Fotot e shpërndara së fundi në mediat sociale që pretendojnë se janë provë e manipulimit të viktimave të luftës në Ukrainë janë keqinterpretuar dhe po përdoren nga propaganda ruse për dizinformimin e publikut. Këto foto i përkasin vitit 2016 dhe janë pjesë e një trajnimi për ndihmën e shpejtë.
————————————————————————————————————-
Disa foto kanë qarkulluar në mediat sociale në fund të muajit nëntor, ku pretendohet se disa “viktima” të trukuara me bojë të kuqe, të ngjashme me gjakun, janë pjesë e propagandës të ushtrisë ukrainase. “Viktima të ‘agresionit rus“, shkruhet krahas këtyre fotove, duke ngritur dyshime për vërtetësinë e mizorive të luftës që vijon prej muajin shkurt në Ukrainë.
Screenshot, postimi në Facebook
Në fotot që janë postuar shihet një grua me flokë të kuqe, e cila mban veshur një xhaketë ushtarake, duke grimuar një grua tjetër që të duket si e plagosur. Në foton tjetër është një grua e shtrirë përtokë, me “njolla gjaku”, teksa mbi kokë i qëndrojnë tre persona që duket se po e ndihmojnë.
“Faktoje” bëri një verifikim të postimit, duke kërkuar fillimisht me fjalë kyçe në Google. Nga kërkimi i bërë rezulton që kjo foto në fakt i përket vitit 2016 dhe nuk ka asnjë lidhje me konfliktin Rusi-ukrainë. Sipas të dhënave, bëhet fjalë për një kurs për dhënien e ndihmës së parë, zhvilluar nga një organizatë ukrainase e quajtur TACCAT.
Një nga imazhet u publikua në fakt më 12 qershor 2016 në profilin e Instagramit të Liudmyla Bileka, një mjeke e specializuar për luftën, e cila punon për organizatën TacCat.
Foto e publikuar që në vitin 2016
Artikulli është verifikuar edhe nga organizatat ‘fact-checking’ në Europë, ku rezulton se fotot nuk kanë asnjë lidhje me luftën në Ukrainë.
Gjithashtu, kolegët gjeorgjianë të “Myth Detector” kanë kontaktuar me mjeken autore të këtyre fotove, zonjën Bileka. Ajo konfirmoi se fotot e shpërndara janë nga një trajnim-shpëtimi i kryer në vititn 2016 dhe nuk kanë asnjë lidhje me luftën në Ukrainë.
Mjekja gjithashtu denoncoi publikisht në profiling e saj në Twitter dhe Facebook faktin që fotot e saj po përdoren nga propaganda ruse, si një mënyrë për të dizinformuar.
*Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dizinformimin