Kryeministri Edi Rama dhe kreu i SPAK, Altin Dumani, kanë shkëmbyer në distancë deklarata kontradiktore të mërkurën e 26 shkurtit mbi qasjen e drejtësisë dhe masat e paraburgimit në Shqipëri.
Në mbledhjen e grupit parlamentar të PS-së, ku kishte të ftuar Rektorin e UBT-së, Fatbardh Sallaku, pikërisht për aksionin e fundit të Prokurorisë së Posaçme mbi universitetin që ky i fundit drejton, Rama ka kritikuar SPAK-un dhe gjykatat për mënyrën se si trajtojnë masat e sigurisë, duke pretenduar se paraburgimet po përdoren pa vlerësimin e duhur dhe se kjo mund të çojë më tej në vendime të rrëzuara në Strasburg.
Sipas tij, vendimi i Strasburgut për ish-drejtorin e RTSH, Thoma Gëllçi, është një tregues i qasjes së gabuar të sistemit, ku njerëzit mbahen në burg pa prova të mjaftueshme.
Një ndryshim kursi i kryeministrit Edi Rama ndaj SPAK që është evidentuar qysh pas masës së arrestit me burg ndaj Erion Veliajt.
“Një ‘tregim dhëmbësh’ ndaj një institucioni që mund t’i zhbëjë narrativën ‘ne bëjmë shtet’. E para, askund nuk thuhet se qeveria i bënë analizën institucioneve të drejtësisë. Edhe mazhoranca këtë hap e bën përmes komisioneve. Por, dëgjesa në grup parlamentar dhe qëndrimet në grup parlamentar, ku të kërkuarit nga drejtësia ‘japin llogari’ përpara mazhorancës, është një sfidë që Rama kërkon t’ia bëjë SPAK-ut dhe GJKO, sidomos tashmë përpara zgjedhjeve ku ai beson se hetimet e bashkëpunëtorëve të tij mund të largojnë ata nga puna me zgjedhësit. Mjafton të kujtojmë kur Rama tha pas arrestimit të Veliajt ‘SPAK e kaloi masën’. Por cila është masa ligjore? Veliaj? Vetë Rama? Në cilin ligj është shënuar se po arrite në emrat e tyre atëherë ‘ke kaluar masën’. Megjithatë, fatkeqësisht, në këtë rrugëtim, duket se luksin për kritika ‘të buta’ ja ka shtruar kundërshtari i tij politik që e cilëson SPAK-un ‘organizatë kriminale’ apo ‘skap’. Dëgjesat e fundit, sidomos me rektorin e UBT, apo edhe marrja e rastit të ish kreut të RTSH-së, Thoma Gëllçit, si ‘rast që rëndon xhepat e qytetarëve’, janë vetëm një presion ndaj SPAK”, thotë për Faktoje.al, analisti Agim Baçi.
Në të njëjtën ditë, Kreu i SPAK, Altin Dumani, i ftuar, (vetëm pak metra larg nga ndërtesa e kryesisë së Kuvendit ku Rama po fliste), në tryezën e organizuar nga Qendra për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes, ka mbrojtur punën e SPAK-ut, duke theksuar se institucionet e drejtësisë janë të kujdesshme në vlerësimin e masave të sigurisë dhe se vetëm 9% e të paraburgosurve në vend janë për llogari të SPAK-ut, dhe lidhen me krimin e organizuar.

Ai ka mohuar që prokuroria po abuzon me arrestimet dhe ka nënvizuar se kritikat ndaj SPAK-ut nuk duhet të cenojnë pavarësinë e tij.
Ndërkohë, Rama ka vijuar të mbrojë qëndrimin e tij, duke thënë se dëgjesat e PS-së nuk synojnë të ndikojnë drejtësinë. Megjithatë, fakti që më parë grupi i PS ka dëgjuar edhe deputeten Klotilda Bushka, e cila sipas SPAK është person nën hetim, ka ngritur dyshime mbi qasjen selektive të këtyre dëgjesave dhe mbi rolin e Partisë Socialiste si një aktor që ndërhyn në çështjet gjyqësore.

