Një dosje voluminoze spiunazhi e hetuar në Tiranë, me 7 të dyshuar nga Rusia dhe Çekia, u mbyll për mungesë provash. Alarmi për veprimtarinë e të dyshuarve si spiunë për llogari të një shteti të huaj, kulmoi gjatë stërvitjes së trupave të Natos në 2021. Ata ranë në sy për hyrje-daljet e shpeshta në Shqipëri, praninë e dyshimtë në zona ushtarake dhe deklarime kontradiktore për motivet e vizitave në vendin tonë. Mirëpo puna e kundërzbulimit dhe kontributi i agjencive të huaja shkoi dëm dhe dosja nuk shkoi për gjykim, ashtu siç ndodhi edhe për dosjen hetimore të lobimit rus në politikën shqiptare, që nisi bujshëm, por u mbyll pas 2 vitesh sorollatjeje.
Anila Hoxha
“Ndonëse ka patur dyshime se shtetasit e huaj kanë hyrë në Republikën e Shqipërisë me qëllim për të siguruar informata sekrete, për t’ia dhënë një fuqie të huaj, nuk u arrit të provohet se cilat kanë qenë këto informata, nëse kanë qenë me karakter ushtarak apo të ndonjë lloji tjetër”.
Me këtë frazë, që përkonte me gjetjet e prokurorisë së Tiranës, gjykata penale mbylli në fund të janarit 2023 çështjen e njohur si agjentura ruse në Shqipëri.
Si nisi hetimi për spiunazh?
Në maj 2021, kur zhvillohej stërvitja më e madhe ushtarake në Ballkanin Perëndimor në kuadër të Aleancës Veriatlantike, “Defender Europe 21”, indiciet e sektorit të antiterrorit në Policinë e Shtetit u bënë shkak për nisjen e hetimit nga Prokuroria e Tiranës. Në çelje të kësaj stërvitjeje, më 4 maj të atij viti, ministri i Mbrojtje Niko Peleshi deklaronte:
“Kjo stërvitje është një mesazh i qartë për popujt e Ballkanit. E ardhmja e tyre e vetme është integrimi i plotë në strukturat euroatlantike. Çdo hezitim, devijim, ndikim përtej kësaj rruge është thjesht humbje kohe. Por, kjo është dhe një mesazh për ato vende dhe forca “dashakeqe” dhe rivale të vlerave tona të përbashkëta.“
Kush janë të dyshuarit për spiunazh
Në prag të stërvitjes më të madhe ushtarake të NATO-s në Ballkan, ku Shqipëria renditej mes 12 vendeve pritëse, informatorë të shërbimit sekret dhe antiterrorit në Shqipëri raportuan si të dyshuar për spiunazh disa shtetas rusë dhe çekë.
Të dyshuarit ishin Georgii Budanov, Vladislav Cherkasov, Filip Carek, Prokop Voracek, Libor Bartos, Filip Sichinger dhe Andrea Maresova. Sipas antiterrorit ata dyshoheshin për Sigurim të informatave sekrete me karakter ushtarak apo të çdo lloji tjetër, me qëllim që t’i jepen një fuqie të huaj, për të cënuar pavarësinë e vendit, vepër e cila parashikohet nga neni 214 i Kodit Penal dhe dënohet me burgim nga tre gjer në dhjetë vjet
Diplomati i ‘rremë’ inspektoi zonën ku do zhvillohej stërvitja e NATOs “Defender 21”
Në kohën që në Durrës mbahej stërvitja ushtarake e trupave të NATOS, agjenci të inteligjencës shqiptare e të huaja njoftuan lëvizje të dyshimta të disa shtetasve me banim të përkohshëm në vendin tonë dhe të tjerëve që vinin për turizëm.
