Pretendimi: Në këtë video, ish-drejtori i Mossad pranon se Izraeli armatosi al-Kaedën
Verdikti: E pavërtetë
—————————————————————
Një video që qarkullon në rrjete sociale ku pretendohet se tregohet ish-drejtori i shërbimit sekret izraelit Mossad, Efraim Halevy, duke pranuar se Izraeli ka armatosur al-Kaedën dhe grupe të tjera terroriste në Lindjen e Mesme.
Klipi i mësipërm duket se është shkëputur nga një intervistë e vitit 2016 që Halevy dha për gazetarin e Al Jazeera, Mehdi Hasan.
Megjithatë, nëse dëgjojmë videon 2-minutëshe, Halevy nuk pranon asgjë të tillë. Gjeni më poshtë një zbardhje të videos:
Mehdi Hasan: Ju thoni që nuk keni preferenca. Ka patur raportime se Izraeli ka qenë duke kuruar ushtarë të plagosur rebelë sirianë në spitalet e tij në kufi, përfshi edhe luftëtarë të Frontit al-Nusra, i cili është sigurisht filiali i al-Kaeda në Siri. A ju shqetësojnë këto raportime, se Izraeli po ndihmon ushtarë të plagosur të lidhur me al-Qaeda?
Efraim Halevy: Sic kam thënë më parë në një kontekst ndryshe është gjithmonë e dobishme të sillesh me armiqtë e tu në një mënyrë humane dhe mendoj se kur ke njerëz të plagosur dhe mund të sillesh me ta në mënyrë humane, faktorët për t’u konsideruar nëse do t’i marrësh brenda apo jo nuk janë thjesht nëse do të jetë politikisht e dobishme…
Mehdi Hasan: Pra, është vetëm humanitarizëm po më thoni, nuk ka qëllim politik, taktik apo strategjik?
Efraim Halevy: Nuk thashë se nuk ka taktikë, thashë se konsiderata kryesore është humane.
Mehdi Hasan: Çështjet taktike të përfshira, ju e dini më mirë se unë frazën “efekte të padëshiruara”. A do të ketë efekte të padëshiruara kundër Izraelit, nëse futeni në shtrat me një grup si Fronti al-Nusra.
Efraim Halevy: Nuk mendoj kështu. Nuk mendoj se do të ketë efekte të padëshiruara.
Mehdi Hasan: Pse?
Efraim Halevy: Sepse mendoj që, fatkeqësisht, rregullat e lojës në Siri janë të tilla që ti mund të bësh çfarëdo gjëje që nuk është e mundur të bëhet ndokund tjetër.
Mehdi Hasan: Po, mendoj që njerëzit thanë të njejtën gjë në Afganistan, gjithashtu. A do të kuronit edhe luftëtarë të Hezbollahut?
Efraim Halevy: Jo.
Mehdi Hasan: A nuk ratë në kundërshtim me cfarë më thatë 60 sekonda më parë për t’i trajtuar armiqtë në mënyrë humane?
Efraim Halevy: Jo. Mendoj se sa i përket luftëtarëve të Hezbollahut ne kemi një llogari ndryshe.
Mehdi Hasan: Ju do të kuronit luftëtarë të al-Kaeda, por jo të Hezbollahut?
Efraim Halevy: Ne kemi një marrëdhënie ndryshe me Hezbollah. Një marrëdhënie krejt ndryshe. Sepse Hezbollah ka kryer llojet e veprimeve kundër nesh që na pengojnë të futemi në atë që ka bërë al-Kaeda. Al-Kaeda, me sa më kujtohet, deri tani nuk ka sulmuar Izraelin.
Sic vërrehet, Halevy nuk thotë në asnjë moment se Izraeli ka furnizuar al-Kaeda me armë. Përkundrazi, ai pranon se Izraeli ka kuruar në atë periudhë ushtarë të plagosur sirianë të Frontit al-Nusra. Në atë periudhë, kjo lëvizje njihej si pjesë e opozitës siriane që u rebelua kundër regjimit të Bashar al-Assad.
Në korrik 2016, al-Nusra u riemërua zyrtarisht nga Jabhat al-Nusra në Jabhat Fatah al-Sham (“Fronti për pushtimin e Levantit”) dhe zyrtarisht njoftoi se po prishte lidhjet me Al-Kaedën. Njoftimi shkaktoi dezertime të komandantëve të lartë të Al-Nusra dhe kritika nga radhët e Al-Kaedës, duke provokuar një qortim të ashpër nga Ayman al-Zawahiri, i cili e denoncoi atë si një “akt mosbindjeje”.