“Vetë rektori duhet të japë shpjegime se përse duhej ta kërkonte një takim të tillë (sipas kryeministrit ka qenë vetë z. Sallaku që e ka kërkuar). Kjo i hap rrugë disa dëgjesave, që nuk kanë më në qendër të vëmendjes ligjin dhe të drejtën, por opinionin apo krijimin e një opinioni, ku nuk hyjnë më në punë faktet”, Agim Baçi
Agim Baçi thotë se fenomeni i pranisë së rektorit të UBT-së dhe “normaliteti” i grupit parlamentar të PS-së me të tilla dëgjesa thjesht përforcon përfundimin e vëzhguesve të OSBE-ODIHR pas zgjedhjeve të vitit 2021 se, “kemi të bëjmë me parti-shtet”. “Vetë rektori duhet të japë shpjegime se përse duhej ta kërkonte një takim të tillë (sipas kryeministrit ka qenë vetë z. Sallaku që e ka kërkuar). Kjo i hap rrugë disa dëgjesave, që nuk kanë më në qendër të vëmendjes ligjin dhe të drejtën, por opinionin apo krijimin e një opinioni, ku nuk hyjnë më në punë faktet, por interpretimet emocionale. E gjitha kjo duket si një nxitim për të relativizuar organet e drejtësisë, që edhe sulmi i Veliajt ndaj prokurorit Dado të duket ‘i drejtë’ apo ‘i justifikuar’, pasi nga dëgjesat del se ‘SPAK po e kalon masën’. Nëse dëgjesa të tilla vijojnë, atëherë mbetet thjesht të ligjërojmë funksionimin në ‘parti-shtet’. Dhe të mos shohim më nga ligji, por nga vendimet e partisë. Eshtë minimi i shtetit të së drejtës dhe krijimi një shteti të survejuar nga partia e jo nga ligji”, thotë Baçi.
Rama ka shtuar kritikat ndaj SPAK-ut në mbledhjen e grupit, duke theksuar se prokuroria nuk duhet të sillet si një institucion politik dhe të ndjekë mediat për të ndërtuar perceptime, duke sugjeruar që drejtësia të fokusohet te korrupsioni.
Gjyqtari i GJKKO, Erion Bani, edhe ky i ftuar në të njëjtën tryezë me Altin Dumanin ka reaguar duke paralajmëruar se sulmet ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve mund të shihen si presion mbi drejtësinë. Dumani gjithashtu ka përsëritur se SPAK do të vijojë punën e tij sipas ligjit.
Kjo përplasje edhe pse në distancë nxjerr në pah tensionet mes qeverisë dhe institucioneve të drejtësisë, në një kohë kur reforma në drejtësi po vihet në provë nga raste arrestimesh tw profilit të lartë.
Analisti Agim Baçi thotë se, “arrestimi i Erion Veliajt, që konsiderohej si numri 2 në PS, është një goditje për moralitetin e mazhorancës, një goditje që mund të dekurajojë ata njerëz rreth Ramës që ai i sheh si ‘motorët elektoralë të PS-së”.
“Madje dhe ‘habia’ e kryeministrit për vendimin e SPAK dhe Prokurorisë së Përgjithshme për të hetuar krimet zgjedhore, tregon një përkujdesje të kryeministrit për të garantuar motorët elektoralë se do të jenë të mbrojtur edhe nëse ’kalojnë masën’ me metodat e tyre elektorale të patronazhimit”, argumenton Baçi
Faktoje.al sjell një verifikim të deklaratave kryesore të Kryeministrit Edi Rama mbajtur të mërkurën e 26 shkurtit duke i përplasur ato me qendrimet në distancë të përfaqësuesve të institucioneve të drejtësisë për të kuptuar më mirë se kush po gabon çfarë dhe se sa është e lidhur e gjitha kjo narrative me atë që vetë eksperti Braçi nënvizon në opinionin e tij se janë zgjedhjet e ardhshme dhe pasojat e kësaj qeverisjeje.
Deklarata e Ramës për rastin e Thoma Gëllçit
… Unë e kam parë vetë kur të marrin në rrugë dhe kur s’kishte as kanale e portale, as Kushtetutë dhe as ligj, e kam parë se çfarë ndjen njeriu e fusin në furgon i thonë hajde pak me ne, e çojnë atje dhe e marrin në pyetje me një hetues që i bën presion. S’e kam pranuar kur isha person me duar në xhepa, e jo më tani që jam Kryeministër i Shqipërisë…
Kam ardhur këtu me një mision, që nga 1912, për t’i dhënë pavarësinë drejtësisë, bashkë me ju këtu dhe ju e dini, për herë të parë kemi hequr duart nga drejtësia, pasi 5 vite me radhë kemi thënë, nuk komentojmë asnjë proces, asnjë vendim të drejtësisë. Dhe unë kur e shoh, se për fat të mirë ose të keq jam pak më i gjatë se të tjerët, që kam parë se kjo metodë në sistem është gabim, se ja si vjen puna, paraburgimi mbeti pa u vlerësuar nëse faktorët e paraburgimit ishin të vlefshëm dhe gjykatat nuk morën vlerësimin e duhur, duke kontribuar me një zgjatje të paraburgimit…
Dje ka nisur një fillim mbrapsht për Shqipërinë në Strasburg dhe shumë masa sigurie mund të rrëzohen në Strasburg. Këto kanë kosto tepër të mëdha. Ne nuk mund të themi se le të torturohen dhe njerëz të pafajshëm. Kjo nuk ka kuptim.