Sipas dëshmisë së një agjenti të antiterrorit, këta persona nuk vinin për turizëm, por për mbledhjen e informacioneve në lidhje me trupat e NATOS që po dislokoheshin në Shqipëri për Stërvitjen “Defender 2021“. Në mbështetje të këtij dyshimi ishte edhe informacioni se në 13 prill 2021 një diplomat i ambasadës ruse ka vizituar portin e Durrësit
“Ai është takuar me një drejtues pranë autoritetit portual të cilit i është prezantuar si atashe tregtar në ambasadën e Ukrainës, Tiranë dhe interesohej mbi shkëmbimet tregtare ndërmjet Ukrainës dhe Shqipërisë, në veçanti hidrokarburet. Dyshohet se ai e ka fshehur se ishte funksionar i ambasadës ruse me qëllim që të mos ngjallte dyshim tek personat që ka takuar dhe ta kishte të lehtë sigurimin e informacionit mbi trupat dhe mjetet ushtarake që po zbarkonin në portin e Durrësit, në kuadër të stërvitjes ushtarake” – shkruhet në informacionet e dosjes. Por emri i diplomatit mbetet mister mbasi në vijim nuk pati asnjë konfirmim mbi identitetin e tij.
Lëvizje të dyshimta edhe në zonat ushtarake
Në 11 prill 2021, shtetasi rus Georgii Budanov hyri nga pika kufitare e Qafë Thanës me automjetin e tij dhe deklaroi se vinte për turizëm, i frymëzuar nga Alpet dhe jugu i Shqipërisë. Antiterrori raportoi se Budanov ishte parë të lëvizte në këmbë nga Orikumi në Malin e Karaburunit, pranë bazës ushtarake të Pashalimanit. Për praninë e tij në Orikum, 54 vjeçari rus përgjigjej se ishte në kërkim të një vendi të përshtatshëm për të investuar në ndërtimin e një resorti me shtëpi alpine. Nga prilli deri në 1 maj 2021 ai lëvizi lirshëm në këtë trajektore dhe kur ‘kupa u mbush’, u shoqërua dhe u mor në pyetje nga drejtoria rajonale e kufirit në Vlorë.
“Nuk kam arsim të lartë, por me profesion jam inxhinier konstruksioni. Nuk përdor adresë e-maili dhe nuk kam profile në rrjetet sociale. Për herë të parë kam ardhur në Shqipëri në 1998 dhe kam takuar shtetasin Sokol Koçiu (*në vitin 1998 Sokol Koçiu ka qenë drejtor i Policisë së Vlorës), me të cilin kam krijuar miqësi që e vazhdoj aktualisht. Motivi i vizitës është për biznes në fushën e turizmit, pasi mendoj të hap një agjenci turistike për të sjellë turistë nga Rusia dhe të krijoj një korridor fluturimesh direkt me charter nga Rusia për në Tiranë”- ka dëshmuar Budanov.
Pas këtij deklarimi, autoritetet firmosën urdhërin e dëbimit me një afat 3 vjeçar për rusin Georgii Budanov, me dyshimin se ai po siguronte dhe jepte informacione sekrete një shteti të huaj.
“Faktoje” kontaktoi zotin Sokol Koçiu, i cili përmendet në dëshminë e Budanov. Koçiu nuk e mohon miqësinë e hershme me shtetasin rus dhe na u prezantua si avokati mbrojtës i Budanov që prej vitit 2021, kur autoritetet vendosën dëbimin e tij nga Shqipëria. Koçiu konfirmon interesimin e 54 vjeçarit rus për të bërë biznes në Shqipëri dhe se për këtë arsye kundërshtoi urdhërin e dëbimit.
Në lidhje me këtë moment Koçiu përshkruan se Budanov kishte qëndruar në një hotel në Vlorë. Më pas u soll në kryeqytet në një banesë ku jetonte, që u kontrollua imtësisht. Koçiu këmbëngul se pati konflikt me agjentët civilë të angazhuar për dëbimin e Georgii Budanov.
Koçiu shpjegoi për Faktoje se pas urdhërit të Policisë Kufitare për largimin e Bundanov, ai e kishte ankimuar urdhërin dhe kishte kërkuar të takonte klientin e tij. Por policia që po bënte kontrollin e shtëpisë, makinës dhe dy celularëve të Budanov, nuk e lejoi Koçiun të takonte klientin e tij. I gjendur në këtë situatë, Koçiu i tha Drejtorit të Kufirit Tiranë dhe zëvendësit të tij të cilët po kryenin kontrollet, se do t’i drejtohej ambasadës ruse për të zgjidhur problemin.
