Pretendimi: Kjo foto me kësulën hebraike provon se atentatori i Donald Trump ishte hebre
Verdikti: E pavërtetë
——————————————
Pas atentatit ndaj ish-presidentit amerikan Donald Trump më 13 korrik, në rrjetet sociale po qarkullon pretendimi se atentatori, Thomas Matthew Crooks, ishte hebre. Si provë për këtë sillet foto e një të riu bjond, me syze, që mban në kokë një kësulë karakteristike hebreje.
Me anë të motorit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje zbuloi se imazhi i mësipërm ishte shkëputur nga një foto më e madhe, e cila po shpërndahet në rrjete sociale krahas pretendimit se personi në foto është Crooks në një sinagogë hebreje në Philadelphia.
Pavarësisht ngjashmërisë, personi në foto nuk është Thomas Crooks. Sinagoga në fjalë konfirmoi për kolegët e AAP se “Thomas Crooks nuk ka qenë kurrë pjesëtar i Kongregacionit B’Nai Abraham dhe nuk ka marrë pjesë në ndonjë event apo shërbesë në sinagogë.”
“Personi në foton që po qarkullon, që është marrë nga faqja jonë në Facebook, është i njohur për ne dhe nuk është Thomas Crooks,” tha sinagoga.
Dr Reuben Moreton, një specialist në kërkimet mjeko-ligjore dhe biometrike, krahasoi foton e sinagogës dhe një foto të konfirmuar të Crooks në një kënd të ngjashëm të marrë nga një reklamë për kompaninë BlackRock. Kjo shfaqje në reklamën e një kompanie të drejtuar nga një hebre, është një tjetër argument i pabazë që po ndahet në rrjet për të argumentuar origjinën e atentatorit.
Moreton tha për AAP se nga një sërë dallimesh në strukturën e fytyrës si dhe shenjave identifikuese në qafë rezulton se dy fotot tregojnë njerëz të ndryshëm.
Ai vuri në dukje dallimet në këndin e pjesës së sipërme dhe majës së hundës dhe format e ndryshme të mjekrës. Ai tha gjithashtu se ka dallime të shumta në veshin e majtë.
Moreton gjithashtu identifikoi një shenjë në qafën e personit në sinagogë “që nuk vërehet në asnjë imazh të Thomas Matthew Crooks”.
Personi në sinagogë (majtas) dhe Thomas Crooks (djathtas)