Sulmi izraelit në Iran dhe kundërpërgjigjja e këtij të fundit janë në qendër të vëmendjes së mediave botërore dhe atyre vendase. Kjo situatë ka sjellë edhe spekullime apo shpërndarje të informacioneve të paverifikuara, në rastin më të mirë, ose të pavërteta, në rastin më të keq. Arsye për këtë dezinformim shpesh bëhet dëshira për të mbledhur sa më shumë klikime, por edhe mbështetja e axhendave të caktuara nga portale anonime online.

Jona Plumbi

Në 12 qershor Izraeli sulmoi me raketa Iranin, ku objektiv u bënë objekte bërthamore, vendndodhje ushtarake dhe zyrtarë të lartë ushtarakë apo shkencëtarë bërthamorë. Irani u kundërpërgjigj me sulm ajror, duke goditur Jeruzalemin dhe Tel Avivin. Prej nisjes së konfliktit të armatosur të dy vendet kanë shkëmbyer sulme raketore të vazhdueshme ndaj njëra-tjetrës.

Situata ka qenë në qendër të vëmendjes së mediave botërore dhe atyre në Shqipëri, duke paraqitur zhvillimet kohë pas kohe. Në situata të tilla konfliktesh, si ajo mes Rusisë dhe Ukrainës apo Izraelit dhe Gazas, marrja e informacioneve të verifikuara vështirësohet për shkak të dinamikave të vazhdueshme, por edhe mungesës së burimeve të drejtpërdrejta nga vendngjarja. 

Njëkohësisht, në situata të tilla pasigurie, mediat shpesh kapitalizojnë emocionet e qytetarëve dhe përhapin informacione të nxjerra jashtë konteksti, apo krejtësisht të pavërteta. 

Kjo ndodhi edhe pas nisjes së konfliktit të armatosur mes Izraelit dhe Iranit. Qëllimi shpesh është marrja e sa më shumë klikimeve duke përhapur tituj abuzivë apo informacione të paverifikuara apo pa kontekst. Pavarësisht kësaj, nuk përjashtohen edhe raste të mediave që mbështesin agjenda të caktuara.

Lajme dezinformuese

Një nga mediat që ka përhapur lajme të pavërteta është Petravu. Në 15 qershor ky portal ka shpërndarë një publikim ku njoftonte se “Shqipëria po sulmohet nga Irani”.

Në shkrim, në asnjë moment nuk flitet për sulm të Iranit ndaj Shqipërisë siç sugjestionon titulli. Përkundrazi. Artikulli citon ekspertë që kanë analizuar situatën në media të tjera duke shpjeguar se në fakt Shqipëria nuk është e rrezikuar nga një sulm i armatosur nga Irani.

Dy ditë më vonë, në 17 qershor, e njëjta media tha se “Irani u bë gati të godiste Shqipërinë me raketa”.

Lajmi citon një intervistë që Xhavit Shala, ekspert sigurie ka dhënë për një televizion tjeter. Shala në intervistë deklaroi se “Irani do të godiste me raketa Shqipërinë në vitin 2023” pas strehimit të opozitës iraniane në Manzë të Durrësit. Si provë të vërtetësisë së deklaratave të tij, Shala citon publikimin e planit për sulm në një gazetë Iraniane. Portali Petravu e ka shpërndarë këtë lajm me një titull abuzues që nuk jep kontekst, duke krijuar iluzionin se në fakt bëhet fjalë për situatën aktuale.

Informacionet e publikuara nga kjo faqe, shpërndahen në rrjetin social Facebook nga nje profil me një emër që nuk përputhet me atë të vetë portalit, të quajtur “Histori Shqiptare”.

Përhapje e propagandave shtetërore

Një tjetër formë keqinformimi e përhapur lidhur me konfliktin e armatosur Izrael – Iran është përhapur nga media të cilat i kanë dhënë zë propagandës izraelite.

Ky publikim u përdor nga disa media për të përhapur shqetësimin se Europa dhe Shqipëria mund të jetë në rrezik.

Ajo të cilës i referohet intervista duket të jetë një “goditje” e mundshme ekonomike për shkak të rritjes së çmimit të naftës apo produkteve të tjera dhe në asnjë moment një goditje e parë nga raketat e Izraelit apo Iranit.