Menjëherë, sa jam nisur për në Ambasadë, ndonëse Departamenti i Kufirit ende nuk kishte nxjerrë vendimin lidhur me ankimin kundër urdhërit të largimit, shtetasin rus GEORGII BUDANOV, e kanë marrë forcërisht me urgjencë duke e kthyer edhe njëherë në apartamentin ku banonte që më pas ta hipnin me dhunë në automjetin e tij për ta dëbuar nën shoqërimin e dy furgonave të policisë në pikën e kalimit Kufitar Muriqan. ” – thekson Sokol Koçiu.
Sipas informacionit të siguruar pwr Faktoje prej sistemit TIMS, Budanov ka hyrë edhe gjashtë herë të tjera në Shqipëri para vitit 2019 dhe ka qendruar nga një deri në shtatë ditë. Në një rast, Budanov nuk është regjistruar kur ka hyrë në Shqipëri dhe kjo provohet nga dalja përmes pikës së Muriqanit në datën 5 dhjetor 2018, ora 18:51.
Dhoma 911
E bindur se po gjurmonte një spiun, prokuroria e Tiranës dhe antiterrori iu vunë pas personave me të cilët Budanov ishte takuar në Shqipëri. Prova nuk u gjetën. Informacioni se 54 vjeçari nga Moska kishte qëndruar në një hotel luksoz në kryeqytet nuk u vërtetua, pavarësisht raportimeve nga agjentët.
“Nga analizimi që i është bërë listës së klientëve, nuk rezulton që shtetasi Georgi Budanov të jetë akomoduar në këtë hotel.– thuhet në dokumentin hetimor.
Prokurorja e çështjes pranon se në kushtet e mosgjetjes së provave, kërkoi ndihmën e INTERPOL, jo vetëm për Budanov, por edhe për gjashtë shtetas të tjerë, një bashkëkombas rus dhe 5 shtetas çekë. Dyshimet e antiterrorit ishin se të gjithë këta shtetas i shërbenit të njëjtit qëllim, sigurimin e inforacioneve sekrete për llogari të një shteti të huaj. Midis tyre, edhe një bashkëkombas edhe 51 vjeçari i quajtur Vladislav Cherkasov.
“Në shkresën numër 54/31, datë 27 korrik 2021 iu kërkua informacion Interpol Tiranës për shtetasit Vladislav Chercasov, Georgi Budanov, Filip Carek, Prokop Coracek, Libor Bartos, Filip Sichinger dhe Andrea Maresova” thuhet në raportin e prokurorisë. Përgjigjja e INTERPOL-it, konfirmonte se asnjëri nga të shtatë nuk ishte në kërkim dhe asnjëri nuk rezultonte të kishte aktivitet kriminal. Sidoqoftë, INTERPOL Tirana kërkoi ndihmën e partnerëve.
Dëshmitë kontradiktore të Cerkasov
Dy ditë pas dëbimit të Budanov, antiterrori u sinjalizua për një tjetër shtetas rus, që jeton prej vitesh në Malin e Zi dhe udhëtoi drejt Shqipërisë me kamper, Vladimir Cherkasov, 49 vjeç. Në vijën e parë të kontrollit në Muriqan, për palën malazeze ai deklaroi se kishte destinacion Durrësin për turizëm. Ndërsa në të dytën, në doganë nga pala shqiptare iu gjet në kamper një dron që tha se do ta përdorte për turizëm dhe fotografi në bregdet. Policia kufitare shqiptare nuk ia lejoi dronin dhe Cherkasov ia besoi palës malazeze për ta marrë kur të kthehej.
Në kërkimet e mëvonshme të INTERPOL, u zbulua se ai kishte në pronësi edhe një mjet lundrues me targa të fshira. Ja si e ka përshkruar veten 49 vjeçari rus para autoriteteve shqiptare:
“Kam mbaruar tre fakultete juridik, inxhinieri ndërtimi dhe menaxhim. Në Rusi kam punuar si inxhinier ndërtimi dhe kam leje qëndrimi në Çeki ku kam punuar si menaxher. Aktualisht punoj si jurist në një firmë ndërtimi në Malin e Zi. Nuk kam profil në rrjetet sociale, por kam e-mail dhe numër celulari të shtetit malazez ku kam të regjistruar WhatsApp dhe Viber’.
