Pretendimi: Kamala Harris, Barack Obama dhe Hillary Clinton kanë bërë të njejtin gjest që u etiketua si përshëndetje naziste kur u bë nga Elon Musk

Verdikti: Mungon konteksti

———————————————————————————–

Pas debatit kundër Elon Musk, i akuzuar se bëri një përshëndetje naziste gjatë ceremonisë së inaugurimit të Donald Trump, në rrjete sociale kanë qarkulluar disa imazhe të politikanëve amerikanë demokratë, si Hillary Clinton, Barack Obama, dhe Kamala Harris me krahët e shtrirë në mënyrë të ngjashme. 

Megjithatë, këto foto janë zhveshur nga konteksti dhe, në kontekstin e tyre origjinal, nuk janë të njëjta me gjestin që bëri Musk. Pa spekuluar mbi qëllimin e Musk, ka vetëm ngjashmëri të kufizuara midis imazheve të gjesteve të bëra nga Obama, Harris, dhe Clinton dhe gjestit të bërë nga Musk.

Hillary Clinton

Foto e Clinton është shkrepur nga një fotograf i Associated Press gjatë një eventi për mbledhjen e fondeve në Chicago më 18 dhjetor 2007.

Megjithëse nuk gjenden pamje filmike nga eventi, në pamjet nga një tjetër takim më 29 dhjetor 2007, vihet re se Clinton prirej të ngrinte krahun me pëllëmbën të kthyer poshtë kur bënte një deklaratë, dhe tundte krahun për ta theksuar atë.

Fotografi të shumta të Clinton gjatë viteve e tregojnë atë duke bërë gjeste të ngjashme, duke treguar se kjo është një nga sjelljet e shumta që ajo përdor kur mban fjalime. 

Clinton ka dënuar supremacistët e bardhë, edhe në një artikull opinion që shkroi për The Washington Post në 2021. 

Nuk gjetëm asnjë raportim nga ajo kohë që tregonte se Clinton po bënte qëllimisht një përshëndetje të stilit nazist. Po të ishte vërtet kështu, kjo do të ishte bërë lajm. Postimi i mësipërm nxjerr një moment nga një nga fjalimet e Klintonit jashtë kontekstit dhe e keqinterpreton atë.

Kamala Harris

Foto e Harris është nga konventa e Partisë Demokratike të Karolinës së Jugut në 2019, ku ajo u shfaq si kandidate presidenciale. 

Pamja që qarkullon në rrjet ndodh në minutën 5:24 në këtë video, ku Harris thotë: “Kështu që unë qëndroj para jush si kandidate për presidente të Shteteve të Bashkuara, e përgatitur për të bërë punën për të ndihmuar kombin tonë të shohë atë që mund të jetë, të pa ngarkuar nga ajo që ka qenë dhe të shohë vizionin e së ardhmes duke respektuar të kaluarën tonë”.

Menjëherë pasi bëri gjestin, ajo kritikoi vazhdimisht Donald Trump, ndërsa ngrinte krahun e djathtë dhe tregonte lart. Harris vazhdoi:

“[Trump] thotë se dëshiron ta “bëjë Amerikën përsëri të madhe”. Epo, çfarë do të thotë kjo? A do të thotë kjo se ai dëshiron të na kthejë përpara se të integroheshin shkollat? A do të thotë kjo se ai dëshiron të na kthejë përpara se të miratohej Ligji për të Drejtat e Votimit? A do të thotë kjo se ai dëshiron të na kthejë përpara para se të miratohej Ligji për të Drejtat Civile?”

Harris po kritikonte qartë historikun e Trump për mbështetjen ndaj komuniteteve me ngjyrë dhe po diskutonte historinë e saj si prokurore dhe aktivizmin e prindërve të saj për të drejtat civile. Përmbajtja e fjalimit të saj në fakt ishte krejtësisht kundër pretendimit të rremë se ajo po bënte një përshëndetje naziste.

Barack Obama

Fotografia e Obama është marrë nga viti 2010, kur presidenti i atëhershëm po fliste në një konferencë në Baltimore.

pamjet filmike të fjalimit, Obama në mënyrë të përsëritur ngriti krahun e djathtë ndërsa diskutonte një sërë çështjesh. Në minutën 25:00 ai ngriti krahun teksa fliste për kujdesin shëndetësor. Në pikën 41:31, ai diskutoi promovimin e energjisë së rinovueshme, ndërsa ngriti krahun lart më shumë se një herë:

“Sepse nëse ne nuk jemi duke udhëhequr, ato vende të tjera do të udhëheqin. Pra, ajo që dua të bëj është të punoj me West Virginia për të kuptuar se si mund ta kapim atë të ardhme. Por për ta bërë këtë, kjo do të thotë se do të duhet të ketë një tranzicion. Ne nuk mund ta operojmë industrinë e qymyrit në Shtetet e Bashkuara sikur të jemi ende në vitet 1920 ose 1930 ose 1950. Ne duhet të mendojmë, “Si duket ajo industri në njëqind vitet e ardhshme?” Dhe do të jetë ndryshe. Dhe kjo do të thotë se do të ketë një tranzicion.”

Deklaratat e tij nuk kishin të bënin me nazizmin dhe fotografia e mësipërme është keqkuptuar nga postimet në rrjetet sociale.