Dhjetëra gazetarë të mediave kryesore në vend, si dhe koordinatorë të institucioneve publike u bënë pjesë të trajnimit të organizuar nga Faktoje mbi rëndësinë e zbatimin e ligjit për të drejtën e informimit. Aktualiteti i fundit si ai përdorimi i informacioneve gjatë proceseve hetimore, por dhe rrjedhja e të dhënave personale ishin çështje që u diskutuan gjerësisht në takim.
Faktoje, në bashkëpunim me zyrën e Komisionerit për të Drejtën e Informimit po vijon trajnimet me koordinatorë, gazetarë dhe studentë të gazetarisë si pjesë e projektit “Forcimi i gazetarisë Fakt-Verifikuese në Shqipëri”, i mbështetur nga Ambasada e Mbretërisë së Vendeve të Ulëta.
Trajnimi i radhës mbi zbatimin e “Ligjit Për të Drejtën e Informimit” u mbajt më 20 qershor në ambientet e ‘Shtëpisë së Evropës’. Gazetarë të mediave kryesore në vend si dhe koordinatorë për të drejtën e informimit të institucioneve u bënë pjesë e këtij trajnimi, me qëllim informimin mbi ndryshimet e parashikuara në këtë ligj.
Takimi u shoqërua me debate konstruktive mbi zbatimin sa më korrekt nga të dyja palët, gazetarët dhe koordinatorët të “Ligjit për të Drejtën e Informimit”.
Elona Hoxha, Drejtore e Përgjithshme në Drejtorinë për të Drejtën e Informimit iu përgjigj interesit të gazetarëve mbi disa çështje të ndryshme.
Një prej pyetjeve që u ngrit kishte të bënte me të dhënat personale dhe si veprohet kur ato bëhen publike, siç ishte edhe rasti i rrjedhjes së pagave dhe publikimit të ID.
“Hetimet kanë filluar nga zyra e komisionerit për të gjitha rastet, të cilat janë bërë mediatike. Pra, nëse ka pasur një shkelje të të dhënave personale. Disa hetime kanë përfunduar, disa hetime mund të jenë ende në proces për shkak të kompleksitetit të çështjes”, sqaroi zonja Hoxha.
Një tjetër pikë që u prek nga gazetarët lidhej me masat administrative që merren ndaj koordinatorëve dhe jo vetëm, kur shkelen afatet e “Ligjit Për Të Drejtën e Informimit”.
“Zyra e Komisionerit ka vendosur në mënyrë të vazhdueshme sanksione administrative qoftë ndaj titullarëve, qoftë ndaj koordinatorëve. Megjithatë, qëllimi i ligjit nuk është të vendosë sanksione administrative, por i rëndësishëm është marrja e informacionit publik. Puna fokusohet në drejtim të marrjes së informacionit publik, jo vendosje thjesht të sanksioneve”, u shpreh znj. Hoxha.
Interes të lartë patën dhe çështjet e akualitetit, ku është diskutuar për rastet e përdorimit të ligjit për të drejtën e informimit në lidhje me çështjet që janë në proces hetimi.
Faktoje në bashkëpunim me zyrën e Komisionerit për të Drejtën e Informimit po vijon trajnimet me koordinatorë, gazetarë dhe studentë të gazetarisë si pjesë e projektit “Forcimi i gazetarisë Fakt-Verifikuese në Shqipëri”, i mbështetur nga Ambasada e Mbretërisë së Vendeve të Ulëta.