Me aktivitet në qytetet e Bar-it dhe të Budva-s në Mal të Zi, Cherkasov deklaroi se jeton aty me bashkëshorten e dytë dhe djalin katër vjeç. Nga martesa e parë në Moskë ai rrëfehet se ka katër fëmijë të cilët jetojnë në Rusi.
“Kam 10 vjet që kam biznes në Budva dhe jam drejtor i firmës DOO ECOLIFE që merret me panelet diellore që i sjell nga Kina. I montoj vetë dhe kam një punëtor që quhet Vadim Majorov nga Moska.”
Nga sistemi TIMS rezulon se Cherkasov ka hyrë për herë të parë në Shqipëri në vitin 2009, si dhe tri herë të tjera, në maj 2015 dhe më 12 dhe 17 maj 2021.
Në dosjen e prokurorisë, grupi i hetimit risjell rrëfimin e rusit sa i takon bllokimit të dronit në kufi nga policia shqiptare. Kjo deklaratë çuditërisht është e ndryshme nga ajo që dha para policit kufitar në ditën që hyri. “Para dy muajsh, data e saktë nuk më kujtohet, në Muriqan u ndalova nga policia që s‘më lejoi të udhëtoja me dronin me vete. Qëllimi i vizitës ishte për të udhëtuar drejt Rinasit për të çuar kamperin pasi do ta merrnin me qira disa shtetas të huaj që vinin në Shqipëri. Pasi dorëzova makinën u ktheva me motorin që e mbaja në mjet. Makinën e mori një çift çekësh të cilët e kthyen në Malin e Zi”.
Cherkasov shton se nuk ka qenë asnjëherë në Durrës, Vlorë apo Berat. Megjithatë në intervistimin e tij në kufi ai citohet të jetë shprehur “Po shkoj në Durrës për të parë dhe bërë fotografi një pjesë trualli në adresën rruga “Vokrri”, fshati Qerret në afërsi të lokalit “Albania” për llogari të pronarit.” Por autoriteteve nuk iu dha asnjë e dhënë mbi personin tjetër dhe grupi i hetimit nuk ishte në gjendje të vërtetonte thëniet e tij, nëse kishte apo jo truall në shitje në zonën e përmendur.
“Shumë dyshime por s’kemi prova”, prokuroria terhiqet nga dosja e spiunazhit
Në dosjen e prokurorisw, si gjatë hetimit ashtu edhe në mbyllje të çështjes, prokuroria “dorëzohet” pas kërkimeve më shumë se dyvjeçare.
“Nga i gjithë hetimi i kryer, ndonëse ka patur dyshime të arsyeshme se shtetasit e huaj të përmendur më sipër kanë hyrë në Republikën e Shqipërisë me qëllim për të siguruar informata sekrete dhe për t’ia dhënë një fuqie të huaj, nuk u arrit të provohet se cilat kanë qenë këto informata, nëse kanë qenë informata me karakter ushtarak apo të ndonjë lloji tjetër”-thotë prokurorja Ornela Rrumbullaku.
Si pjesë e hetimit sekret që përfshiu Interpolin dhe Policinë shkencore prokurorja radhit veprimet që kreu për ‘vizitorët’ që u deportuan njëri pas tjetrit, por edhe vendimin final për ta pushuar çështjen.
“Nuk u arrit të provohet se shtetasit e huaj kishin hyrë me qëllimin për të siguruar informata sekrete me karakter ushtarak apo të çdo lloji tjetër dhe duke parë edhe nenin 329/a në lidhje me nenin 328/1 të Kodit të Procedurës Penale, kërkojmë pushimin e çështjes, pasi fakti nuk parashikohet nga ligji si vepër penale”-ishte fjala e fundit e prokurorisë për mbylljen e çështjes.
