Pretendimi: Shkenca në Britani konfirmon se vaksinat kundër Covid-19 shkaktojnë kancer 

Verdikti: Mungon konteksti

Barbara Halla

Disa postime të publikuara në Facebook përgjatë gushtit ringjallën narrativën se vaksinat kundër COVID-19 kanë shkaktuar rritje në numrin e kancereve agresive. Postimet pretendojnë se ky rrezik është konfirmuar tashmë nga studimeve shkencore në Britani, duke mbështetur dyshimet e grupeve skeptike ndaj vaksinimit gjatë pandemisë. 

A close-up of a text

AI-generated content may be incorrect.

Origjina e këtij lajmi duket se është një artikull i tabloid-it britanik Daily Mail, i publikuar në 23 mars 2025, i cili është i disponueshëm për lexuesit vetëm përkundrejt abonimit. Kjo duket se e ka bërë më të vështirë për ndjekësit e postimeve në rrjetin social që të konsultojnë detajet e artikullit origjinal. 

Faktoje.al verifikoi më tej faktet e sjella nga tabloidi britanik për të zbuluar se vetë autorja e artikullit nuk pretendon se lidhja e vaksinës dhe kancerit mbështetet mbi studime shkencore. Kjo lidhje shkak-pasojë është mbështetur nga disa mjekë, të përmendur kryesisht në një intervistë me gazetarin Piers Morgan. Përgjatë intervistës me Morgan, Angus Dalgleish – i cili është onkolog, por jo një ekspert mbi vaksinat – sugjeron se përdorimi i vaksinave kundër COVID-19 mund të lidhet me rritjen e rasteve të kancerit, ose përsëritjen e tij tek pacientët. Megjithatë, kjo deklarata e Dalgleish bazohet në histori personale dhe jo në të dhëna apo studime shkencore. 

Në fakt, nuk ekziston asnjë studim i shkallës së gjerë që të tregojë se vaksinat shkaktojnë ose përkeqësojnë rastet e kancerit. Për shembull, organizata Cancer Research UK, organizata më e madhe e pavarur në botë për studimin e kancerit, konfirmon se nuk ka asnjë provë që tregon një lidhje midis vaksinave kundër COVID-19 dhe kancerit. Qendra akademike për studimet shkencore në SHBA, Mayo Clinic, vërteton po ashtu që pretendimet se vaksinat kundër COVID-19 shkaktojnë kancer janë të pabaza. 

Artikulli i Daily Mail ka cituar disa doktorë, por jo doktorë që merren me studime shkencore mbi kancerin apo vaksinat. Për më tepër, ky artikull i referohet gjithashtu Robert F. Kennedy Jr., Sekretarit të Shëndetit amerikan në qeverinë e dytë të Donald Trump. Kennedy njihet si një figurë që është skeptik ndaj vaksinave dhe është verifikuar nga ekspertët mjekësorë dhe verifikuesit e fakteve si një person që shpërndan dizinformim mbi vaksinat. Vetë Faktoje ka hedhur poshtë disa nga teoritë që ai ka shpërndarë ndaj vaksinave. 

Tabloidi britanik Daily Mail, njihet për tituj sensacionalistë. Organizata Media Bias/Fact Check e cilëson besueshmërinë e Daily Mail në nivelin “Low” (“të ulët”). 

A screenshot of a computer

AI-generated content may be incorrect.

Ekspertët në fushë konfirmojnë se nuk ka prova se vaksina kundër COVID-19 shkakton kancer apo ka rritur numrin e rasteve të kancerit.  

Ideja që vaksinat shkaktojnë “kancer” është pjesë e një ekosistemi më të gjerë të teorive të konspiracionit ndaj COVID që kanë lulëzuar që nga viti 2020. Këtu përfshihen pretendime të rreme se vaksinat ndryshojnë ADN-në e njeriut, përmbajnë mikroçipa ose shkaktojnë infertilitet masiv. Pavarësisht popullaritetit të tyre, këto pretendime janë hedhur poshtë disa herë nga shkencëtarët dhe autoritetet shëndetësore, siç e ka verifikuar më parë edhe Faktoje