Deklaratë pjesërisht e vërtetë referuar vendimit të Gjykatës së Strasburgut
Gjykata e Strasburgut konstatoi se paraburgimi i ish-drejtorit të RTSH për më shumë se shtatë muaj nuk ishte i justifikuar me prova konkrete dhe se autoritetet shqiptare nuk kishin marrë në konsideratë masa alternative më të buta, siç parashikon Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Për pasojë Shqipëria kishte shkelur nenin 5, pika 3 e Konventës, që garanton të drejtën për lirinë personale dhe ndalon mbajtjen e zgjatur në paraburgim pa arsye të mjaftueshme.
Në vendimin e saj, Gjykata urdhëroi shtetin shqiptar t’i paguajë Thoma Gëllçit 500 euro për dëmin jo-material dhe 5,000 euro për shpenzimet ligjore.
Deklarata e Ramës për SHBA dhe SPAK:
Nuk është strategji elektorale për të minuar asnjë hetim. Rektori nuk u ftua për të ngritur flamurin e pafajësisë, për 24 persona që janë marrë në masë sigurie pa gjyq. Po mos të ishte kjo parti s ’do shihnin kurrë hetime VIP në Shqipëri…
Këta thonë tani, thoshin gjithmonë e solli Amerika këtë, po tani që Amerika ka dalë nga rreshti, kush është garanti i drejtësisë së re?
Përgjigja e kreut të SPAK, Altin Dumani:
Besimi i partnerëve ndaj SPAK, me mbështetjen e anëtarëve të BE-së, Britaninë, Zvicrën, bashkëpunimi me këto vende është rritur. Edhe në këtë takim ka prani të oficerëve ndërlidhës të këtyre shteteve, i falënderoj për marrëdhëniet konstruktive, bashkëpunimin dhe vijimin.
Edi Rama për SPAK:
Meqë merren me deklarimet e mia, të bëjnë punën e tyre, t’i dëgjojnë këto që ne themi, që unë them, si kritika dhe shqetësime kritike, për ne dhe nga ne nuk i vjen e keqja dhe as shqetësim nga ne SPAK-ut. Dhe të mos i ndjekin mediat sikur janë parti politike, e të ndërpresin marrëdhëniet me gazetarët specialë. Nuk kam gjë me gazetarët se bëjnë punën e tyre, të mos furnizojnë miletin me sekrete hetimore, të mos sillen si redaksi portalesh e kanalesh, por të bëjnë punën e tyre. Sa herë, kurdoherë, kudoqoftë, që do kapin korrupsion, atë shpatën ta hapin krahun me të gjithë forcën. Korrupsion ama, korrupsion, nuk kemi ngritur Gjykatë Speciale e Prokurori që të bëjë Gjykatën Administrative, ILDKPI, gjykatësin e prokurorin e kështu me radhë, por i kemi ngritur si armë të fuqishme për të luftuar korrupsionin, para nesh, mbrapa nesh, lart poshtë, kudoqoftë, me prova, me respekt për të drejtat e njeriut, me fakte dhe të mos kundërshtojnë sikur janë parti politike, mos të merren me shifra e statistika, ato dalin në fund, ajo që duhet të garantojnë është që fajtorët të shkojnë në burg dhe të pafajshmit të mos traumatizohen
Deklaratë e pavërtetë nëse i referohemi qëndrimit të Altin Dumanit:
Në çdo masë që në kërkojmë përpiqemi të jemi shumë strikt në zbatimin e kritereve që parashikon Kodi. Lloji i masës përzgjidhet nga disa masa të caktuara. Çdo hetim ka dinamikat e veta. Përpjekjet për të vendosur SPAK si një institucion represiv, është përpjekje e dështuar se shifrat flasin vetë. Institucioni që unë drejtoj ka publikuar numrin e përgjithshëm të paraburgosurve e për llogari të SPAK në raport me numrin total të paraburgosurve në Shqipëri. Më pak se 9% dhe këta kanë janë për vepra penale që lidhen me krimin e organizuar. Sa i takon korrupsionit rreth 49% janë hetuar në gjendje të lirë. SPAK në kërkesat që bën është e kujdesshme të vlerësojë kriteret dhe kushtet që parashikohen. Jemi të vëmendshëm dhe të kujdesshëm. Po të shohësh trendin, është në rënie sa i takon masave të sigurimit arrest me burg. Hidhini sytë çfarë ndodh tej SPAK, SPAK është një institucion me kompetencë të kufizuar për disa vepra penale.
