.

.

BallinaGjurmo ParanëDurrës/Vonesa e bonusit, qytetarët marrin kredi për të paguar qiranë e shtëpisë

Durrës/Vonesa e bonusit, qytetarët marrin kredi për të paguar qiranë e shtëpisë

Ina Allkanjari

20 familjet e pallatit nr. 21 në lagjen “Isuf Molla”, prej thuajse 1 viti e gjysmë presin që pallati i tyre të rindërtohet. Në zonën ku ky pallat është shembur ende nuk ka asnjë shenjë të nisjes së këtij procesi, ndërsa banorët ankohet për mosmarrje të bonusit të qirasë që prej muajit gusht. Qytetarët tregojnë për Faktoje, se janë detyruar të marrin kredi, për të paguar qiranë. Në fillim të nëntorit 20 familjet kanë protestuar përpara bashkisë Durrës duke kërkuar zgjidhje. Faktoje i ka dërguar një kërkesë për informacion këtij institucioni lidhur me këtë problematikë. Në përgjigjen e saj bashkia thekson se për rindërtimin e këtij pallati është caktuar Fondin Shqiptar i Zhvillimit si njësi zbatuese.

—————————————————

Qytetarët e Durrësit, i cili u prek më shumë nga tërmeti i 26 nëntorit, vijojnë të enden dyerve të institucioneve vendore me shpresën e marrjes së një përgjigjeje për rindërtimin e apartamenteve të tyre. Pallati nr. 21 në lagjen “Isuf Molla” në Durrës, është një prej objekteve të shembura pas tërmetit për shkak të dëmeve të larta që pësoi. Ndonëse u premtua rindërtimi i tij, ende në zonën ku ky pallat është shembur nuk ka asnjë shenjë të nisjes së këtij procesi. 20 familjet e pallatit 5 katësh, prej dy vitesh tashmë i mbajnë shpresat te bonusi i qirasë i ofruar nga bashkia Durrës, teksa ende nuk kanë marrë një datë se kur do të nisë procesi i rindërtimit për pallatin e tyre.

Faktoje shkoi në Durrës për të parë nga afër problematikat me të cilat po hasen këto banorë.

Agimi është pensionist dhe është një prej banorë të pallatit nr. 21. Së bashku me bashkëshorten tregojnë për Faktoje se prej kohësh kërkojnë një përgjigje për fatin e apartamentit të tyre.

“Pallati ka rreth 1 vit e gjysmë që është shembur. Ishte e tmerrshme, këtë situatë nuk e kemi provuar ndonjëherë në jetë. Në fillim nuk dinim ku të drejtoheshim, çfarë letrash të bënim, nuk kishim kaluar një eksperiencë të tillë kurrë më përpara. Prej kohësh shkojmë nëpër institucione pasi nuk kemi asnjë informacion se kur do të nis ndërtimi i pallatit”, tregon Agimi për Faktoje.

Lagja “Isuf Molla” në Durrës, rrënojat e pallati nr. 21 datë 5 nëntor 2021

Më tej i moshuar shprehet se prej shembjes së pallatit, së bashku me bashkëshorten e tij, i është dashur të përballet me peripeci të shumta për të gjetur një shtëpi dhe e vetmja shpresë për ta ishte bonusi i qirasë i premtuar nga bashkia.

“Menjëherë pas tërmetit të 26 nëntorit 2019 pallati ku unë kisha apartamentin u shpall i pabanueshëm. Të gjithë banorët dolën nga pallati, si fillim qëndruam te stadium, në çadra. Më pas shkuam në Kosovë, ku një familje na i hapi dyert dhe unë bashkë me gruan time qëndruam rreth një javë. Pas një jave u rikthyem në Shqipëri sepse duhet të plotësonim dokumenta për shtëpinë, të kërkonim strehim dhe të interesoheshim që të përfitonim bonusin e qirasë, pasi ishte e vetmja shpresë që mos të qëndronim në qiell të hapur”, tregon Agimi për Faktoje.

Teksa tregon rreth rëndësisë së bonusit të qirasë, ndërsa presin rindërtimin e pallatit, Agimi shprehet se prej muajit gusht nuk kanë marrë lekët e bonusit ndonëse janë përfitues. Pensionisti tregon se e gjithë kjo situatë e ka detyruar të marrë kredi, pasi është e vetmja zgjidhje që të paguajë qiranë e shtëpisë ku banon.

