Nga Barbara Halla – Tensionet në veri të Kosovës janë rikthyer që prej 29 nëntorit, ku tre sulme të njëpasnjëshme goditën së pari komunën e Zveçanit dhe më pas kanalin strategjik të Ibër-Lepencit në Zubin Potok. Këto sulme, të cilat cilësohen si sulmi më kritik ndaj infrastrukturës së vendit që prej luftës, duhen kuptuar në kontekstin e përgjithshëm të marrëdhënieve Kosovë-Serbi, pasi ato vijnë pas një periudhe disa-vjeçare tensionesh në veri.
Ashtu si edhe në rastet e tjera kur ka pasur konflikte në këtë zonë, mediat shqiptare kanë shpejtuar të përhapin spekulime, narrativa të pavërtetuara, si dhe deklarata nga të dyja palët me akuza, që për momentin mbeten të paverifikuara. Për arsye kohe dhe sigurie strategjike, ka ende pak njohuri mbi sulmin e kanalit të Ibër-Lepencit. Hetimet sapo kanë nisur, dhe faktori ndërkombëtar ka thirrur për hetime të pavarura nga jashtë për të siguruar që ato të jenë objektive.
Çfarë është kanali i Ibër-Lepencit?
Kanali i Ibër Lepencit është një strukturë ujësjellëse rreth 49 km i cili nis në komunën e Zubin Potokut dhe vazhdon deri në jug të Prishtinës, ku përfundon në liqenin e Badocit. Ai ka filluar ndërtimin në vitin 1972, përmes një kredie të Bankës Botërore, dhe furnizohet me ujë nga liqeni artificial i Ujmanit. Sipas qeverisë së Kosovës, ky kanal ka dy funksione të rëndësishme: ai furnizon me ujë të pijshëm gjithë veriun e Kosovës, si dhe sistemet e ftohjes së dy termoelektranave të Korporatës Energjetike të Kosovës, që njihen si Kosova A dhe Kosova B. Për këtë aryse, kanali konsiderohet pjesë e infrastrukturës kritike të vendit.
Burimi: Radio Evropa e Lirë
Çfarë dihet deri më tani?
Sipas Policisë së Kosovës, me datë 29 nëntor, disa persona ende të paidentifikuar vendosën rreth 20 kilogram eksploziv përgjatë kanalit, në afërsi të fshtatit Varragë në komunën e Zubin Potokut. Nuk pati viktimia, por shpërthimi dëmtoi rrjedhjen e ujit në kanal dhe për disa orë pas shpërthimit furnizimi me ujë të pijshëm u ndalua për të gjithë zonën.
Pas sulmit, kryeministri i Kosovës Albin Kurti mblodhi Këshillin e Sigurimit për të kaluar masa mbrojtje shtesë përreth infrastrukturës kritike të vendit, duke angazhuar policinë e Kosovës dhe Forcat e Sigurisë në pika kyçe.
Një aksion i policisë së Kosovës në veri përfundoi me tetë arreste si dhe konfiskimin e municioneve të shumta ushtarake.
“Kontrolli i realizuar i realizuar në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë dhe Agjencinë Kosovare të Inteligjencës ka rezultuar me konfiskimin e një arsenali të armëve dhe municionit, eksplozivit, pajisjeve të ndryshme, përfshirë emblema e qindra uniforma e pajisje ushtarake të cilat do të shërbejnë si dëshmi relevante që ndërlidhen me akte kriminale,” tha Ministri i Brendshëm Xhelal Svelça përgjatë një konference shtypi me datë 3 dhjetor.
Zëvendëskryeministri Bisnik Bislimi në një intervistë për Zërin e Amerikës tha se investigatorët kanë arritur të gjejnë informacione për komunikimet para dhe pas sulmit, por nuk dha detaje të tjera.
“Është e vështirë që të gjenden dëshmi në vendin e krimit. Ne kemi dëshmi komunikimet që kanë ndodhur para dhe ndoshta pas sulmit, që pastaj kërkojnë natyrë tjetër të forenzikës”, ka thënë Bislimi.
Me datë 7 dhjetor, Kurti publikoi një imazh ku tregonte se hetimet e Policisë së Kosovës, përpos armëve dhe muncioneve, kishin gjetur emblema ruse dhe serbe në foletë e atyre që dyshohen se kanë marrë pjesë në sulm.
Në Facebook, kryeministri ka shkruar se, kjo “dëshmon për përfshirjen potenciale të grupeve ekstremiste dhe terroriste serbo-ruse, me lidhje të forta në Serbi, që kanë për qëllim destabilizimin e Kosovës dhe krijimin e një mjedisi të pasigurt në rajon”.
