Pretendimi: Dua Lipa ka shkarkuar menaxherin e saj për qëndrimet e tij ndaj luftës në Gaza

Verdikti: Mungon konteksti

——————————————————-

Një numër mediash shqipfolëse kanë raportuar së fundmi se këngëtarja Dua Lipa ka shkarkuar menaxherin e saj sepse ky i fundit “mbështet luftën e Izraelit në Gaza.”

Titujt mund të habisin fansat e Dua Lipës, që e dinë se menaxheri i këngëtares është i ati, Dukagjin Lipa.

Në të vërtetë, Lipa nuk ka shkarkuar baba-menaxherin e saj, por një nga agjentët e agjencisë së talentit William Morris Endeavour (WME), David Levy.

Puna e agjentëve lidhet kryesisht me përfaqësimin e talenteve në kërkimin dhe sigurimin e punësimit. Ata i ndihmojnë klientët e tyre të paguhen dhe i ndihmojnë ata të krijojnë lidhje. 

Nga ana tjetër, menaxherët përqendrohen në formësimin dhe ruajtjen e imazhit të përgjithshëm dhe përparimit të karrierës së një artisti. Menaxherët shpesh menaxhojnë aktivitetet e përditshme të biznesit, ndihmojnë me marketingun, mediat sociale dhe materialet promovuese, dhe bëjnë referime te agjentët, menaxherët e biznesit dhe publicistët. Ata gjithashtu ndihmojnë në zhvillimin e talenteve, që përfshin gjetjen e kurseve, trajnerëve dhe burimeve të tjera për të ndihmuar klientët e tyre të përmirësohen.

Duhet theksuar se ky pretendim duket se e ka origjinën në një artikull të tabloidit britanik The Daily Mail, që citon “burime” anonime.

Sipas Daily Mail, Levy ishte nënshkrues i një letre “private dhe konfidenciale” që iu dërgua themeluesit të Festivalit të Glastonbury duke i kërkuar atij të hiqte nga festivali grupin pro-palestinez të repit Kneecap për shkak të lidhjeve të dyshuara politike me Hamas. Letra, pasi u zbulua, e shtyu Dua Lipën t’i jepte fund marrëdhënies së saj profesionale me Levyn, pretendon artikulli.

Dua Lipa mbetet me agjencinë e talenteve WME dhe ende nuk ka bërë asnjë deklaratë publike për ndarjen me agjentin.