Djali që ushqehet nga shërbëtorët në publik nuk është trashëgimtari i Alibaba

7

Pretendimi: Djali i miliarderit kinez Jack Ma ushqehet nga shërbyesit në restorant

Verdikti: E pavërtetë

Barbara Halla

Një video e shkurtër e filmuar brenda një kafeje luksoze në Bangkok është shpërndarë në mediat shqiptare duke pretenduar se tregon ekstravagancën për shkak të pasurisë së djalit të themeluesit të Alibaba, Jack Ma. Në këtë video, shfaqen dy shërbyes që ushqejnë plot përkujdesje një djalë të ri që shfaqet i shkujdesur në tavolinën e restorantit. Sjellja e llastuar e pasanikut ka ngjallur shumë komente në rrjet, por në të vërtetë personi në këtë video nuk është djali i miliarderit kinez, por një influencer. 

Videoja qarkullon në media sociale që prej datës 30 nëntor, edhe pse është denoncuar si e keqinterpretuar. Personi në video quhet Jay Ma, por nuk ka asnjë provë që ai të jetë djali i miliarderit dhe filantropistit kinez Jack Ma. I riu në fjalë është një influencer i njohur në rrjetet sociale me mbi 140,000 ndjekës në Instagram. 

Kjo lloj videoje, ku ai shërbehet nga dy persona që duken si truprojat e tij, janë skenarë që përdor Jay Ma për të vënë në lojë luksin e të pasurve si dhe rritur audiencën e tij në rrjetet sociale. Siç e shpjegon edhe The Daily Guardian, që e ka hedhur poshtë pretendimin se Ma është djali i pronarit të Alibaba, Jay Ma zakonisht ekzagjeron personazhin stereotipik të “fëmijës së pasur” për efekt komik. Në fakt, shpesh duket se Jay Ma i filmon këto video për të satirizuar fëmijët e miliarderëve kinezë. Për më tepër, nuk ka asnjë provë që Jay Ma është djali i Jack Ma. Ky pretendim duket të ketë nisur nga fakti që të dy figurat kanë të njëjtin mbiemër. Jeta e familjes së Jack Ma është mjaft private dhe të dhënat publike konfirmojnë se ai ka një djalë që quhet Yuankun, si dhe një vajzë.