ANILA PRIFTI
Në Durrës shumë biznese që ndërprenë aktivitetin për shkak të masave kufizuese të qeverisë, nga pandemia e Covid-19, nuk i ngritën më qepenët, edhe pas rihapjes së aktiviteteve. Zyra e Punës në Durrës flet për rreth 6000 të papunë të rinj pas mbylljes nga pandemia, por Dhoma e Tregtisë në këtë qytet raporton një shifër mbi 4 herë më të lartë. Pa një plan të posaçëm rimëkëmbjeje për biznesin, sidomos atë me profil turizmin, vështirë të ketë rikthim në normalitet, sipas opinionit të sipërmarrësve.
Më 14 prill ministrja e Financave Anila Denaj gjatë një interviste në televizionin “Report TV” deklaroi: “Ne sot flasim për një numër të papunësh, të marrë nga regjistrat e administratës tatimore, që shkon në 50 mijë të papunë, i cili mund të rritet në vijim, e mund të shkojë edhe një numër më i lartë”.
Si ka ndikuar tek niveli i papunësisë, në zonën e Durrësit pandemia e Covid-19, e cila u parapri nga tërmeti shkatërrimtar i 26 nëntorit?
Biznesi ku punonte Eda Domi në Durrës mbylli aktivitetin me daljen e Aktit Normativ të qeverisë që urdhëronte këtë masë, pas shfaqjes se koronavirusit. 30-vjeçarja, nënë e një vajze, mbeti e papunë gjatë atyre muajve dhe vetëm me një pagë lufte.
Me rihapjen e dyqanit të fotografive ku punonte, Eda priste të rikthehej në punë, por pronari bëri shkurtime. Ajo iu drejtua Zyrës së Punës dhe nga muaji prill gruaja i përket kontigjentit të mijëra të papunëve sot në Durrës.
“Isha shitëse në këtë biznes prej shumë vitesh. Shpresoj të gjej një vend pune, por deri tani nuk kam mundur. Përvec Zyrës së Punës po kërkoj edhe vetë. Eshtë shumë e vështirë, si unë në Durrës shumë njerëz kanë humbur punën nga Covidi. Kam frikë se do të vazhdojë gjatë kështu”- thotë 30-vjeçarja Domi.
Eda Domi
Rritet numri i punëkërkuesve
“Gjatë muajit mars, si pasojë e pandemisë u deklaruan afro 6 mijë persona që humbën vendin e punës, por shumë pak prej tyre i janë drejtuar Zyrës së Punës.”- shprehet drejtori i këtij institucioni në Durrës, Indrit Buka.
Indrit Buka, drejtori i Zyrës së Punës në Durrës
“Nuk kam pse shkoj të regjistrohem, se nuk gjen punë aty”- thotë Ilir Krasniqi, i cili vitin e shkuar punonte kamerier në një nga restorantet në plazh.
“Krahasuar me muajin mars të 2019-s numri i punëkërkuesve të regjistruar në Durrës, ishte disa herë më i vogël, persona të cilët i përkisnin grupmoshave 40 deri në 60 vjeç.”- tregon specialistja e Zyrës së Punës.
Viti 2019 – Mars – 1200 punëkërkues
Viti 2020 – Mars – 6000 të papunësi
*Burimi, zyra e Punës, Durrës
“Të papunët nga Covid nuk janë trajtuar me pagesë papunesie për shkak se kanë përfituar nga paketa e qeverisë. Pagesa e papunësisë do të fillojë në muajin korrik” -sqaron Indrit Buka.
Nga të dhënat e kësaj zyre largimet më të mëdha janë bërë nga bizneset dhe ndërmarrjet e vogla, të produkteve dhe shërbimeve.
“Aktualisht që po flasim punojmë me 20 përqind të kapaciteteve dhe me stafe të reduktuara, 40-50 përqind. Çfarë është më e keqja ne parashikojmë që në muajin shtator do të jetë një valë tjetër e krizës. Mbas mbylljes së sezonit turistik do të shtohet numri i të papunëve në të gjithë sektorët. Sot kemi 25 mijë persona të papunë në Durrës, sidomos nga bizneset e vogla të cilat kanë mbyllur qepenin apo bizneset e mëdha të cilat kanë reduktuar stafin apo janë ridimensionuar në aktivitetin e tyre”-tregon, i pyetur për “Faktoje”, kryetari i Dhomës së Tregtisë në Durrës, Alban Isteri.