“Ne jemi të vjetër, jetojmë me pension dhe jemi detyruar të marrim kredi për të paguar qiranë, pasi prej muajit gusht na është ndërprerë bonusi. Kemi shkuar në bashki na kanë thënë që nuk ka kaluar fondit. E vetmja mundësi që ne kemi është të kërkojmë informacion dhe të drejtën tonë”, shprehet pensionisti.

Ndërkohë një tjetër banore e këtij pallati tregon se pas informacioneve të marra në Bashkinë Durrës, ngërçi për rindërtimin e këtij pallati qëndron të mungesa e fondeve.

“Kur bisedova me bashkinë nuk më dhanë një datë se kur do të nis rindërtimit, më thanë që presim fondet nga Ministria Rindërtimit. Ngërçi ka ngel te mungesa e fondeve. Na kanë thënë që pasi të realizohet rindërtimi do të përfitojmë apartamentet në bazë të certifikatës së apartametit që është shembur, aq metra katror sa kemi pasur aq do të përfitojmë.  Me aq sa dimë, pallati ka qenë 5 katësh dhe do të rindërtohet 6 kate. Kur erdhi vendimi për t’u shembur pallati, na dhanë një letër nga bashkia që të firmosnim që ky pallat do shembet se është DS4 dhe do të rindërtohet po këtu. Problemi është që nuk e dimë kur do të rindërtohet, nuk na kanë dhënë asnjë afat”, tregon për Faktoje zonja Lume, banore e pallatit nr. 21 në Durrës.

Bashkia Durrës

Faktoje me datë 9.11.2021 iu drejtua me një kërkesë për informacion Bashkisë Durrës, për të mësuar se kur do të nisë procesi i rindërtimit të këtij pallati, si dhe kur do të zgjidhet problematika e bonusit të qirasë.

Screenshot kërkesa drejtuar Bashkisë Durrës datë 9.11.2021

Në përgjigjen e saj bashkia Durrës shkruan se për rindërtimin e këtij pallati është caktuar Fondin Shqiptar i Zhvillimit si njësi zbatuese.  Përsa i përket Bonusit të qerasë bashkia theskon se për vonesat në likujdimin e bonusit të qerasë nuk është përgjegjës Bashkia Durrës por ardhja e fondeve nga Ministria e Financës dhe Ekonomisë me vonesë.

Përgjigja e Bashkisë Durrës datë 12.11.2021

Sipas Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 51 datë 16.09.2020, Komisioni Shtetëror i Rindërtimit vendosi të miratojë rindërtimin në të njëjtin truall, objektin ekzistues pallat (5 kate) i ndodhur në rrugën “Isuf Molla”, nr. 21, Lagjia nr. 7, Rajoni nr.2 në Durrës.

Screenshot VKM nr. 51 datë 16.09.2020

Protestat në Durrës

Procesi i rindërtimit në Durrës po përballet me kundërshti dhe pakënaqësi nga banorë të shumtë të këtij qyteti. Me qindra qytetarë prej muajsh organizojnë protesta  për problematika të ndryshme, që kanë në fokus procesin e rindërtimit.

Foto nga protesta e qytetarëve në Durrës

Ndër protesta e fundit përpara bashkisë, është ajo e 20 familejve të pallatit nr. 21 në lagjen “Isuf Molla”.

vendimin nr. 85 datë 31.08.2020 Këshilli Bashkiak Durrës vendosi prishjen e detyruar të pallatit 5 katësh në zbatim të ekspertizave të thelluara të hartuara nga Instituti i Ndërtimit Tiranë dhe rindërtimin e tyre në të njëjtin truall.

Në datë 1 nëntor banorët e këtij pallati u mblodhën para Bashkisë Durrës duke apeluar për rindërtimin sa më shpejt të pallatit. Banorët shprehën shqetësimin edhe për mos dhënien e bonusit të qirasë, prej 3 muajsh tashmë. Kujtojmë se kjo është protesta e dytë e zhvilluar nga banorët e pallatit nr. 21 Durrës të cilët kanë mbetur peng i procesit të rindërtimit.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img