Pretendimi: Ky medikament natyral i rekomanduar nga Dr. Skënder Brataj eleminon plotësisht rrezikun e aftësisë së kufizuar
Verdikti: E pavërtetë, skemë mashtrimi
———————————————————————-
Artikulli në një faqe, që është dizenjuar për t’u dukur si një media e mirëfilltë online, u premton lexuesve një mënyrë për të “aktivizuar rigjenerimin e kërcit dhe indit kockor edhe në moshë të madhe dhe eleminuar plotësisht rrezikun e aftësisë së kufizuar.”
Në brendësi të ‘artikullit’, të gjitha rrugët të çojnë tek një produkt, të cilin mund ta blejë dhe vetë lexuesi për vetëm 7800 lekë, ose 3900 lekë me ulje.
Për ta bërë sa më të besueshëm marketingun, faqja online përdor emrin dhe imazhin e një mjeku të njohur në Shqipëri, drejtorin e Urgjencës në Tiranë, Dr. Skënder Brataj, i cili citohet si përkrahës dhe rekomandues i flaktë i produktit të mësipërm.
Megjithatë, një kërkim i thjeshtë me fjalë kyçe zbulon se Brataj nuk ka folur ndokund për këtë produkt.
Përkundrazi, më 28 maj 2025, në një postim në faqen e tij të Facebook, Brataj ka denoncuar përdorimin e imazhit të tij për shitjen e ilaçeve të dyshimta dhe ka mohuar se ka reklamuar ndonjëherë ndonjë ilaç. “Nuk kam bërë dhe nuk do të bëj asnjëherë intervista dhe publicitet për ilaçe,” shkruan mjeku.