Edi Rama për dëgjesat në grupin e PS:
…Ne jemi të vërtetë dhe të drejtpërdrejte sic kemi qënë 5 vjet kur kemi shtrënguar dhëmbët dhe nuk kemi folur kurrë sepse kemi dashur pavarësinë tani që pavarësia është e sprovuar dhe testuar tani ne duam profesionalizëm dhe integritet demokratik të cdo procesi dhe keto dëgjesat do të vazhdoj për këdo që ka nëvoje që të shprehet para grupit për sa kohe që nuk është akuzuar dhe nuk është nën hetim për korrupsion
…Ne nuk mund të japim hapësirë dhe s’mund të bëjmë dëgjesa me persona në hetim, së dyti është mirë ta dinë të gjithë se para se ju të kandidonit për rektor i keni drejtuar një letër SPAK dhe i keni kërkuar të sqarojë për ju nëse ky kandidim do kishte ndonjë pengesë për shkak të statusit dhe përgjigja ka qenë për ju që mund të kandidoni. Të gjithë duhet ta kuptojnë që shqetësimi në këtë rast nuk lidhet me faktet apo fajësinë apo pafajësinë e personave, por lidhet me nxitimin për të deklaruar 24 persona në masë sigurie për një Universitet që është në një kthesë historike dhe që e ka të ardhmen e vet të varur nga një partneritet strategjik me të një ndër universitetet me të vjetra të botës.
Deklaratë e pavërtetë
Para Rektorit të UBT-së, Fatbardh Sallaku, Rama dëgjoi pak ditë më parë kryetaren e komisionit të Ligjeve, Klotilda Bushka, që në njoftimin zyrtar të SPAK rezulton person në hetim
“Përveç sa është përmendur mësipër, Prokuroria e Posaçme po kryen hetime paraprake ndaj deputetes së Kuvendit të Shqipërisë, shtetases K. B. Emri i kësaj të fundit është regjistruar në regjistrin përkatës të njoftimeve si person i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, parashikuar nga neni 301 i Kodit Penal. Deri në këtë fazë konstatohet se ekzistojnë të dhëna konkrete të cilat të çojnë tek dyshimi i arsyeshëm se personi nën hetim K. B. ka kryer veprime aktive të kundërligjshme të cilat kanë interferuar me hetimin e organit procedues në lidhje me procedimin penal nr. 27 të vitit 2024”, thuhet në njoftimin e SPAK
Edi Rama për paraburgimet:
Unë kam asgjë kundër hetimit, përkundrazi t’i shkojnë deri në fund, por këto paraburgimet dhe noterizimet në Gjykatën Speciale, këto nuk i pranoj më dhe jam i bindur që shqiptarët që nuk janë të verbër mendojnë kështu.
Gjyqtari Erion Bani:
Përsa i përket integritetit të gjyqtarëve, kujtoj se po prezumohet integriteti i tyre, kush ka pretendime i drejtohet institucioneve, nuk mund të bëhet gjyqi i gjyqtarit. Gjyqin e bëjnë institucionet e tjera, gjyqin e gjyqtarëve e bëjnë organe që janë në Gjykatat e Larta. Kushdo që ka dyshime dhe indicie të drejtohet në organet kompetente. Presioni që i është bërë gjyqtarëve është evident dhe s’është bërë asnjëherë tjetër.
Altin Dumani reagim:
SPAK ka publikuar numrin e përgjithshëm të paraburgosurve për llogari të SPAK në raport me numrin e të paraburgosurve në Shqipëri. Më pak se 9% dhe këta janë për vepra penale që lidhin me krimin e organizuar.