Alban Isteri, kryetari i Dhomës së Tregtisë në Durrës
Kur Durrësi ishte në krizë për fuqi punëtore
Një vit më parë Durrësi, kryesisht sektori i turizmit ishte në krizë për fuqi punëtore. Kjo detyroi bizneset të rrisnin pagat mujore dhe të ofronin kushte më të mira për të joshur punëmarrësit. Nga politikat nxitëse për thithjen e krahut të punës, tani zona bregdetare po përjeton fazën e saj më të keqe.
“Nuk gjeja kamarierë për të punuar në lokal për shkak se shkonin pas ofertave më të mira, ose largoheshin jashtë vendit. Sot jam i detyruar që shpesh të shërbej edhe vetë, sepse nuk mund t’i paguaj, nuk ka xhiro.”- tregon pronari i një lokali të vogël në zonën e Currilave.
“Në bazë të parashikimeve tona, tkurrja ekonomike në vend do të jetë me dy shifra dhe këtu po tregohem optimist. Kriza ka krijuar ulje të konsumit, ulje të xhiros”-thotë kreu i Dhomës së Tregtisë në Durrës, Isteri.
Bizneset e mëdha përgjysmojnë personelin
Shkurtim të punonjësve nuk kanë bërë vetëm bizneset e vogla apo ndërmarrjet me fitime të pakta. Në Durrës më shumë se 80 përqind e resorteve, bar – restoranteve më me emër kanë përgjysmuar numrin e punëtorëve.
“Kemi investuar pesë vjet për të trajnuar personelin dhe këtë sezon kemi në punë 50 përqind të atyre që kanë qenë vitin e kaluar.” -thotë, i pyetur për “Faktoje”, Fatos Çerenishti, pronari i një prej resorteve më të mëdha në bregdet.
Fatos Çerenishti, pronari i resort “Fafa”
Çerenishti thotë se nuk i ka ulur pagat për ata që ka mbajtur në punë, por i vjen keq për largimin e gjysmës së personelit, jo vetëm për faktin se ka investuar në trajnimin e tij, por edhe sepse e di që papunësia do t’u vështirësojë mbijetesën atyre dhe familjeve.
Resorti “Fafa” në Durrës
“Sektori kryesor që është prekur më shumë nga pandemia është ai i hoteleri-turizmit, i cili mori një goditje të rëndë financiare, jo aq nga tërmeti sesa nga pandemia e virusit Covid-19” -thotë zëdhënësi i Bashkisë Dorian Agolli.
“Në ditët e javës, në plazh ka shumë pak njerëz. Në 70 shezlonge vetëm 10 prej tyre janë në funksion. Fitimet janë të pakta.”-thonë, të pyetur për “Faktoje”, punonjës të bizneseve në bregdetin e Durrësit.
“Pata pak dëme nga tërmeti, por ata që e kishin me qera restorantin tim prej 15 vjetësh më thanë se do të vazhdonin ta mbanin edhe gjatë sezonit. Me ardhjen e virusit ata u larguan. Tani po punoj vetë bashkë me familjen time”- tregon Arben Gjosha, pronari i një lokali pranë Portit.
Mbyllja e kufijve “shteroi” turistët
Durrësi i cilësuar që para 2070 vjetësh nga romakët si “Taverna e Adriatikut”, deri shtatë muaj më parë ishte destinacioni më i madh turistik në Shqipëri. Në “Platformën Multifunksionale të informacionit”, hartuar nga Bashkia në janar të 2019 bëhet me dije se “gjatë pikut të sezonit turistik numri i turistëve që vizitojnë qytetin është mbi 500 000 vetë”.
Disa sektorë, ai i prodhimit, fasoneria, industria, pas fazës së kufizimeve deri diku po kalojnë në një lloj normaliteti, përsa i përket zhvillimit të aktivitetit; po rehabilitohen gradualisht-sipas raportimit nga Dhoma e Tregtisë. Ndërsa sektori i turizmit dhe ai i transportit po shfaqin problematika të mëdha për shkak të mungesës së turistëve.
