Gjatë muajit korrik kur Organizata e Kombeve të Bashkuara përgatitej të votonte rezolutën që njeh 11 korrikun si ditën përkujtimore pvr genocidin e ndodhur në Srebrenicë në vitin 1995, presidenti i republikës Srpska në Bosnje Hercegovinë, Milorad Dodik risolli narrativën keqinformuese të hershme të mohimit të këtij fakti historik. Pretendimi i tij i gënjeshtërt u pasqyrua edhe në media.
Vjolanda Peca
“Më 11 korrik nuk ka pasur asnjë operacion në Srebrenicë, askush nuk ka vdekur e nuk është vrarë. Kështu cituan titujt e shumë mediave nga deklarata shokuese e presidentit të Republikës Srpska Milorad Dodik në mesin e prillit të këtij viti. Kjo narrataivë vinte pikërisht në kohën kur një nismë ndërkombëtare synonte ta shpallte 11 korrikun si ditën botërore kundër gjenocidit dhe pritej të votohej në Asamblenë e OKB-së disa javë më vonë.
Shpërndarja e deklaratës në mediat shiptare
“Dodik: Në Srebrenicë nuk u vra askush, do t’ia ndryshojmë emrin qytetit”– ky ishte titulli i shpërndarë në disa nga mediat shqiptare të cilat edhe përmbajtjen e kishin gati të pandryshuar.
Ajo çfarë ra në sy ishte se disa portale, zgjodhën titujt që nënkuptonin të mirëqenë se gjenocidi i Srebrenicës nuk ka ndodhur, duke shkaktuar keqinformim të publikut në Shqipëri.
Kjo deklaratë bëri jehonë edhe në shumë media të tjera përgjatë muajit maj, por në këtë rast reflektohej që në titull lajthitja e Dodik për një pretendim të tillë.
“Dodik fyen sërish viktimat e gjenocidit serb: Në Srebrenicë nuk u vra askush…” shkruhet në titullin e Dosja.al.
Mohimi i gjenocidit në Srebrenice, një narrativë e “vjetër”
Nga një kontroll online, del se deklarata të ngjashme Dodik, I cili njihet për qëndrimet separatiste dhe pro ruse, janë të hershme. Edhe në vitin 2010 ai citohej me të njëjtat artikulime e madje duke akuzuar auttoritetet ndërkombëtare madje se po I mohonin lirinë e shprehjes.
Mirëpo rikthimi i deklaratave mohuese sërish në pranverën e 2024-s ishin pjesë e një fushatë që I paraprinte votimit në OKB për shpalljn e 11 korrikut si ditën ndërkombëtare kundër gjenocidit, një fushatë lobuese e mbështetur edhe nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vučić.
Kontekst historik
Masakra e Srebrenicës që mohohet nga Dodik është një fakt I njohur botërisht dhe akt I dënuar nga gjykatat ndërkombëtare si krim lufte. Gjenocidi i Srebrenicës ose Tragjedia e Bosnjës ka ndodhur në 11 korrik të vitit 1995 në Bosnje dhe Hercegovinë, ku u vranë më shumë se 8,000 boshnjakë myslimanë, kryesisht burra dhe djem të moshës 12 deri 77 vjet. Ky njihet si një nga aktet më të përgjakshme të luftës në Bosnje përgjatë 1992-1995 ku raportohet të jenë vrarë gati 100 mijë persona.
Duke filluar nga viti 1992, forcat serbe të Bosnjës shënjestruan Srebrenicën në një fushatë për të marrë kontrollin e territorit. Synimi i tyre përfundimtar ishte ta aneksonin këtë territor me republikën fqinje të Serbisë.
Masakra, e cila ishte episodi më i keq i vrasjeve masive brenda Evropës që nga Lufta e Dytë Botërore, ndihmoi në nxitjen e Perëndimit për të bërë presion për një armëpushim që i dha fund tre viteve të luftës në territorin e Bosnjës.
Narrativat që mohojnë gjenocidin në syrin e ekspertit
“Republika Srpska, që Dodik drejton, është ndërtuar gjatë luftës dhe nëse ai pranon që në Srebrenicë ka pasur gjenocid, do të thotë që duhet të pranojë që Republika Srpska është ndërtuar mbi gjenocidin e boshnjakëve, gjë që është tërësisht e papranueshme për të. Pra, ky është qëndrimi zyrtar i tij dhe i entitetit që ai drejton.” – shprehet studiuesi Ledion Krisafi.
Ai vijon duke shpjeguar se vdekjet e viktimave nuk shërbyen për të sjellë paqen dhe pajtimin në fund, por përkundrazi, shërbyen për të ndarë mëdysh një shtet dhe për ta bërë thuajse të pamundur bashkëjetesën mes serbëve dhe boshnjakëve
Përfundim
Pretendimet dhe deklaratat e përsëritura të drejtuesit të Republika Srpska se gjenocidi i Srebrenicës nuk ekziston janë të rreme. Ato përsëriten në formën e fushatave dezinformuese me qëllime dashakeqe për të nxitur urrejtje etnike dhe për të mbjellë destabilitet. Ndaj mediat duhet të shmangin përhapjen ë këtyre narrativave dhe të informojnë në mënyrë të saktë publikun në lidhje me çështje të tilla me ndjeshmëri të lartë.
Redaktoi Viola Keta & Aimona Vogli