Pretendimi: Pas 27 vitesh djali i Azem Hajdarit zbulon vrasësin e babait të tij
Verdikti: E pavërtetë
————————————————————
Një postim që ka marrë mbi 600 pëlqime në Facebook pretendon se djali i politikanit të ndjerë shqiptar Azem Hajdari ka zbuluar se kush e ka vrarë të atin, ndërsa i fton lexuesit të klikojnë një lidhje në komente për të mësuar më shumë. Kolazhi i fotos kryesore përfshin në mënyrë të dukshme portretin e kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha, duke nxitur dyshime se ish-kryeministri është që qendër të akuzës.

Ndërkaq, në brendinë e artikullit të referuar në komente, pretendohet se i biri i Hajdarit, “Genci Hajdari, ka dalë me një deklaratë të papritur dhe të fuqishme, duke thënë se më në fund ka në dorë “dëshmitë që i duhen drejtësisë për të zbardhur të vërtetën”. Ai pretendon se ka identifikuar personin që, sipas tij, ka luajtur rolin kyç në organizimin e atentatit ndaj babait të tij.”
Megjithatë, pretendon artikulli, i biri i Hajdarit “nuk ka publikuar ende në mënyrë të plotë emrin e personit që ai pretendon se është ‘organizatori kryesor’”.
Pretendimet brenda artikullit janë krejtësisht trillime. Ky i fundit nuk i referohet ndonjë burimi.
Genci Hajdari nuk ekziston. Azem Hajdari ka tre fëmijë, Kirjald, Rudina, dhe Azemin, djalin që mban emrin e tij.
Në fotot bashkëngjitur artikullit, duket djali i vogël, Azemi. Ai foli gjatë një ceremonie homazhesh të organizuar nga Partia Demokratike për nder të të atit më 8 dhjetor 2025 dhe u shfaq në një intervistë për Euronews po atë ditë. Hajdari foli për të atin, por në asnjë moment nuk deklaroi apo aludoi se kishte “zbuluar” vrasësin e tij.
Azem Shpend Hajdari ishte një nga udhëheqësit e lëvizjes studentore në dhjetor ‘90, që nxiti tranzicionin demokratik në Shqipëri. Më pas ai u bë politikan dhe deputet i Partisë Demokratike. Ai u qëllua për vdekje nga Fatmir Haklaj pranë selisë së Partisë Demokratike më 12 shtator 1998 në moshën 35 vjeçare.
Titulli i artikullit keqinformon me qëllim mbledhjen e sa më shumë klikimeve duke hedhur baltë në mënyrë jo etike mbi dikë që ka ndërruar jetë, duke ia rënduar dhimbjen familjarëve të tij.






