objekte është 6 muaj. Parashikojmë që punimet të përfundojnë në një afat më të shkurtër. Kemi rreth 103 pallate në Durrës për të cilat do të realizohet ky proces”, deklaroi kryebashkiakja e Durrësit, Emiriana Sako në prill të këtij viti.
Në lidhje me këtë çështje, ne i dërguam një kërkesë për informacion Bashkisë Durrës më 17 gusht. Në përgjigjen e marrë, Bashkia sqaron ndër të tjera se në total janë 152 pallate DS4, por për disa prej tyre vazhdojnë procedurat për përzgjedhjen e studios projektuese për hartimin e projekteve të përforcimit.
“Momentalisht janë 103 pallate DS4 për të cilat Bashkia Durrës pas një procedure prokurimi ka përzgjedhur studion projektuese për hartimin e projekteve të përforcimit. 6 pallate të tjera DS4 e kanë hartuar vetë ish-ndërtuesit projektin e përforcimit
Për 43 pallate të tjera DS4 kemi kërkuar fond pranë Ministrisë përkatëse për të vijuar procedurat e prokurimit publik të përzgjedhjes së studios projektuese për hartimin e projekteve të përforcimit. Pra janë 152 pallate DS4, por ky proces është në vazhdim pasi nuk ka përfunduar hartimi i ekspertizave të thelluara”, njofton zyrtarisht Bashkia Durrës.
Përgjigjia e Bashkisë Durrës për Faktoje
Mirëpo, duke qenë se në përgjigjen e parë të Bashkisë nuk jepeshin detaje në lidhje me pallatet e përfunduara dhe ato ende në proces, Faktoje iu drejtua sërish me një kërkesë për informacion këtij institucioni më datë 1 dhjetor, ku ndër të tjera e pyetëm edhe në lidhje me numrin e pallateve që kanë mbetur pa u riparuar.
Kërkesa për informacion dërguar Bashkisë Durrës
Në përgjigjen e dhënë, Bashkia Durrës sqaron ndër të tjera se janë 71 pallate DS4, për të cilat kanë kërkuar financim, por që nuk është miratuar akoma fondi.
“Këto pallate ndodhen, një pallat DS4 në Katund i Ri, një pallat DS4 në njësinë administrative Manëz, të tjerat janë të shpërndara në qytetin e Durrësit”, njofton Bashkia, duke mos dhënë informacion mbi vendndodhjen e pallateve të tjera, çka e bën të vështirë gjurmimin dhe verifikimin e tyre. Mirëpo, vetë ky institucion pranon zyrtarisht se për 71 pallate DS4, nuk është bërë akoma financimi, edhe pse kryebashkiakja premtoi në muajin prill se për 6 muaj do të ishin gati.
Përgjigjia e Bashkisë Durrës, dhjetor 2021
Faktoje ishte për verifikim në qytetin bregdetar më 23 nëntor, ku konstatuam se kishte ende pallate të dëmtuar rëndë nga tërmeti, në të cilët nuk ishte ndërhyrë për t’u riforcuar.
Në rrugën “Aleksandër Goga” ne konstatuam dy pallate ngjitur me njërin-tjetrin, të cilët ishin të dëmtuar rëndë nga tërmeti.
Pallat i dëmtuar nga tërmeti në rrugën “Aleksandër Goga” në Durrës, 23 nëntor 2021
Banorë të kësaj rruge shprehen për Faktoje, që shkalla e dëmtimit të tyre është DS4 dhe prej dy vitesh nuk është ndërhyrë nga institucionet përgjegjëse për rifrocimin, apo shembjen e tyre.
“Për atë pallatin aty thonë që për një javë ose një javë e gjysmë do vijnë të ndërhyjnë. Me të dëgjuar i kemi, se nuk na ka informuar njeri taman se çfarë do bëhet. Me këtë ritëm për 20 vjet nuk bëhet gjë. Kur të vdes unë, ndoshta deri atëherë ka bërë ndonjë punë”, -tha i shqetësuar një i moshuar, i cili kishte banesën private pranë këtyre pallateve të dëmtuar nga tërmeti.
Një tjetër banore e zonës, e pyetur nga Faktoje tha se janë harruar nga shteti, duke ngritur supet si për të treguar se e kanë humbur shpresën dhe besimin te institucionet.
“Asgjë nuk është bërë, fjalë kot, lart e poshtë. Pallatet kështu kanë dy vite, nuk ka ndërhyrë njeri. Do bëjmë thonë, por s’po shohim gjë deri tani”, u shpreh një tjetër banore që jeton në rrugën “Aleksandër Goga”.
Pallate të dëmtuar në rrugën “Aleksandër Goga” në Durrës, 23 nëntor 2021
Pallate të dëmtuar dhe të pabanueshëm, Faktoje konstatoi dhe në rrugën “Venecia”, në zonën e plazhit. Qytetarët që jetojnë në këtë zonë, pranojnë që pas tërmetit banorët e këtyre dy pallateve janë larguar dhe vijnë herë pas herë vetëm për të parë se çfarë po bëhet me pronën e tyre.
“Banorët janë larguar nga pallati që pas tërmetit. Ata kanë ardhur për të parë nëse do nisin punimet dhe për të marrë informacion se çfarë do bëhet, por nuk kanë marrë asnjë përgjigje deri më tani. Nuk dimë se kur dhe çfarë do bëhet. Pallati nuk ka problem me kolonat, duket i riparueshëm”, sqaroi një banor.
Pallat në rrugën “Venecia”, Durrës, 23 nëntor
Pallat në rrugën “Venecia”, Durrës, 23 nëntor
Një fenomen tjetër që vumë re gjatë verifikimit tonë në Durrës ishte fakti, që banorët vazhdonin të jetonin në pallate të dëmtuara nga tërmeti edhe pse nuk e dinin se çfarë niveli dëmtimi kishte.
“Ka dëmtime pallati, por nuk e di në çfarë niveli është. Unë kam ardhur këtu para dy muajsh, jam me qira”, tregon një banore rreth 40 vjeçe, që jeton në zonën e Plazhit.
Pallat i banuar në zonën e Plazhit, 23 nëntor
Një banore tjetër e këtij pallati tregon se ata e kanë rikonstruktuar vetë apartamentin e tyre, pasi u janë bërë shumë premtime dhe në fund askush nuk i ka dhënë zgjidhje problemit të tyre.
Pallat i banuar në zonën e Plazhit, 23 nëntor
“Kanë ardhur 100 vetë që e kanë parë dhe stër-parë pallatin dhe dëmet që janë dhe nuk kanë bërë asgjë. Ne e kemi bërë vetë. Nuk e dimë çfarë niveli dëmi ka”, sqaroi për Faktoje një banore rreth të 70-ve.
Nisur nga deklarata e kryebashkiakes Sako, përgjigja zyrtare e Bashksië Durrës dhe verifikimi që Faktoje bëri në terren, këtë premtim do ta kategorizojmë “TË PAMBAJTUR”.
*“Faktoje”, e mbështetur nga National Endoëment Democracy (NED) po monitoron 15 bashki në vend dhe po verifikon nëse janë mbajtur ose jo, premtimet e dhëna nga kryebashkiakët.