Ina Allkanjari
Në ditën e parë të nisjes zyrtare të vitit të ri shkollor, Tirana, ku numërohen rreth 75 mijë nxënës të sistemit parauniversitar, pati trafik kaotik gjatë orëve të mëngjesit, sidomos në nyjet kryesore.
Gjatë një vëzhgimi të kryer në orët para se të niste mësimi, në hartat e platformës Google Maps, u reflektua një mbingarkesë pothuajse në të gjithë rrugët e Tiranës.
Ngarkesa e trafikut në Tiranë, ora 08:30, burimi Google Maps
Situata ka qenë e tillë në shumë akse të kryeqytetit, të cilat shfaqeshin me ngjyrë të kuqe, ka tregon intensitetin e lartë të qarkullimit të automjeteve.
Gjatë këtij monitorimi në kohë reale, u vu re një rritje e ngarkesës së qarkullimit rrugor nga ora 07:30 deri në orën 08:30.
Problematike situata shfaqej si brenda qytetit ashtu edhe në pikat hyrëse dhe dalëse të Tiranës.
Zonat më të ngarkuara nga trafiku rezultuan Rruga e Kavajës, Rruga e Elbasanit, Rruga e Dibrës, Rrethrrotullimi i Zogut të Zi, Zona e Astirit dhe Sheshi Shqiponja.
Ngarkesa e trafikut në Tiranë, ora 08:00, burimi Google Maps
Ngarkesa e trafikut në Tiranë, ora 07:35, burimi Google Maps
Këtë të hënë, Faktoje pyeti përmes një sondazhi në rrjetet sociale edhe ndjekësit e saj, lidhur me trafikun e hasur në kryeqytet. Rreth 80% e votuesve treguan se u përballën me probleme me trafikun në ditën e parë të shkollës, edhe pse kjo situatë ndonëse më pak intensive raportohet sidomos pas 1 shtatorit, kur nisi procesi i përsëritjes nëpër shkolla.
Sondazhi i realizuar nga Faktoje lidhur me trafikun në ditën e parë të shkollës
Masat për vitin e ri shkollor
Drejtori i Rendit në Policinë e Shtetit, Ylli Vasili deklaroi se këtë vit të ri shkollor janë fokusuar në disa objektiva të rëndësishme.
“Në këto objektiva janë përcaktuar për të gjithë drejtoritë bashkëpunimi i Policisë me bordin drejtues të të gjitha institucioneve shkollore, drejtorët, oficerët e sigurisë, bordin e prindërve dhe nxënësit që frekuentojnë. Gjithashtu në fokus të këtij programi që merret policia kemi dhe masat anticovid që po monitorohen nga policët”-u shpreh drejtori i Rendit në Policinë e Shtetit gjatë një deklarate për mediat.
Në fokus të masave të ndërmarra mësohet të jetë mbarëvajtja e procesit mësimor përsa i përket rendit dhe sigurisë, si dhe disiplinim i qarkullimit para shkollave dhe në afërsi të tyre.
Trafiku i rënduar- Punimet në rrugë
Një ndër arsyet e përkeqësimit të trafikut në kryeqytet janë edhe punimet në disa rrugë. Aktualisht në Tiranë po punohet në zonën e Astirit, te Sheshi Shqiponja dhe tek rrethrrotullimi i Teg. Siç ilustrohet edhe në hartat e Google Maps rrugët e sipërpërmendura paraqesin trafikun më të rënduar.
Ndërkohë në përkeqësimin e kësaj situate ndikon edhe qarkullimi i mjeteve të tonazhit të rëndë, si betonierët.
Prej datës 1 shtator kryeqyteti ka shënuar problemet e para të mbigarkesës së trafikut. Kjo rëndesë e qarkullimit rrugor lidhet edhe me faktin e nisjes së mësimit plotësues në të gjitha shkollat e vendit në fillim të muajit shtator.
Gjatë periudhës së mësimit plotësues, nxënësit nuk ishin të detyruar të shkonin në në shkollë, ndërsa mësuesit dhe të gjitha stafet mësimore duhet të parqiteshin në punë, me kohë të plotë për të ofruar krahas mësimit plotësues, edhe veprimtari të ndryshme sportive, artistike dhe kulturore.