Narrativat e shpërndara nga mediat dhe zyrtarët
Pavarësisht situatës ende të paqartë mbi personat apo grupimet pas sulmeve në veri, si mediat shqifolëse dhe zyrtarë të ndryshëm nuk kanë hezituar të spekulojnë mbi fajtorët duke shpërndarë deklarata të paverfikuara.
Ditën e shpërthimit, kryeministri Kurti dha një konferencë shtypi ku e cilësoi atë si një sulm terrorist dhe fajësoi Serbinë si organizatoren.
“Ky sulm kriminal dhe terrorist është kryer nga profesionistë dhe dirigjohet nga Serbia, e cila ka interes dhe aftësi për sulme të tilla. Sasia e madhe e eksplozivit të përdorur kërcënon furnizimin me energji në Kosovë”, është shprehur ai.
Deklarata spekuluese e Kurtit u shpërnda me shpejtësi të madhe në mediat shqiptare, shpesh pa specifikuar se provat përfundimtare ende mungojnë.
Burim: Shqiptarja
Burim: TCh
Po mbi këtë temë, mediat shqiptare kanë keqinterpretuar deklaratat e ambasadorit amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier. Disa media kanë vendosur titullin: “Serbia pas shpërthimit në Ibër-Lepenc?” duke pretenduar se Hovenier ka gjetur prova se Serbia ishte fajtore.
Por kjo nuk është e vërtetë, dhe vetë përmbajtja e artikullit e përgënjeshtron titullin.
Nga ana tjetër, Serbia ka mohuar përfshirjen në sulmet e kanalit. “Përveç që nuk kemi asnjë lidhje me këtë, ne kemi qenë aq të drejtë dhe, si një shtet serioz, nuk jemi marrë me akuza dhe nuk kemi thënë se ai sulm është urdhëruar drejtpërdrejt nga Kurti”, tha Vuçiç.
Megjithatë, disa media shqiptare kanë thënë se fjalët e Vuçiç duhen interpretuar si akuza ndaj Kosovës.
Vuçiç nuk vuri fajin ndaj Kurtit apo kosovarëve në mënyrë të drejtpërdrejtë. Por duke folur për mjetin shpërthyes që u përdor për ta dëmtuar kanalin e Ibër-Lepencit, Vuçiç është se është “i sigurt” se bëhet fjalë për eksploziv ushtarak serb, “pasi mund të ishte konfiskuar gjatë një prej bastisjeve”, duke aluduar në Policinë e Kosovës.
Ministri i Jashtëm i Serbisë Marko Gjuriç ka thënë se janë të gatshëm të ndihmojnë me rindërtimin e kanalit, por ka mohuar se Serbia mund të ketë qenë prapa sulmit, duke e konsideruar atë një akt propagande. Ai tha se akuzat ndaj Serbisë janë një “një fushate të koordinuar propagandistike nga regjimi i Kurtit, për të minuar rrugën e Serbisë drejt BE-së”.
Ndërkohë Lista Serbe e ka dënuar po ashtu sulmin, duke thënë se: “Kërkojmë nga KFOR-i dhe EULEX-i hetim urgjent në lidhje me këtë rast. Dëmtimi i kanalit të ujit, përveçse ka rrezikuar furnizimin me ujë të qytetarëve, po ashtu ka shkaktuar shqetësim te serbët në veri të Kosovës”
Faktori ndërkombëtar kërkon hetime të pavarura
Përfaqësues të ShBA-ve dhe Bashkimit Evropian nuk vonuan ta dënojnë sulmin në veri. Josep Borell ka thënë se “BE-ja e dënon ashpër sulmin terrorist të kryer të premten në kanalin ujor në Ibër-Lepencit në Zubin Potok në veri të Kosovës.” Ndërkohë ambasadori amerikan Hovenier e ka quajtur atë të tmerrshëm, por ka thënë se është shumë herët për të njohur fajtorët.
Përgjatë një diskutimi në Komisionin për Politikë të Jashtme të Parlamentit Evropian, eurodeputeti Thomas Ëaitz tha se është e nevojshme të bëhet një hetim i pavarur ndërkombëtarë që të ruhet objektiviteti i procesit gjyqësor.
Mark Ellis, Drejtor ekzekutiv i Dhombës Ndërkombëtare të Avokatëve, i ka thënë Radio Evropa e Lirë se përfshirja e ndihmës nga BE-ja apo SHBA-ja do të ishte një ide e mirë.
Situata në veri vazhdon të mbetet e paqartë dhe tensionet janë të larta. Ndërkohë qeveria e Kosovës ka përsëritur se kanë prova se Serbia dhe Lista Serbe mund të jenë mbrapa këtij sulmi. Megjithatë, këto prova ende nuk janë bërë publike dhe hetimet sapo kanë filluar. Banorët e zonës i kanë thënë REL që kanë frikë për një sulm të mëtjeshëm dhe akuzat e ndërsjellta nuk e lehtësojnë situatën.