.

.

BallinaProjekteNxitja e llogaridhënies së zyrtarëve të lartëDjegia e mbeturinave, Leli “harron” premtimin për ndaljen e saj tek ish fusha e aviacionit

Djegia e mbeturinave, Leli “harron” premtimin për ndaljen e saj tek ish fusha e aviacionit

INVA HASANALIAJ

Djegia e mbeturinave vijon të kryhet pranë ish fushës së Aviacionit, në qytetin e Vlorës. Kryebashkiaku Dritan Leli, premtoi 5 vite më parë se do t’i jepte zgjidhje çështjes së grumbullimit dhe trajtimit të mbetjeve dhe zona do të kthehej në park rekreativ. Banorët që jetojnë pranë fushës ku ende digjen mbetjet, përballen me rrezikun nga sëmundjet, veçanërisht në këtë kohë pandemie.

—-

Ish-fusha e  Aviacionit në qytetin e Vlorës, një hapësirë prej afërsisht 3 km/2,  dikur pjesë e shkollës së Aviacionit Shqiptar, prej vitesh është shndërruar në një vend grumbullimi masiv mbetjesh, të cilave zakonisht u vihet zjarri. Ndotja dhe rreziku i përfshirjes nga flakët i shtëpive me rreth 1000 banorëve që jetojnë aty pranë, janë të pranishme edhe sot, ndonëse ishte premtuar jo vetëm ndalimi i djegies, por edhe ndërtimi i një parku rekreativ.

Zona e ish fushës së Aviacionit ka qenë në listën e premtimeve që kryebashkiaku i Vlorës, Dritan Leli ka dhënë që prej vitit 2015, gjatë fushatës elektorale për bashkinë e Vlorës.

Leli, në atë kohë kandidat për këtë post, premtoi se me ardhjen  e tij në krye të bashkisë  nuk do të lejohej djegia e mbeturinave brenda qytetit, ku zona e ish Fushës së Aviacionit ishte më problematikja.

Po në vitin 2015, në përfundim të fushatës elektorale, zoti Leli premtoi ndërtimin e landfillit të mbetjeve i cili do t’i jepte fund kësaj problematike disavjeçare.

Faktoje” shkoi në Vlorë për të parë nga afër ish-Fushën e Aviacionit dhe u përball me këtë situatë.

Ish Fusha e Aviacionit në Vlore, shtator 2020

Në këtë hapësirë vazhdon ‘rregullisht’ hedhja e  mbeturinave apo inerteve, ndërsa djegia e tyre është një ‘rit’ i pandalshëm, pavarësisht premtimit të Dritan Lelit 5 vite më parë.

Një tjetër premtim në lidhje me ish Fushën e Aviacionit nga kryebshkiaku Leli ka qenë kthimi i saj në një park të madh kushtuar fëmijëve për sporte, laboratorë shkencorë, hipizëm, rezervuarë uji, kopsht botanik. Bashkia kishte edhe një projekt për këtë qëllim në 2016-n.

Gjatë verifikimit në terren, nuk konstatuam ndonjë nismë për zbatimin e këtij projekti me vlerë 400 milionë lekë dhe që përfshihet në planin e zhvillimit të qytetit, të publikuar në vitin 2016.

“Faktoje” pyeti bashkinë e Vlorës në lidhje me këtë projekt, por përgjigja që na erdhi ishte se Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka hartuar një projekt-propozim për fushën e Aviacionit, ndaj duhej të pyesnim këtë organizëm.

Ne iu drejtuam me një kërkesë për informacion Fondit Shqiptar të Zhvillimit, por ai na orientoi t’i drejtoheshim sërish Bashkisë së Vlorës. Interesimit të Faktoje për projektin e premtuar për ish Fushën e Aviacionit nuk iu dha përgjigje.

Nga verifikimet e kryera dhe informacioni i grumbulluar, dy premtimet e dhëna nga kryebashkiaku Dritan Leli për ish Fushën e Aviacionit do t’i kategorizojmë si premtime të pambajtura.

* Faktoje, e mbeshtetur nga National Endowment Democracy (Ned) po monitoron 10 bashki ne vend, dhe po verifikon nëse janë mbajtur ose jo premtimet e dhëna  nga kryebashkiakët.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img