Një pjesë e mediave, sipas gazetarit Pandi Gjata, e kanë në axhendë këtë linjë dizinformimi dhe propagandë, një pjesë e bën për klikime ndërsa një pjesë tjetër nuk kanë njerëz të kualifikuar për këtë zhvillim të rëndësishëm global, ashtu sic ishte edhe në rastin e luftës në Ukrainë.

Mungesën e profesionalizmit të stafit në media e sheh problematike edhe Erjon Tase, drejtues i Akademisë së Studimeve Politike. Kjo, sipas tij, i shtyn mediat të jenë të ekspozuara ndaj propagandave qeveritare.

Për fat të keq mediat nuk kanë profesionalizmin e duhur pjesë të stafeve të tyre, si gazetarë me eksperiencë, njohës të zhvillimeve ndërkombëtare komplekse apo edhe rishikimin editorial të nevojshëm për të kontrolluar përmbajtjen që ato publikojnë” – Erjon Tase, studiues.

Lutfi Dervishi, gazetar dhe pedagog i gazetarise hulumtuese shpjegon se mungesa e korrespondentëve në terren apo gazetarëve hulumtues dhe verifikues, i shtyn mediat të përdorin materiale të gatshme nga agjensi lajmesh ndërkombëtare ose nga burime zyrtare që kanë interesa të qarta propagandistike.

Për pasojë, propagandat shtetërore, qofshin ato të Izraelit, Iranit apo vendeve të tjera të përfshira depërtojnë lehtësisht në narrativat lokale, sidomos kur mungon analiza kritike dhe verifikimi. Ky është varianti më i mirë sepse disa media marrin materiale nga rrjetet sociale apo media bulevardeske” – Lutfi Dervishi, gazetar.

Karrema klikimesh

Arsyeja kryesore për përhapjen e dezinformimit është lufta për klikime, sipas Lutfi Dervishit.

Frika, ndjeshmëria dhe mungesa e burimeve të verifikimit të publikut janë ushqim ‘perfekt’ për mediat sidomos kur ka ngjarje të madhe si lufta dhe lufta si kjo mes Izraelit dhe Iranit ngjall interes dhe shkakton emocione të forta” – shpjegon Dervishi.

I një mendimi është edhe Erjon Tase sipas të cilit mediat zgjedhin tituj apo përmbajtje që shtrembërojnë realitetin apo ekzagjerojnë rrezikun e konflikteve që ndodhin larg Shqipërisë.

Ky ishte rasti i një publikimi të identifikuar si keqinformues nga Faktoje, nga portali 5pyetjet.al që shpërndau një intervistë lidhur me çfarë pritet nga ky konflikt duke përdorur një titull bombastik, që nuk lidhet aspak me përmbajtjen e intervistës.

“Shqipëria merr goditjen e parë nga raketat Izrael-Iran/ Gjenerali: Sa orë reziston vendin ynë?”, shkruan 5pyetjet.al.

Përhapja e titujve bombastik është sipas gazetarit Pandi Gjata një nga problemet më të mëdha të mediave shqiptare, kryesisht atyre online.

Përkthejnë lajme nga media të huaja jo serioze, raportojnë të pavërteta, japin edhe alarmin për Shqipërinë sikur është objektiv i Iranit në këtë konflikt. Shtrembërojnë deklarata të ekspertëve dhe i aktualizojnë me ditët e sotme” – Pandi Gjata, gazetar.

Arsyet që i shtyjne mediat të bien pre e lajmeve të pavërteta janë të shumta, sipas Lutfi Dervishit.

Mungesa e redaksive profesionale, ulja e standardeve etike, presioni i kohës për të qenë të parët me një lajm, tendenca për t’u bërë viral dhe varësia nga përkthime automatike ose burime të pakontrolluara në internet e rrjete sociale. Gjithashtu sensacionalizmi ndihmohet edhe nga algoritmet, që përforcojnë shpërndarjen e lajmeve të pasakta” – përfundon ai.

Keqinterpretimi i situatave kritike gjeopolitike apo shoqërore është një fenomen tashmë i vjetër në media, veçanërisht ato online. Përhapja e dezinformatave dëmton lexuesin i cili jo gjithmonë është i pajisur me njohuritë e duhura për të verifikuar informacionin që lexon. Kjo për pasojë sjell jo vetëm konfuzion por edhe polarizim të qëndrimeve të qytetarëve, si dhe ulje të besueshmërisë tek mediat. Për këto arsye pasqyrimi sa më “besnik” i informacionit veçanërisht në kohë krizash është thelbësor për një shoqëri të mirëinformuar.