Pretendimi: Drejtoria e Doganave ia faturen Kosovës mbetjet toksike që po shkojnë në Tajlandë
Verdikti: Mungon konteksti
Lajmet për dërgimin e mbetjeve toksike nga Shqipëria drejt Tajlandës dhe Kinës janë pasqyruar gjerësisht në mediat shqiptare. Mirëpo, shpesh në mediat online ka pasur edhe keqinformim, duke i ngatërruar ngjarjet me njëra-tjetrën.
“Anijet me mbi 800 tonë mbetje toksike, Prokuroria e Durrësit nis hetimet për zyrtarët e portit, ‘Kurum’ tenton të lajë duart, Doganat ja faturojnë Kosovës, opozita bën përgjegjëse qeverinë për skandalin”, është ky nëntitulli i “Sot.al” mbi raportimet në lidhje dërgimin e mbetjeve toksike.
Skandali me mbetjet toksike drejt Tajlandës
Skandali me dërgimin e mbi 800 tonë mbetjeve toksike nga Shqipëria drejt Tajlandës ka zënë vendin kryesor në raportimet e mediave në vendin tonë. Sipas organizatës amerikane, “Basel Action Network” (BAN) që gjurmon tregtinë e mbetjeve toksike, në muajin korrik këto mbetje u ngarkuan në dy anije të kompanisë Maersk, “MAERSK CAMPTON” dhe “MAERSK CANDOR”. Sipas BAN, të dyja anijet kishin ngritur dyshime, pasi kishin fikur sinjali GPS të sistemit të identifikimit automatik (AIS) të anijes.
Pas zbulimit të ngjarjes, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit reagoi duke akuzuar kompaninë “Kurum”.
“Ministria e Turizmit dhe Mjedisit nuk ka dhënë asnjë autorizim dhe si rrjedhojë kompania nuk ka paraqitur të dhëna mbi destinacionin e ngarkesës. Vëllimet e mallrave të cilat dyshohen se përmbajnë mbetje të dala nga procesi teknologjik i realizuar nga kompani ndërkombëtare që operojnë pranë kompleksit metalurgjik në Elbasan, janë ngarkuar në njësi kontejnerike pranë Terminalit të Mallrave Rifuxhio në Durrës, i cili operohet nga kompania koncesionare gjermane EMS”, deklaroi Ministria e Mjedisit.
Mirëpo, në një deklaratë për mediat, “Kurum” hodhi poshta akuzat, duke argumentuar se në asnjë rast nuk ka transportuar mbetje të rrezikshme drejt Tajlandës.
Kompania thotë se: “Respekton të gjitha rregullat dhe ligjet kombëtare dhe ndërkombëtare, përfshirë dhe Konventën e Bazelit, për trajtimin e mbetjeve industriale të rrezikshme dhe të parrezikshme që gjenerohen gjatë procesit të prodhimit”.
Ndërkohë, Prokuroria e Durrësit njofton se ka nisur hetimet mbi çështjen e transportit të dhjetëra kontejnerëve me mbetje të rrezikshme që dyshohet se kanë dalë nga territori shqiptar drejt Tajlandës.
“Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Durrës bën me dije, se po kryhen veprime hetimore intensive në bashkëpunim me Zyrën Europiane kundër Mashtrimit Ekonomik (OLAF) dhe institucionet ligjzbatuese shqiptare e partnerët ndërkombëtarë”, njofton Prokuroria.
E pyetur nga Faktoje.al, drejtoresha e organizatës “Ecological Alert and Recovery – Thailand (EARTH)”, Penchom Saetang, konfirmoi se 816 tonë mbetjet në bordin e dy anijeve në 100 kontejnerë besohet se mbajnë pluhur toksik të furrave së çelikut. Organizata e saj është vënë në dijeni nga BAN dhe është angazhuar në zbulimin e rastit.
“Nëse konfirmohet se janë mbetje të rrezikshme, nga dispozitat e Konventës së Bazelit, Traktati i Kombeve të Bashkuara që rregullon tregtinë e mbetjeve të rrezikshme dhe të tjera, kontejnerët mund të sekuestrohen dhe të kthehen në Shqipëri”, thekson znj. Saetang.
Ajo shton se grupi kombëtar mjedisor “EARTH” ka njoftuar qeverinë e Tajlandës për dërgesën e rrezikshme.
“Në asnjë rrethanë Tajlanda nuk do të pranojë të jetë vendgrumbullimi për pjesën tjetër të mbetjeve toksike industriale në botë, mbetjet elektronike apo mbetjet plastike. Ne i bëjmë thirrje qeverisë sonë dhe qeverisë së Afrikës së Jugut që të ndërmarrin veprimet e nevojshme për të ndaluar këtë tregti fyese”, tha për Faktoje znj. Penchom Saetang.
Mbetjet drejt Kinës në prill
Ndërkohë, një tjetër ngarkesë e dyshimtë me destinacion Kinën është përmendur së fundi nga mediat, duke e raportuar gabimisht si të lidhur me ngarkesën drejt Tajlandës. Në muajin prill të këtij viti, 115 kontenierë me mbetje toksike u dërguan drejt Kinës nga Shqipëria.
Dogana shqiptare reagoi në 21 gusht duke pranuar ngjarjen, por mohoi qe këto mbetje të ishin nisur nga Shqipëria. Sipas njoftimit zyrtar nga Doganat shqiptare, transportimi i mbetjeve drejt Kinës, nuk është eksport nga Shqipëria, por një tranzit ndërkombëtar i produktit koncentrat zinku nga Kosova.
“Nuk është produkt me origjinë nga Republika e Shqipërisë; Nuk është eksport nga Shqipëria por një tranzit ndërkombëtar ndërmjet një firme nga Kosova dhe një firme zvicerane pa përfshirjen e asnjë firme nga Shqipëria.
ADSH si në rastet e mëparshëm por edhe në këtë rast, po shkëmben informacion intensiv si dhe po bashkëpunon ngushtë në hetim të përbashkët me OLAF (Zyrën e Luftës kundër Mashtrimeve të BE-së) si dhe organizma të tjera ligj-zbatues”, njoftuan doganat.
Mbi këto pretendime të autoriteteve shqiptare, Faktoje iu drejtua për një koment edhe Doganës së Kosovës, por deri në momentin e publikimit të artikullit nuk kemi një përgjigje nga ky institucion.