Pretendimi: Nëse Toka do të ishte e rrumbullakët, uji i deteve dhe oqeaneve do të binte nga sipërfaqja e saj.

Verdikti: E pavërtetë

———————————————————–

Konspiracionistët e Tokës së sheshtë në rrjet pretendojnë se, nëse Toka do të ishte e rrumbullakët, atëherë uji në sipërfaqen e saj do të binte poshtë.

Në fakt, ky argument mund të zgjerohet për të përfshirë jo vetëm ujin, por çdo gjë që ekziston mbi sipërfaqen e Tokës.

Arsyeja pse objektet nuk bien nga sipërfaqja e një Toke të rrumbullakët është forca e gravitetit. Graviteti është një fenomen themelor fizik që konsiston në tërheqjen e ndërsjelltë mes gjithë objekteve që kanë masë. Megjithëse ai nuk ndikon në mënyrë domethënëse në nivelin subatomik, graviteti është forca më e rëndësishme në nivelin makroskopik, dhe përcakton lëvizjen e planeteve, yjeve, galaksive, e madje dhe dritës.

Në Tokë, graviteti është ai që i jep peshë objekteve. Ai i tërheq objektet në nivelin e detit me një përshpejtim prej mesatarisht 9.8 m/s2 drejt qendrës së Tokës. Një nga ekuacionet bazë të fizikës, pesha (W) e një objekti është e barabartë me prodhimin e masës (m) së tij dhe gravitetit të Tokës (g). Ky ekuacion rrjedh nga ligji i dytë i lëvizjes së Newton, i cili përcakton se forca (F) e ushtruar nga një objekt është e barabartë me prodhimin e masës (m) së objektit dhe përshpejtimit (a) me të cilën ai po lëviz.

Kështu, oqeanet e Tokës qëndrojnë në sipërfaqen e saj sepse tërhiqen nga forca e gravitetit të Tokës. Megjithatë, ajo nuk është e vetmja forcë graviteti që vepron mbi ujin e oqeaneve. Batica dhe zbatica janë produkt i efekteve të kombinuara të forcave gravitacionale që ushtrohen nga Hëna.