“Kishim një shpresë nga vendet e Ballkanit, por kufijtë u mbyllën, përveç Kosovës. Po edhe situata në Kosovë është e tillë që nuk ka prurje të mëdha. Para disa ditësh pati një prurje të çarterave nga Polonia, por janë shumë pak”- thotë kreu i Dhomës së Tregtisë në Durrës Alban Isteri.
“Avantazhi i vetëm është fakti që nuk na kanë braktisur kosovarët. Kemi bërë oferta me 30 përqind ulje për të thithur pushues, por përsëri numri i tyre është i ulët”- tregon sipërmarrësi Fatos Çerenishti.
Njohësit e çështjeve të turizmit thonë se situata do të vijë në përkeqësim, sepse në muajin gusht e më pas parashikohet rënie drastike e numrit të vizitorëve dhe turistëve.
Sipas statistikave të Autoritetit Portual Durrës, që nga janari i vitit 2019 mbi 110 jahte turistike nga vende të ndryshme të botës përfshinë Durrësin si destinacion në guidat e tyre turistike. Me nisjen e sezonit shifrat tejkaluan pritshmërite dhe në port u ankoruan 19 kroçiera dhe veliera me 4,503 turistë, si dhe 430 jahte të madhësive të ndryshme.
Në 2019-n risia e sezonit ishte ardhja në masë e turistëve hungarezë, ukrainas dhe gjermanë, ndryshe nga vera e 2018-s kur të shumtë ishin norvergjezët dhe suedezët, ndërkohë turistët italianë dhe polakë mund të konsiderohen frekuentuesit tradicionalë të Durrësit. Në tri javët e para të qershorit vitin e kaluar, sipas të dhënave zyrtare, hynë 431 293 vizitorë të huaj ose 78 800 më shumë se për të njëjtën periudhë të 2018-s. Kjo dyndje e turistëve ndodhi në një kohë që zhvilloheshin protestat e opozitës dhe raportohej se situata mund të ndikonte në frenimin e tyre.
Plazhi i Durrësit
Mbijetesa e bizneseve, me shpresën e planit të rimëkëmbjes
Në Durrës sot është e vështirë të mos vëresh se shumë biznese janë me qepenë të mbyllur, pas rihapjes së aktiviteteve, por po aq e vështirë është të kuptosh se çfarë rrugëdalje do ketë për bizneset që po përpëliten për të mbijetuar.
“Ky dyqan nuk u hap edhe pasi u hoqën kufizimet. Të zotët i kam parë vetëm një herë.”- tregon pronari i një bar-kafeje, për fqinjin e tij që shiste bojëra.
Një pjesë e mirë e ambjenteve të biznesit u dëmtuan nga tërmeti, por kur mbërriti Covid dhe pas rihapjes tregtarët thonë se nuk kishte blerës dhe shitjet ranë në mënyrë drastike.
Biznes i mbyllur në Durrës
“Pamë që BE u mblodh për të hartuar një plan rimëkëmbjeje prej 750 miliardë eurosh, posaçërisht nga pasojat e Covid. Mendoni një ekonomi të dobët, jo e strukturuar që i vuan shpejt pasojat e këtyre krizave të cilat nuk janë të lehta për t’u kaluar. Ndaj një plan i rimëkëmbjes është i duhur për të gjitha sektorët. Ne do duhet të fokusohemi në dy-tre fusha qoftë në aspektin financiar duke ulur apo pezulluar taksat. Po qoftë edhe duke bërë politika nxitëse sa i përket punësimit, për hapjen e bizneseve të reja, me qëllim thithjen e investitorëve të huaj. Kjo është situatë që do të marrë kohë për rehabilitim, minimalisht dy ose tre vite”- thotë drejtuesi i Dhomës së Tregtisë në Durrës, Isteri.
Në mesin e muajit maj u miratua nga qeveria garancia e dytë sovrane në vlerën e 150 milionë dollarëve. Ndryshe nga ajo e para ku kredia do të shkonte për pagat e punonjësve, kredia e dytë do të përdoret për investime. Kjo garanci e dytë sovrane do të ketë një normë interesi 5%.
“Kjo kredi nuk na ndihmon, pasi ështe më e shtrenjtë se ajo që na afron banka. Ne marrim kredi me 4.4 përqind interes, qeveria e ofron me 5 përqind.”- thotë pronari i resortit “Fafa” në bregdetin e Durrësit.
*Foto e parë është realizuar nga Ermal Aliaj