.

.

BallinaProjekteNxitja e llogaridhënies së zyrtarëve të lartëDibër/Fshati që prej 30 vitesh pret asfaltimin e rrugës 

Dibër/Fshati që prej 30 vitesh pret asfaltimin e rrugës 

Rruga e fshatit Rreth Kale në Dibër ende nuk është asfaltuar, pavarësisht premtimit të kryebashkiakut socialist Rahim Spahiu gjatë fushatës zgjedhore të një viti më parë. Banorët e fshatit i thanë Faktoje se në 30 vite askush nuk ka vënë dorë për rregullimin e rrugës.

Në 4 maj 2023, kreu i Bashkisë së Dibrës, Rahim Spahiu premtoi asfaltimin e rrugës në fshatin Rreth Kale të njësisë administrative Muhurr. Ai e njoftoi këtë në një postim të tij në Facebook, ku përshkruante takimin me banorët e fshatit Rreth kale. Spahiu theksoi se asfaltimi i rrugës ishte prioritet për zonën dhe shumë shpejt do të niste puna në terren.

“Takim me banorët në fshatin Rreth Kale të njësisë administrative Muhurr për punët e kryera dhe projektet e së ardhmes”, shkroi në Facebook, Spahiu.

Postimi i Rahim Spahiut në Facebook

Faktoje bëri një verifikim në rrugën Rreth-Kale të Njësinë Administrative Muhurr më datë 29 gusht, ku konstatuam se nuk kishte nisur asnjë ndërhyrje në këtë rrugë.

“Ka 30 vjet që nuk është vënë dorë në këtë rrugë. Na kanë thënë që brenda këtij viti do të shtrohet. Është afërsisht rreth 2 km deri te xhamia”, tregon Xhaferri, banor i zonës.  

Më tej ai shton se e kanë ngritur si shqetësim në strukturat përkatëse, pasi janë rreth 100 shtëpi rreth e rrotull kësaj rruge.

“E kemi ngritur si shqetësim, e kemi diskutuar disa herë dhe tani po shpresojmë të na e rregullojnë. Vështirë shumë të kalohet në këtë rrugë, si në dimër, ashtu edhe në verë”, shton ai.

Në lidhje me këtë zotim të kryebashkiakut Spahiu, Faktoje iu drejtua fillimisht me një kërkesë për informacion Bashkisë së Dibrës. Zyrtarisht, ky institucion bën të ditur se është bërë procedura e tenderimit, por janë në pritje të lidhjes së kontratës, duke mos dhënë një datë kur pritet të nisin punimet.

“Sa u përket punimeve për asfaltimin e rrugës Rreth – Kale në Njësinë Administrative Muhurr, procedura e tenderimit është bërë dhe jemi në pritje të lidhjes së kontratës për fillimin e punimeve. Vlera e investimit është 8.333.333 lekë, pa TVSH”, njofton Bashkia Dibër. 

Të dhënat nga “Open Procurement” tregojnë se punimet përfundojnë për 2 muaj, por nuk ka një datë të nisjes së tyre. Operatori ekonomik kontraktues është “Selami’ dhe shpallja e fituesit është bërë në datë 14 gusht 2024.

Nisur nga verifikimi i kryer në terren dhe informacioni i grumbulluar, premtimin për asfaltimin e rrugës në fshatin Rreth Kale të njësisë administrative Muhurr, do ta kategorizojmë të pambajtur.

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img