Pretendimi: Ky klip i drejtorit të NSA provon se “ata” përdorin armë me frekuenca të pagjurmueshme që ndihen si atak në zemër apo kancer.

Verdikti: E pavërtetë

—————————————————–

Një klip i shkurtër i ish-drejtorit të Agjencisë Kombëtare amerikane të Sigurisë (NSA) po interpretohet në rrjetet konspiracioniste si provë se “ata përdorin armë me frekuencë të pagjurmueshme. Ndjehet si një atak në zemër ose kancer. Ata që preken janë ata që e vënë në rrezik sistemin.”

Klipi i mësipërm është i vërtetë. Ai është shkëputur nga një video më e gjatë e një simpoziumi të mbajtur në prill 2014 në lidhje me programet e mbikëqyrjes në masë të NSA.

Ky diskutim vinte në kontekstin e botimit të një sërë dokumentesh, në 2013, nga Edward Snowden, një ish-kontraktor i NSA-së. Sipas dokumenteve të zbuluara, NSA përgjonte dhe ruante komunikimet e mbi një miliardë njerëzve në mbarë botën, përfshirë qytetarët e Shteteve të Bashkuara. Dokumentet zbuluan gjithashtu se NSA gjurmon qindra miliona lëvizje të njerëzve duke përdorur metadatat e telefonave celularë.

Disa autorë i përkufizojnë metadatat duke i përshkruar ato si “regjistrat e komunikimit“, “të dhënat dhe kohëzgjatja e thirrjeve dhe numrat e telefonit të përfshirë në një telefonatë“, të dhëna që nuk përfshijnë përmbajtjen e thirrjeve. Qeveria dhe komuniteti i inteligjencës amerikane gjithashtu kanë siguruar publikun se metadatat kishin të bënin me numrat e telefonit dhe kohëzgjatjen e thirrjeve, por jo me përmbajtjen e thirrjeve.

Megjithatë, disa artikuj e sfiduan këtë përkufizim. Siç theksoi New Yorker në disa artikuj (këtu, këtu dhe këtu) qeveria mund të nxjerrë një sasi të konsiderueshme informacioni për qytetarët nga studimi i metadatave të tyre të komunikimit. Në të vërtetë, aftësia për të dalë konkluzione të tilla është pikërisht arsyeja pse këto të dhëna mblidhen.

Burri në klip, gjenerali Michael Hayden, ish-drejtor i CIA dhe NSA, dëgjohet të thotë:

“Si fillim, përshkrimi i David mbi çfarë mund të bësh me metadata, për të cituar një mik të vjetër Stuart Baker, është absolutisht i saktë. Ne vrasim njerëz bazuar në metadata. Por nuk e bëjmë këtë me këto metadata.”

Ai nuk përmend ndonjë armë mistike me frekuenca të pagjurmueshme që shfaq simptoma të atakut në zemër apo kancerit.

Ai po i përgjigjej folësit tjetër të simpoziumit, profesorit të drejtësisë David Cole, i cili gjatë debatit i kishte thënë se metadatat – informacioni i mbledhur nga NSA për telefonatat dhe komunikimet e tjera që nuk përfshijnë përmbajtjen – mund t’i tregojnë qeverisë “gjithçka” për këdo që shënjestrohet për mbikëqyrje, duke e bërë shpesh përmbajtjen aktuale të komunikimit të panevojshme.

Me deklaratën e tij, Hayden me sa duket i referohej programit amerikan të dronëve, i cili po përdoret gjithnjë e më shumë për të sulmuar terroristët e dyshuar në mbarë botën. Viktimat ndër të tjera janë gjetur duke përdorur celularët e tyre.

The Intercept raportoi në 2014 mbi rolin e supozuar të NSA në programin amerikan të dronëve, i cili ka qenë përgjegjës për mijëra vdekje në territore të huaja. Raporti, i bazuar në pretendimet e një ish-operatori të dronëve dhe që pretendohet se mbështetet nga dokumentet e botuara nga Snowden, tha se qeveria përdor informacion mbi telefonatat, por jo domosdoshmërisht përmbajtjen e tyre, për të gjurmuar objektivat që do të shënjestrohen me aksione vdekjeprurëse.

Pra, Hayden nuk po i referohet ndonjë arme me frekuenca të pagjurmueshme që të vret me kancer, por programit amerikan të droneve, i cili operon haptazi dhe vret me raketa.