Rreth 10 mijë individë me aftësi ndyshe në Durrës përballen me sfidatë përditshme, duke nisur nga pagesta e ulëta e deri tek mungesa e shërbimeve bazike. Sipas shifrave zyrtare në bashkinë Durrës janë thuajse 10 mijë persona me aftësi ndryshe, ku 3290 persona me aftësi të kufizuar, 796 me Statusin e të Verbërit, 420 persona me statusin e Para e Tetraplegjikëve dhe 5329 invalidë pune. Dy muajt e fundit shumë prej tyre kanë dalë në protestë me disa kërkesa, por ankohen se bashkia i ka refuzuar.
Ervina Kotti (Garo)
25 janari i këtij viti i gjeti duke protestuar dhjetra prej këtyre individëve me aftësi ndryshe, të shoqëruar nga kujdestarët e tyre.
E njëjta protestë u përsërit edhe këtë të hënë të 27 shkurtit, dhe shkak u bë refuzimi i përsëritur sipas tyre në dy vitet e fundit për t’u pajisur nga Bashkia e Durrësit me listat e pagesave, që kanë përfituar përgjatë pesë viteve, me qëllim indeksimin e shumave, që kanë marrë.
Sipas, kryetarit të Shoqatës së Para dhe Tetraplegjikëve të Shqipërisë, Sokol Murataj i pranishëm në protestë, është krijuar një situatë problematike për këto kategori në vështirësi të cilat kanë nisur edhe një proces gjyqësor, rreth tre vite më parë.
“Janë 1 mijë persona që i kanë bërë kërkesë bashkisë për të tërhequr listën e pagesave 2005-2010. Mosindeksimi i këtyre pagesave akumuloi këtë borxh që qeveria na ka sot. Bashkia e Durrësit është e vetmja që nuk pranon dialog.”
Listëpagesat e kërkuara i përkasin periudhës 1 gusht 2005 deri në 31 gusht 2010 dhe shërbejnë për të konfirmuar se cilët janë individët me aftësi ndryshe, që duhet të përfitojnë pagesat e prapambetura nga Shërbimi Social.
Deklarata e shoqatës së Para dhe Tetraplegjikëve
Drita Basha, thotë se ka marrë para borxh gjatë kësaj kohe, për të mundësuar trajtimet mjekësore për të birin, që ka probleme të shëndetit mendor.
“Më duhen këto para se i kam marrë borxh! Ku t’i gjej, nuk më ndihmon më njeri, se duhen kura të vazhdueshme. Para pak ditësh u largua nga shtëpia. Dhe lajmëruam policinë ta gjenim. Se nuk mund të rrijë njeri të kujdeset për të. Duhet të punojmë që të lajmë borxhet.”
Nga ana tjetër, këto vonesa i kanë krijuar edhe probleme për plotësimin e dokumentacionit për të përfituar kempin.
“Ku të shkoj, më thoni ju? Ja shkova në Tiranë dhe më thonë nuk i kam të plota letrat!”
Ndihmë për gjendjen e krijuar kërkon edhe një vajzë për nënën e saj të verbër.
“Duhet të qëndroj me nënën se nuk shikon! Po me çfarë të jetojmë? Po kërkojmë vetëm atë që na takon!”
Për Bashkinë e Durrësit, arsyeja pse nuk jepen këto lista është respektimi i të dhënave personale.
Ne iu drejtuam me një kërkesë zyrtare për informacion Bashkisë së Durrës në lidhje me këtë çështje, por autoriteti vendor bën me dije:
“Lidhur me informacionin e kërkuar për personat me aftësi të kufizuar për pikën e parë nuk mund të vihen në dispozicion listë pagesat e personave me aftësi të kufizuar pasi ato janë kofidenciale.”
Screenshot i përgjigjjes zyrtare të bashkisë Durrës
Personat invalidë, sfidë edhe me aksesin e shërbimeve publike
Mungesa e aksesit i ka kushtëzuar aktivitetin e përditshëm para dhe tetraplegjikëve në Durrës. Aktivisti, Flamur Bala thotë se duke filluar nga Bashkia e Durrësit dhe në çdo institucion nuk mund të marrin dot shërbime, pasi nuk ka rampa apo ashensorë, që do t’u mundësonin lëvizjen në ambjentet e brendshme.
“Bashkia e Durrësit na thotë pse nuk merrni pjesë në mbledhje, kur e di shumë mirë, që ne e kemi të pamundur të ngjitemi në katin e dytë apo të tretë të godinës. Eshtë e pamundur, do të duhen minimalisht 4 persona të të ndihmojnë”.
Në përgjigjen për Faktoje, Bashkia Durres sqaron:
“Kemi marrë masat, duke vendosur rampat në trotuaret e ndodhura në qytetin e Durrësit, me qëllim aksesueshmerinë e tyre edhe nga personat PAK.”
Ndërkohë udhëtimet drejt kryeqytetit, për marrjen e trajtimeve mjekësore janë kthyer në stres për invalidët e punës në Durrës. Ata duhet të paguajnë 50% të vlerës së biletës, por ky ligj nuk gjen zbatim. Kryetari i Shoqatës së Invalidëve të Punës Durrës, Abdulla Deliallisi tregon se që nga viti 2019 i ka drejtuar shkresa të gjithë institucioneve përgjegjëse.
Screenshot i një prej kërkesave të Shoqatës së Invalidëve të Punës dërguar në 2019-n
“Asnjë përgjigje!”- deklaron përfaqësuesi i invalidëve të punës në Durrës.
Nga ana tjetër, Bashkia e Durrësit në përgjigjen për Faktoje e adreson “fajin” te organet e kontrollit në rrugë.
“Lidhur me pikën e tretë ku kërkohet informacion, nëse respektohet ligji për invalidët që duhet të udhëtojnë me gjymën e vlerës, kur përdorin transportin publik, ju informojmë se:
Institucioni Bashkia Durrës licencon dhe çertifikon subjektet e transportit, që operojnë në linjat qytetase dhe rrethqytetase të transportit rrugor të udhëtarëve (transporti publik), ku një ndër kushtet e vendosura në licencën e dhënë nga ana jonë është respektimi nga ana e operatorit i legjislacionit në fuqi për personat me aftësi të kufizuar.
“Konstatimi mbi zbatimin e legjislacionit ne fuqi apo jo, për personat me aftësi të kufizuar, kryhet nga organet e kontrollit në rrugë. Në rast se nga këto organe konstatohet moszbatimi i legjislacionit në fuqi në mënyrë të përsëritur për personat me aftësi të kufizuar, atëherë autoriteti licencues merr masa kundrejt operatorit, konform ligjit në fushën e transportit rrugor.”
Screenshot nga përgjigjja e bashkisë Durrës
Por nga përgjigjet e marra në rrugë zyrytare nuk raportohet për masa ndaj shkelësve.
Problematikat për këto kategori janë të shumta, ndërsa çdo herë, kërkojnë mbështetjen e institucioneve, në mënyrë të veçantë të Bashkisë së Durrësit, që ka mekanizmat e duhura për zgjidhjen e tyre.