.

.

BallinaDebunkingDronët rusë në Poloni raportohen me tituj të ekzagjeruar

Dronët rusë në Poloni raportohen me tituj të ekzagjeruar

Jona Cenameri- Nata e 9-10 shtatorit 2025 shënoi një moment të rëndësishëm kur forcat polake dhe të NATO-s rrëzuan për herë të parë dronë rusë që kishin shkelur hapësirën ajrore polake.

Sipas burimeve të mediave ndërkombëtare CNN dhe ABC News, 19 dronë rusë hynë në hapësirën ajrore të Polonisë nga mesnata e ditës së martë deri në zbardhjen e së mërkurës. Katër prej tyre u rrëzuan nga forcat aleate. Polonia aktivizoi Nenin 4 të Traktatit Atlantik për konsultime emergjente brenda aleancës.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte konfirmoi se Rusia shkeli hapësirën ajrore polake dhe se mbrojtja ajrore e aleancës u aktivizua dhe siguroi me sukses mbrojtjen e territorit të NATO-s. Ndërhyrja u krye përmes avionëve polakë, holandezë dhe italianë.

Kryeministri polak Donald Tusk e quajti incidentin “një provokim të madh” dhe tha se kjo ishte hera e parë kur “dronët rusë janë rrëzuar mbi një vend të NATO-s”, duke shtuar se kjo “ndryshon situatën politike”.

Përfaqësuesja e lartë e BE-së për punët e jashtme, Kaja Kallas e përshkroi incidentin si “shkeljen më serioze të hapësirës ajrore evropiane nga Rusia që nga fillimi i luftës” dhe shtoi se, “indikatorët sugjerojnë se ishte e qëllimshme, jo aksidentale”

Kjo ngjarje tregoi edhe njëherë se lajmet me rëndësi gjeopolitike, që potencialisht zgjojnë reagim të fortë tek lexuesit, shpesh raportohen përmes titujve bombastikë nga mediat në Shqipëri, duke hiperbolizuar realitetin. 

Nga ekzagjerime të numrit të dronëve të rrëzuar, tek krijimi i një atmosfere paniku duke shpallur apo shprehur pritshmëri për nisjen e luftës, madje edhe asaj bërthamore.

Edhe këtë herë një pjesë e mediave patën qëllim primar mbledhjen e klikimeve më shumë sesa informimin e qartë dhe të plotë të lexuesve.

Kush e fiton luftën? – shkruan një titull që vijon duke njoftuar “frikë nga armët bërthamore”.

Një tjetër titull njofton se “ndizet lufta” edhe pse në fakt vetë intervista në fjalë në asnjë moment nuk e bën këtë shpallje.

Rusia sulmon Poloninë” ishte një tjetër titull i ekzagjëruar dhe i paprovuar ende. 

Edhe pse ekziston dyshimi se ky incident nuk ishte i rastësishëm, sipas ekspertëve ky mund të ketë qenë një provokim i Rusisë, por jo sulm me qëllim nisjen e luftës. 

Në të kaluarën ka pasur 1 apo 2 dronë që kanë rënë në Poloni dhe Rumani dhe ndodh që për shkak të luftës elektronike ato të ndryshojnë rrugën. Por këtë radhë ishin 19 dronë dhe me shumë mundësi ka qenë e qëllimshme, që Rusia të shohë se si reagon Polonia dhe NATO në një rast të tillë. Si funksionojnë sistemet ajrore, sa janë në gjendje të rrëzojnë dronët”, shpjegon për Faktoje Ledion Krisafi, studiues i marrëdhënieve ndërkombëtare. 

Si funksionojnë mekanizmat e NATO-s

Një element kyç i kësaj situate është shpjegimi i kornizës juridike të reagimit të NATO. Dallimi kritik midis Nenit 4 dhe Nenit 5 të Traktatit Atlantik.

Neni 4 parashikon konsultime diplomatike kur integriteti territorial i një anëtari perceptohet si i kërcënuar. Ky nen thotë se “palët do të konsultohen së bashku kurdoherë që, sipas mendimit të cilësdo prej tyre, integriteti territorial, pavarësia politike ose siguria e cilësdo prej palëve është kërcënuar

Neni 5 në anën tjetër aktivizon mbrojtjen kolektive në rast sulmi aktual ndaj një anëtari.

Konsultimet përmes Nenit 4 nuk nënkuptojnë përgatitje për veprime ushtarake të mëdha, por përfaqësojnë një mekanizëm diplomatik për koordinim dhe vlerësim të situatës. Shpjegimi i këtij konteksti juridik është tepër i rëndësishëm për të kuptuar shkallën e reagimit të deritanishëm dhe për të mos përhapur panik të panevojshëm.

Në këndvështrimin e Krisafit “kjo situatë nuk do ta çojë në luftë aktive NATO-n, por nëse përsëritet, nëse herën tjetër do jenë raketa balistike ose cruise, me siguri do testoj sa e gatshme është NATO të zbatojë nenin 5

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img