Pretendimi: Avionët komercialë nuk mund të fluturojnë mbi Antarktidë
Verdikti: Mungon konteksti
Vjolanda Peca
Fluturimet ndërkontinentale pa ndalesë janë bërë një domosdoshmëri për udhëtarët. Këto fluturime jo vetëm që shkurtojnë kohën e udhëtimit, por gjithashtu ofrojnë një përvojë më të rehatshme për pasagjerët.
Megjithatë, ekziston një teori e ndarë në rrjet se të gjitha fluturimet në jug të Ekuatorit nuk përdorin rrugët më të shkurtëra lidhëse, por devijojnë në veri të tij sepse në Antarktidë ka një mur pengues akulli. Ky version i murit të pakapërcyeshëm është edhe një shpjegim për teorinë e habitshme të tokës së sheshtë. Nëse toka është e sheshtë, ajo diku duhet të mbarojë dhe muri i akullit të Antarktidës është kufiri i tokës së sheshtë.
Në një postim të shpërndarë në rrjete sociale, një përdorues pyet audiencën “Si ka mundësi?”, duke postuar një imazh të një harte mbi Antarktidë me tekstin në anglisht: “këto rrugë ajrore nuk ekzistojnë”.
Kjo mungesë e rrugëve ajrore të drejtpërdrejta që lidhin Australinë me Argjentinën dhe Afrikën e Jugut, si pikat më fundore të 3 kontinenteve jugore, sillet si provë për teorinë e tokës së sheshtë.
Për të shpjeguar këtë devijim të rrugëve ajrore në hemisferën jugore duhet të shpjegohet se si funksionon siguria e fluturimeve komerciale dhe sistemi ETOPS. Ky akronim për Standardet e Performancës së Operacioneve me Dy motorë me rreze të zgjeruar, është një rregull sigurie i zhvilluar nga Organizata Ndërkombëtare e Aviacionit Civil për operimet e avionëve komercialë të pasagjerëve me dy motorë.
Ky standart siguron që edhe nëse një motor dështon gjatë fluturimit, avioni mund të fluturojë përsëri me motorin e mbetur në një aeroport alternativ të përshtatshëm.
Si rrjedhojë, rruga e fluturimit mbi oqeane zgjidhet në një distancë 60 minutëshe nga aeroporti më i afërt në pjesën tokësore të kontinenteve. Në rastin e avionëve me 4 motorë, distanca ETOPS dyfishohet në 120 minuta dhe më tej dhe në 180 minuta.
Vetë sipërfaqja e madhe e oqeaneve që ndajnë 3 kontinentet e mësipërme dhe pamundësia për të ulur një avion komercial në akullin e Antarktidës në rast avarie, detyrojnë linjat e avionëve që të zgjedhin rrugë më të gjata që kalojnë pranë tokës.
Me një kërkim në Skyscanner, apo Kayak mund të kërkojmë itineraret e fluturimeve nga Auckland, Zelandë e Re drejt Santiago, Kili. Disa nga këto fluturime përfshijnë: Sydney, Australi – Johannesburg, Afrikë e Jugut, Sydney, Australi – Santiago, Kili, Perth, Australi – Johannesburg, Afrikë e Jugut.
Përsa i përket murit të akullit në Antarktidë, është e mundur që të fluturohet mbi qendrën e Antarktidës, por me avionë të dedikuar që ulen në aeroportet e akullt të saj. Ekziston edhe një aeroport në qendër të Antarktidës. Stacioni Amundsen–Scott South Pole zotëron aeroportin Jack F. Paulus Skiway pikërisht në polin jugor. Aeroplanët mund të ngrihen dhe të fluturojnë në çdo drejtim prej andej.
Foto e një avioni kargo në Polin e Jugut në vitin 2004. (C) Zachary Staniszewski – Wikipedia