Google, GPS dhe ekspertiza nuk mjaftuan
Fashikulli hetimor që disponon Faktoje tregon se hetuesit arritën të shtien në dorë dy aparate celularë që i përkisnin shtetasit rus Cherkasov. Pavarësisht shumë aplikacioneve dhe platformave në këto aparate (facebook messenger, scype, viber, kontakte me aplikacionin badoo, instagram, në WhatssApp, parallel space, Crello, Turbo VPN, Tik tok, Touch VPN, Dji GO, etj) nuk u gjet ndonjë gjë me interes për hetimin.
“Nuk u arrit të kthehen mesazhet e fshira. Aplikacioni Turbo VPN shërben për ta bërë internetin të sigurtë dhe privat”- thonë ekspertët.
Ndërkohë nga historiku i aparatit, ekspertët ishin të gjendje të specifikonin se ishin përdorur nëntë karta celulari, të kompanive telefonike ruse, tre karta ukrainase, një kroate dhe një shqiptare. “Komunikimet dhe e-mailet e plota mund të merren nga kompanitë përkatëse. Lidhja e telefonit me internetin mbart rrezikun potencial të fshirjes permanente dhe të pakthyeshme të të dhënave, nëse përdoruesi ka aktivizuar komandën e fshirjes në distancë të të dhënave” – shkruajnë ekspertët e policisë shkencore.
Hetuesit tentuan të hedhin dritë edhe mbi vizitën e pesë çekëve, të dyshuar nga antiterrori se erdhën në Shqipëri me të njëjtat qëllime dashakeqe ashtu si dy personazhet nga Rusia. Por informacioni i ardhur nga autotritetet vendase për këta shtetas nuk jepte ndonjë të dhënë për përfshirje verprimtari spiunazhi, por vetëm për kundravajtje.
“Prokop Voracak i evidentuar për kërcënim nën efektin e lëndëve dehëse / psikotrope. Filip Carek ka një shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor. Filip Sichinger ka tri shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor”. Për informacionet e tjera të kërkuara, Çekia nuk u dha asnjë përgjigje. Edhe ata u panë duke filmuar me një dron në afërsi të repartit ushtarak në Kuçovë (Lexo artikullin).
Duke gjurmuar lëvizjet e tyre përmes GPS në makinën e marrë me qera në Rinas, pala shqiptare kuptoi se pesë shtetasit çekë kishin lëvizur në Tiranë, Krujë, Laç, Rrëshen, Bajram Curri dhe në afërsi të bazës ushtarake të Kuçovës. Por me kaq të dhëna, nuk mund të sigurohshin prova bindëse se 5 çekët ishin spiunë. Autoritetet nuk zbuluan asnjë lidhje midis këtyre të fundit dhe dy rusëve, të cilët po ashtu nga hetimi doli se nuk kishin asgjë të përbashkët me njëri – tjetrin.
Dosja e spinazhit, të njëjtin fat si “lobimi rus”
Dosja me 7 të dyshuarit për spiunazh, është e dyta që mbyllet nga prokuroria, pa arritur të shkojë për gjykim. Më herët, të njëjitn fat pësoi edhe dosja e ‘lobimit rus‘, (lexo këtu artikullin), hetimi i nisur bujshëm në 2017-n për rreth 1 milionë USD të paguara për lobim në SHBA në favor të Partisë Demokratike. Edhe në këtë rast, provat e mbledhura për 2 vite nga prokuroria, me të akuzuar ish kreun e PD Lulzim Basha dhe dy zyrtarë të tjerë të partisë, nuk mjaftuan. Madje grupi i prokurorëve të çështjes si rrallë ndonjëherë shkoi i përçarë para trupës gjyqësore dhe për këtë shkak vendimi u apelua. Por edhe shkalla e dytë miratoi mbylljen e dosjes për shkaqe që u konsideruan nga prokuroria si “harresë” ndërsa rekursi në Gjykatën e Lartë nuk u pa si opsion.
*Ky shkrim është prodhuar si pjesë e iniciatiavës rajonale Qendra Kundër Dizinformiminit e Ballkanit Perëndimor
Redaktoi: Viola Keta & Aimona Vogli